1 of 2

Mësimi 3: Normat gjinore dhe programet transformuese gjinore

Për shumë vite, ne kemi bërë supozime lidhur me shëndetin dhe zhvillimin e burrave të rinj. Shumë shpesh kemi supozuar se ata po ja dalin mbanë dhe se ata kanë më pak nevoja sesa gratë e reja. Në raste të tjera, kemi supozuar se është më e vështirë të merremi me ta, se janë më agresivë ose se nuk brengosen për shëndetin e tyre. Ne shpesh i kemi parë ata si autorë të dhunës ndaj burrave tjerë të rinj, ndaj vetes së tyre dhe ndaj grave – pa u ndalur edhe të kuptojnë mënyrat me të cilat shoqëria shpesh dënon përdorimin e dhunës nga burrat e rinj. Hulumtimet dhe pikëpamjet e reja bëjnë thirrje për një të kuptuar më të kujdesshëm të mënyrës se si shoqërohen burrat e rinj, se për çfarë kanë nevojë ata sa i përket zhvillimit të shëndetshëm, dhe se si edukatorët shëndetësorë dhe të tjerët mund t’i angazhojnë ata në mënyra më të përshtatshme dhe më efektive.

Për më tepër, derisa iniciativa të shumta historikisht janë përpjekur që të korrigjojnë pabarazitë gjinore duke fuqizuar gratë, ekziston një konsensus në rritje që promovimi i barazisë gjinore dhe përmirësimi i shëndetit dhe mirëqenies së grave kërkon gjithashtu angazhimin e burrave të të gjitha moshave. Konferenca Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICDP) e organizuar në vitin 1994 në Kajro dhe Konferenca e Katërt Botërore për Gratë e organizuar në vitin 1995 në Pekin siguruan një themel për përfshirjen e burrave në përpjekjet për të përmirësuar statusin e grave dhe vajzave. Programi i Veprimit i ICPD-së, për shembull, synon të “promovojë barazinë gjinore në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë jetën në familje dhe komunitet, dhe të inkurajojë dhe aftësojë burrat të marrin përgjegjësi për sjelljen e tyre seksuale dhe riprodhuese, si dhe rolet e tyre sociale dhe familjare”.

Që nga konferencat e Kajros dhe Pekinit, shumë agjenci të OKB-së, qeveri dhe organizata të shoqërisë civile kanë afirmuar nevojën për të punuar me burra dhe djem. Në vitin 1998, Organizata Botërore e Shëndetësisë vendosi t’u kushtojë vëmendje të veçantë nevojave të djemve adoleshentë, duke pranuar se ata shpesh ishin të neglizhuar në programimin e shëndetit të adoleshentëve. Në periudhën 2000-2001, UNAIDS ua kushtoi burrave dhe djemve Fushatën Botërore kundër SIDA-s, duke pranuar se sjellja e shumë burrave e vë veten dhe partnerët e tyre në rrezik, dhe se burrat duhet të angazhohen në mënyra më të menduara si partnerë në parandalimin e sëmundjes HIV/AIDS dhe mbështetjen e personave që jetojnë me sëmundjen e SIDA-s. Rishtazi, qeveritë nga e gjithë bota bënë një zotim zyrtar në sesionin e 48-të të Komisionit për Statusin e Grave (CSW) në vitin 2004 për të zbatuar një sërë veprimesh për të përfshirë burra dhe djem në përpjekjet për të arritur barazinë gjinore.

Krahas të kuptuarit në rritje se puna me burra dhe djem për t’i sfiduar pabarazitë gjinore mund të ketë ndikim pozitiv në shëndetin dhe mirëqenien e grave dhe vajzave, ekziston edhe një kuptim në rritje i asaj se si idealet e vrazhda të gjinisë dhe maskulinitetit mund të çojnë në cenueshmëri specifike ndër burra dhe djem. Ky realitet dëshmohet nga shkalla më e lartë e vdekshmërisë së tyre nga aksidentet në trafik, shkalla më e lartë e vetëvrasjeve dhe e dhunës nga ta, dhe shkalla më e lartë e përdorimit të alkoolit dhe substancave narkotike nga ta në krahasim me gratë dhe vajzat. Kështu, për hir të mirëqenies së burrave të rinj dhe të grave të reja, është thelbësore që programet të synojnë të përfshijnë një perspektivë gjinore në punën me të rinjtë.

Por, çfarë do të thotë të aplikosh një “perspektivë gjinore” në punën me burra të rinj? Gjinia – për dallim nga seksi – u referohet mënyrave të ndryshme në të cilat burrat dhe gratë shoqërohen për të menduar, për t’u sjellë dhe për t’u veshur; është mënyra se si këto role, zakonisht stereotipie, mësohen, përforcohen dhe ngërthehen. Nganjëherë supozojmë se mënyra se si sillen djemtë dhe burrat është “e natyrshme” – që “djemtë do të mbeten djem”. Megjithatë, rrënjët e shumë sjelljeve të djemve dhe burrave, duke përfshirë edhe nëse ata negociojnë me partneret rreth përdorimit të prezervativit, nëse kujdesen për fëmijët që ata rrisin, ose nëse përdorin dhunë ndaj partneres, gjenden në mënyrën se si janë rritur djemtë. Nuk është e lehtë të ndryshojmë mënyrën se si i rrisim dhe i shohim djemtë. Sidoqoftë, kjo ka potencialin për t’i transformuar marrëdhëniet gjinore, si dhe për t’i zvogëluar shumë prej cenueshmërive shëndetësore dhe sociale me të cilat ballafaqohen si gratë ashtu edhe burrat.
Për sa i përket sjelljeve që kërkojnë kujdes shëndetësor, djemtë shpesh janë rritur ashtu që të jenë më të pavarur, që të mos shqetësohen për shëndetin e tyre dhe të mos kërkojnë ndihmë kur përballen me stresin. Por të qenit në gjendje të flisni për problemet dhe të kërkoni mbështetje është një faktor mbrojtës kundër përdorimit të substancave narkotike, praktikave seksuale të pasigurta dhe përfshirjes në dhunë. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht pse djemtë kanë më shumë të ngjarë se vajzat të përfshihen në dhunë dhe përdorim të substancave narkotike.

Cilat janë normat gjinore? – le të përpiqemi ta kemi këtë si diçka që do ta kujtojmë nga ky kurs online.
Normat gjinore janë standarde dhe pritshmëri të cilat përgjithësisht respektohen nga burrat dhe gratë, në suaza të cilat në atë moment e definojnë një shoqëri, kulturë dhe komunitet. Ato janë ide se si gratë dhe burrat duhet të jenë dhe të veprojnë. Të ngërthyera në fillim të jetës, normat gjinore mund të krijojnë një cikël jetësor të shoqërizimit dhe krijimit të stereotipave.
Qasja transformuese gjinore shqyrton, sfidon dhe ndryshon në mënyrë aktive normat e vrazhda gjinore dhe pabarazitë e fuqisë. Duke shndërruar normat dhe vlerat e dëmshme dhe të pabarabarta gjinore në ato pozitive, ne përmirësojmë të drejtat dhe shëndetin seksual dhe riprodhues (SRHR) të të gjithëve, parandalojmë dhunën në baza gjinore (DHBGJ) dhe rrisim barazinë gjinore. Programet transformuese gjinore janë programe që ndjekin qasjen e përshkruar më lart.