1 of 2

Mësimi 5: Histori Dashurie

Qëllimi: Të eksplorohen pritshmëritë e grave dhe burrave në marrëdhënie romantike, si dhe çfarë na mëson ne shoqëria rreth tyre.

Materialet e nevojshme: Letër dhe lapsa. Mundet edhe muzikë.

Koha e rekomanduar: 45 minuta

Shënime për planifikim: Si pjesë e krijimit dhe diskutimit të historive të dashurisë në këtë aktivitet, pjesëmarrësit mund të kontribuojnë ose të reflektojnë mbi elementet e historive të tyre personale. Në disa raste (ashtu si edhe me aktivitetet e tjera), kjo mund të shkaktojë emocione të forta dhe udhëheqësi duhet të jetë i gatshëm të ndihmojë ose, nëse është e nevojshme, të ofrojë një referencë ndihme

Procedura:

  1. Ndajini pjesëmarrësit në dy ose katër grupe (nëse edhe gratë dhe burrat janë duke marrë pjesë, ndajini në grupe të të njëjtit seks).
  2. Tregoni historinë e Marijas dhe Petar, të cilët janë në një klub. Marija dhe Petar, përgjatë një kohe kanë qenë të interesuar për njëri-tjetrin, por asnjëri nuk ka bërë hap para. Marija kap momentin dhe i afrohet atij – ajo ka vendosur të bëjë lëvizjen e parë.
  3. Shpjegoni se secili prej grupeve duhet të tregojë si zhvillohet historia e tyre e dashurisë – si e nisin një marrëdhënie dhe një përshkrim për fazat e para të saj. Jepuni grupeve 15 minuta kohë për të diskutuar dhe zhvilluar historitë. Grupet mund t’i shkruajnë historitë për t’i lexuar më pas me zë të lartë për pjesën tjetër të grupit OSE të përgatisin skica, OSE vizatime për t’i prezantuar.
  4. HAP OPSIONAL: Vini muzikë, që pjesëmarrësit ta dëgjojnë gjatë kohës kur janë duke punuar për përgjigjet e tyre.
  5. Kërkoni nga secili grup të prezantojnë historinë e tyre.
    SHËNIM: Udhëheqësi duhet të theksojë se është mirë që historitë të jenë të shkurta ose të pakompletuara, dhe se grupet duhet të japin më të mirën e tyre për të prezantuar atë që kanë përgatitur.
  6. Shfrytëzojini pyetjet më poshtë, për të drejtuar një diskutim.

HAP OPSIONAL 1: Për t’i diskutuar më tej konstruktet kulturore dhe sociale të romancës, sillni kopje të teksteve të këngëve të famshme ose jepuni pjesëmarrësve për analizë ide për shprehje të zakonshme rreth dashurisë dhe marrëdhënieve.

HAP OPSIONAL 2: Ftojini pjesëmarrësit ta përsërisin aktivitetin, duke menduar për një fazë tjetër të një marrëdhënie romantike. Për shembull, ata mund të zgjedhin të tregojnë një histori rreth një çifti të martuar prej 10 vjetësh. Cilat janë rolet dhe pritshmëritë e gruas? Cilat janë të burrit? Cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet midis fazave të hershme të marrëdhënies, edhe pas 10 vjetëve martesë?

Pyetje për diskutim:

  1. Cilat ishin ngjashmëritë ndërmjet historive? Cilat ishin dallimet?
  2. Cila nga këto histori është më relevantja me historinë tuaj personale?
  3. Cilat ishin tiparet pozitive të marrëdhënieve në historitë e mëparshme? Cilat ishin tiparet negative?
  4. A ishin të barabarta marrëdhëniet në këto histori – kjo do të thotë se:
  5. A kishin gratë dhe burrat fuqi negociuese? Në cilën mënyrë ishin e në cilën jo? Nëse jo, cilat ishin pasojat?
  6. Çfarë presin gratë e reja nga marrëdhëniet romantike? A është kjo e ndryshme nga ajo që presin burrat e rinj? Nëse po, pse gratë e reja dhe burrat e rinj kanë pritshmëri të ndryshme? Si ndikojnë këto pritshmëri të ndryshme në marrëdhënie romantike?
  7. A konsiderohet xhelozia si një “dëshmi e dashurisë së vërtetë”? Pse? Pse jo?
  8. A ishin karakteret e historisë nga prapavija të ndryshme religjioze, etnike apo sociale? A ndikojnë këto dallime në marrëdhënie? Nëse po, në çfarë mënyrash?
  9. A ndikohen pritshmëritë tuaja për një marrëdhënie romantike nga historitë e romancave të portretizuara në televizion, radio, filma, muzikë, revista dhe gazeta? Nëse po, si?
  10. A kanë gratë dhe burrat role të ndryshme në marrëdhënie? Cilat janë këto role?
  11. Disa njerëz mendojnë se burrat duhet t’i bëjnë të gjitha lëvizjet në marrëdhënie dhe gratë vetëm duhet të përgjigjen. A pajtoheni me këtë? Pse dhe pse jo? A është e pranueshme për një grua ta bëjë lëvizjen e parë dhe të nisë marrëdhënien?
  12. A është e pranueshme për një grua t’i paguajë pijet, nëse del me një burrë?
  13. A e marrin gratë iniciativën kur vjen fjala për marrëdhënie seksuale në një lidhje? Pse?
  14. A është e pranueshme për një grua të flasë rreth kënaqësisë dhe dëshirave të saj seksuale me partnerin? Ose në një grup? Pse?
  15. Çfarë do të thotë të pasurit e një lidhjeje të barabartë për një grua dhe burrë? Si duhet ta trajtojë gruaja burrin? Si duhet ta trajtojë burri gruan?
  16. Çfarë mësuat në këtë aktivitet? A mësuat diçka, të cilën mund ta aplikoni në jetën dhe lidhjet tuaja?

Përmbyllje:

Ekzistojnë shumë norma kulturore ose besime, rreth roleve të veçanta që gratë dhe burrat duhet të kenë në lidhje. Disa nga këto norma, si për shembull “meshkujt duhet t’i marrin të gjitha hapat në një lidhje”, mund të përforcojnë dinamikat e fuqisë së pabarabartë dhe të krijojnë situata të cenueshmërisë edhe për gratë, edhe për burrat. Për shembull, për shkak të kësaj norme burrat mund të mendojnë se ata duhet të marrin të gjitha vendimet rreth seksit dhe mbrojtjes, edhe kur ata nuk i kanë njohuritë adekuate për këto çështje, dhe gratë nuk duhet të ndihen rehat të provojnë të negociojnë. Si gra të reja, është e rëndësishme të identifikoni kualitetet, të cilat janë të rëndësishme për ju te një partner, të jeni të vetëdijshme për të drejtat tuaja, si dhe të dini cilat sjellje nuk i toleroni. Mbajtja e një lidhjeje të shëndetshme dhe të barabartë kërkon punë nga të dy partnerët. Të dy partnerët duhet të komunikojnë për pritshmëritë e tyre, nevojat dhe dëshirat, si dhe t’i kuptojnë e dëgjojnë dëshirat dhe nevojat e tjetrit.

Lidhje në internet – Video:

Në “Na ishte njëherë një vajzë” (Once Upon a Girl), vajza fillimisht e sheh të dashurin e saj si “Princin e Kaltër”. Si mendoni, ky ideal a kishte ndikuar te lidhja? Në rast se keni vendosur të shfrytëzoni filmat e animuar, sasia e kohës që do t’ju nevojitet është 2 orë mësimi shkollor ose 90 minuta.