1 of 2

Mësimi 4: Thyerja e heshtjes dhe kërkimi i ndihmës

Qëllimi: Të diskutohet kultura e heshtjes që ekziston në raport me dhunën në familje dhe në një lidhje, si dhe të reflektohet rreth asaj çfarë gratë e reja mund të bëjnë kur ato vetë apo dikush që ato njohin janë në marrëdhënie abuzive.

Materialet e nevojshme: Letër flipçarti, ngjitës dhe lapsa për tabelën.

Koha e rekomanduar: 45 minuta

Shënime për planifikim: Ashtu si edhe aktivitetet e tjera që lidhen me dhunën, është e rëndësishme të hulumtohen mbështetësit ekzistues në komunitet, ku pjesëmarrësit mund të kërkojnë ndihmë kur përjetojnë dhunë në një lidhje. Lista duhet të përfshijë spitalet; klinikat dhe grupet mbështetëse që merren specifikisht me çështjen e dhunës me bazë gjinore apo dhunës në familje; punonjës socialë të rekomanduar, psikologë etj; apo çfarëdo burimi tjetër ekzistues. Nëse është e mundur, krijoni një listë që mund ta shpërndani te pjesëmarrësit në fund të aktivitetit. Përgjatë aktivitetit, kushtojuni vëmendje të lartë reagimeve të pjesëmarrësve dhe vëreni nëse ndokush nga pjesëmarrësit ka nevojë për vëmendje të veçantë, për shkak të temës së ndjeshme.

Procedura:

1. Rishikoni me pjesëmarrësit disa prej shenjave shqetësuese që dikush mund të jetë në një marrëdhënie të dhunshme, ose që ka potencial të bëhet e dhunshme (referojuni seksionit të hyrjes, nëse është e nevojshme).
2. Kërkoni nga pjesëmarrësit të imagjinojnë një individ që përjeton dhunë në marrëdhënie intime ose në familjen e tij, që është duke menduar të flasë më dikë rreth kësaj çështjeje. Kërkoni nga ata që t’i mendojnë dyshimet apo shqetësimet që ky individ mund të ketë, përderisa mendon “ta thyejë heshtjen”. Kërkojuni që të imagjinojnë sfidat që ekzistojnë, kur provon të mbështetësh një person që përjeton dhunë. Thuaju të mendojnë për dyshimet dhe shqetësimet që një person mund të ketë në arritjen drejt një person mbështetës, qoftë ky te një mik, anëtar i familjes, koleg i punës apo fqinj.
3. Hapni një diskutim me pyetjet e mëposhtme:

HAP OPSIONAL: Për grupet me më shumë kohë dhe ato që mund të thellohen më shumë në temë, përdorni fletën burimore. Lexojeni “fletën me fakte” si hyrje dhe pastaj jepini secilit kopje të printuara të “testit” që dëshmon, nëse ata janë në marrëdhënie të dhunshme. Më pas vazhdoni të diskutoni pjesën e mbetur të fletës së fakteve. Ky është një ushtrim jashtëzakonisht i ndjeshëm.

Pyetje për diskutim:

  1. Pse nganjëherë gratë nuk dëshirojnë të flasin për dhunën në jetën e tyre?
  2. A konsiderohet si e pranueshme për një grua që të ndahet nga burri i saj abuziv? A është e lehtë?
  3. Pse dikush vazhdon të qëndrojë në një lidhje abuzive? A janë arsyet e ndryshme te gratë e reja dhe tek ato të rritura? A ndikon varësia ekonomike që gruaja të qëndrojë në një lidhje abuzive? Si?
  4. Në përgjithësi, kur ju jeni i dhunshëm apo kur ju përjetoni dhunë, a flisni rreth kësaj gjëje? A e raportoni? A flisni për mënyrën se si ndiheni? Nëse jo, pse?
  5. A mendoni që burrat në marrëdhënie abuzive përballen me sfida të ngjashme? Pse po dhe pse jo?
  6. Si ndiheni kur një shok apo shoqe juaj, apo dikush që ju njihni, përjeton dhunë? Si mund të flasësh për dhunën nëse je i/e shqetësuar për një shok/shoqe.
  7. Si mund ta ndihmohs nj shok/shoqe qe ka vuajtur nga dhuna ose agresiviteti?
  8. Çfarë hapash mund të marrë dikush që ndodhet në një marrëdhënie abuzie nëmënyrë që tëjetë isigurtë?
  9. Çfarë hapash mund të marrë një invidid në mënyrë që t’i vijë në ndihmë një individi i cili gjendet në një marrëdhënie abuzive?
  10. Çfarë keni mësuargjatë këtij aktiviteti? A keni mësuar diçka që mund ta aplikoni në jetën tuaj dhe marrë dhëniet tuaja?

Përmbyllje:

Mund të jetë shumë e vështirë për gratë që përjetojnë dhunë që të flasin dhe të kërkojnë ndihmë. Disa gra mund të frikësohen se partneri i tyre mund të hakmerret, nëse ajo kërkon ndihmë apo provon të ndahet. Të tjerat mund të ndihen të detyruara që të qëndrojnë në një lidhje abuzive, nëse janë të martuara dhe/ose nëse fëmijët janë të përfshirë. Për disa gra, pasojat ekonomike, nëse ndahen nga një partner, i mundin ato emocionale dhe fizike. Në përgjithësi, ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në mënyrën se si gratë reagojnë ndaj dhunës. Është e rëndësishme të mos gjykohen gratë që nuk largohen nga marrëdhënia, në të cilën përjetojnë dhunë, por të mendohet se si t’iu ofrohet mbështetje këtyre grave, dhe burrave gjithashtu, që t’i kuptojnë pasojat e dhunës dhe rëndësinë e krijimit të komuniteteve ku gratë mund ta jetojnë jetën pa dhunë.

Fletë faktesh:

  • Xhelozia dhe posesiviteti nuk janë shenja të dashurisë, por mjete që njerëzit përdorin për të kontrolluar një partnerin/en.
  • Droga dhe alkooli nuk janë shkaktarëtkryesorë të abuzimit ndaj grave.
  • Përdoren si justifikim, por nuk shkaktojnë dhunë.
  • Personi i abuzuar nuk duhet fajësuar për dhunën. Edhe pse shpesh herë ndodh që faji dhe përgjegjësia kalojnë nga abuzuesi te viktima.
  • Abuzuesit zakonisht nuk duken si persona të neglizhuar apo të denigruar. Ata nuk kanë ndonjë veçori të jashtme që i dallon nga të tjerët. Midis tyre ka njerëz të pasur, të varfër, të shkolluar, të pashkolluar, njerëz nga të gjitha besimet fetare dhe racat.
    95% e rasteve të raportuara të dhunës janë kryer nga burrat.
  • Më shumë se 70% e nënave adoleshente apo grave shtatzëna rrihen nga partnerët e tyre.
  • 71% e sulmeve seksuale janë të paraplanifikuara.
  • Pjesa më e madhe e viktimave të përdhunimit janë të moshës 16-24- vjeçare.
  • 60% e përdhunimeve të raportuara janë kryer nga persona paraprakisht të njohur nga viktima.
  • Nuk është e lehtë të largohesh nga një marrëdhënie abuzive. Personat në marrëdhënie të dhunshme qëndrojnë për arsye të ndryshme, por jo sepse ajo marrëdhënie ‘nuk është aq keq’, apo se viktimat pëlqejnë të jenë viktima të dhunës.
  • Abuzimi mund të ndodhë në të gjitha llojet e marrëdhënieve – heteroseksuale, homoseksuale, shoqërore, etj.
  • Një person asnjëherë “nuk e meriton dhunën” dhe nuk e dëshiron atë, pa marrë parasysh mënyrën se si vishet, sillet, etj.
  • Personat e dhunshëm rrallë ndryshojnë pa ndihmë profesionale.
  • Dashuria nuk mund t’i ndryshojë ata, pa u shoqëruar me ndihmën profesionale.
  • Me kalimin e kohës, dhuna bëhet më e shpeshtë dhe serioze.
  • Pasojat e dhunës janë afatgjata, në aspektin fizik dhe psikologjik.

Çfarë të bëni, nëse një mik/mikeshë është në një marrëdhënie të dhunshme

  • Mos e shpërfillni problemin dhe mos pretendoni se gjithçka është në rregull.
  • Tregoni që nuk është faji i tij/saj.
  • Tregoni që dhuna është shkelje penale.
  • Tregoni që ai/ajo nuk meriton të dhunohet.
  • Dëgjoni atë që miku juaj ka për të thënë, pa e fajësuar apo gjykuar.
  • Tregojeni haptas dhe publikisht mbështetjen dhe besimin tuaj.
  • Thoni gjëra të mira për të si person.
  • Dëshmo që je gjithnjë aty kurdo që ai/ajo dëshiron të flasë dhe gjithashtu tregoni se shqetësoheni për të.
  • Mos shpërndani thashetheme – mund ta vini në rrezik personin në fjalë.
  • Mos tentoni ta detyroni atë të bëjë gjëra që nuk dëshiron t’i bëjë – nuk do të jetë efektive, nëse nuk buron prej tyre apo nëse nuk është vendim i tyre.
  • Mos e fajësoni personin për dhunën që po përjeton apo për vendimet e marra – largimi nga një marrëdhënie është vendim i vështirë dhe zakonisht kërkon kohë për t’u vendosur.
  • Vështroni me vëmendje, nëse personi ka nevojë për ndihmë mjekësore, pasi mund të mos jetë i vetëdijshëm për seriozitetin e ndonjë lëndimi.
  • Ndihmojeni atë të marrë informacion lidhur me dhunën dhe se si të kërkojë ndihmë.
  • Ofrojini mbështetje në kërkimin e ndihmës profesionale dhe tregoni se mund ta shoqëroni, nëse ka nevojë.
  • Inkurajojeni atë që të kërkojë ndihmë dhe mbështetje – nga shoqëria, familje dhe/ose ekspertët apo institucionet.
  • Ndihmojeni atë që t’i njohë opsionet që ka para vetes, për ta zgjidhur situatën në fjalë.
  • Është mirë të pyesni mësimdhënësit, psikologët ose ndonjë të rritur, të cilit i besoni për këshillat e tyre

Si arrin një burrë të ushtojë DHUNË NDAJ GRAVE në afatgjatë?

IZOLIMI
Një burrë që është i dhunshëm, në forma të ndryshme e izolon gruan nga familja, shoqëria dhe bota e jashtme. Izolimi mund të jetë i formave të ndryshme, si ndalja e telefonit, mbyllja e saj brenda ndonjë ambienti, ofendimi i shoqërisë së saj, konfiskimi i dokumenteve.

Momentet e “butësisë”
Një burrë që abuzon mbi gruan ka momente kur është i dashur dhe i butë deri në aktin e ardhshëm të dhunës. I blen asaj lule, parfum, dalin për shëtitje, u blen dhurata fëmijëve, e puth atë. Këto sjellje pozitive dhe premtime e bëjnë gruan që të besojë në ndryshim. Me kalimin e kohës, këto momente fillojnë të jenë më pak të pranishme.

Kontroll i plotë
Qëllimi i abuzuesit është që ta kontrollojë gruan. Një abuzues zakonisht është kontrolluesi kryesor që vendos në të gjitha situatat, kur bëhet fjalë për jetën e gruas. Ai vendos çfarë duhet të bëjë ajo, kur dhe çfarë të flasë, çfarë të mendojë, kur të bëjë thirrje telefonike, sa pará i duhen asaj. Ky kontroll shpeshherë paraqitet nga ai si dashuria dhe kujdesi i tij ndaj saj.

Kërcënimi
Kërcënimi është njëra nga teknikat më të suksesshme të kontrollit. Abuzuesi arrin të ushtrojë kontroll, duke e kërcënuar dhe frikësuar vazhdimisht viktimën: Do të të djegë flokët, do të të hedhë nga çatia, do që të presë në copëza, do që të gjejë kudo nga shkon. Shpeshherë këto kërcënime janë të lidhura më fëmijët ose me ndonjë të afërm të viktimës: prindërit, vëllezërit, motrat.

PSE QËNDRON GRUAJA ME PARTNERIN E SAJ TË DHUNSHËM?

  • Sepse askush nuk e mbështet atë.
  • Sepse askush nuk e beson.
  • Sepse të tjerët fajësojnë atë.
  • Sepse procedurat ligjore marrin shumë kohë.
  • Sepse ajo frikësohet nga partneri i saj i dhunshëm.
  • Sepse nuk ka të ardhura të mjaftueshme.
  • Sepse nuk ka ku të shkojë.
  • Sepse ka fëmijë.
  • Sepse ka frikë se ai do t’ia marrë fëmijët.
  • Sepse turpërohet nga ajo që njerëzit mund të mendojnë për të.
  • Sepse është emocionalisht e varur nga partneri.
  • Sepse ajo kujdeset për abuzuesin.
  • Sepse ajo beson që gjërat do të bëhen më mirë.

Puna dhe përfshirja në komunitet

Vajzat dhe puna
Njëra nga arritjet më të mëdha në përpjekjen për barazi gjinore ka qenë rritja e pjesëmarrjes se grave në fuqinë punëtore. Përderisa shkalla e lindjeve është ulur dhe niveli i edukimit është rritur, gratë kanë pasur mundësi të kenë role shtëpiake dhe profesionale, shpeshherë duke i balancuar ato në të njëjtën kohë. Në kuadër të fuqisë punëtore, ato e kanë zgjeruar përfaqësimin e tyre në sektorë të ndryshëm: tradicionalisht të punësuara si infermiere, shërbyese shtëpiake dhe mësimdhënëse, gratë tani janë të punësuara edhe si kirurge, teknike të kompjuterëve dhe në profesione tjera që më parë kanë qenë dominuar nga burrat. Edhe pse është e rëndësishme të njihen e të përshëndeten këto arritje, gratë ende përballen me pengesa të shumta; për vajzat, këto sfida zakonisht gërshetohen me mungesë të përvojës profesionale dhe me nevojën për të balancuar shkollën dhe punën (nganjëherë edhe amësinë).

Rëndësia e punësimit të grave të reja

Tranzicioni i një personi nga rinia te pjekuria është kryesisht një kalim nga gjendja e varësisë te një gjendje pavarësie (Curtain 2001). Puna me pagesë i ndihmon vajzat që të kenë pavarësi dhe kontroll në jetë dhe te vendimet e tyre (PC dhe ICRW 2000; Mensch dhe të tjerë 1999). Puna me pagesë gjithashtu stimulon përmbushjen e individit dhe arritjen e një statusi më të mirë shoqëror e, në të njëjtën kohë, zhvillon shkathtësitë profesionale e personale, të cilat janë të rëndësishme në arritjen e një adoleshence dhe pjekurie produktive e të kënaqshme. Për vajzat në veçanti, puna me pagesë paraqet mundësinë që të dalin nga rolet tradicionale si femra dhe kujdestare për shtëpinë dhe lejon që ato të zhvillojnë identitete përtej rolit si grua apo fëmijë (Mensch dhe të tjerë 1999). Në të njëjtën kohë, kjo nënkupton që një jetë e pavarur është një element i rëndësishëm që gratë të kenë fjalën e tyre në martesë dhe vendimet për riprodhim.

Historikisht, diskutimi rreth të rinjve dhe punësimin është përqendruar te shqetësimet për punën e fëmijëve. Në fillesat e vitit 1900, komuniteti ndërkombëtar ka krijuar marrëveshje për formimin e disa konventave që e ndalojnë punën e fëmijëve. Në vitin 1973, marrëveshjet ndërkombëtare i rregulluan këtë çështje, duke caktuar moshën minimale për punë, e cila është edhe mosha kur shkollimi minimal përfundohet (rreth 15 vjeç, në shumicën e shteteve) dhe që të rinjtë nën moshën 18-vjeçare nuk duhen lejuar të punojnë në sektorë që rrezikojnë shëndetin e tyre, sigurinë apo moralin. Si shtesë e gjithë këtyre konventave, UNIVEF dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës kanë zhvilluar rregullativa të tjera për t’i mbrojtur të rinjtë në vendin e punës, kanë marrë pozicion të qartë, për sa u përket “formave më të këqija të punës së fëmijëve”, me një apel të veçantë për mbrojtjen e vajzave. Duke qenë që gjithë këto veprime kanë pasur qëllime pozitive, ato kanë pasur edhe disa anë të dëmshme. Shtimi i rregullores ka rezultuar në refuzimin e të rinjve që dëshirojnë/kanë nevojë për punë nga shumë sektorë punësimi. Si pasojë, vendet e punës që të rinjtë e kanë më të lehtë të gjejnë janë ato që qëndrojnë të paligjshme, gjë që i rrit gjasat që ata të ekspozohen ndaj situatave të rrezikshme gjatë punës, ku të drejtat e tyre dhe mirëqenia e tyre mund të rrezikohen.