1 of 2

Mësimi 5: Marrëdhënia e shëndetshme dhe ajo e pashëndetshme

Në këtë mësim do të flasim për marrëdhëniet e shëndetshme dhe ato të pashëndetshme dhe lidhur me atë se çfarë strategji duhet të përdorin të rinjtë për të krijuar marrëdhënie pozitive dhe të shëndetshme me partnerët e tyre. Në mënyrë që të fillojmë së pari do të theksojmë se si duket një marrëdhënie e pashëndetshme. Ajo është marrëdhënie në të cilën njëri prej partnerëve përdor sjellje kërcënuese ose të dhunshme për të marrë atë dëshiron nga partneri tjetër, duke mos u brengosur për partnerin por vetëm për gjënë që dëshiron ta marrë ose ta arrijë. Gjithashtu është një marrëdhënie ku njëri prej partnerëve përdor përçmime ose shikime të ashpra për ta trembur partnerin tjetër, luan lojëra nervash (mind gamës) të cilat partnerin tjetër e bëjnë konfuz ose shumë të stresuar. Është një marrëdhënie ku njëri nga partnerët ndihet i izoluar nga miqtë, familja dhe aktivitetet që dëshiron t’i bëjë, por gjithashtu përdor një qasje fajësimi për ta kontrolluar partnerin në mënyrë që të arrijë qëllimet e veta. Po ashtu, është një marrëdhënie ku njëri nga partnerët përpiqet të sikletojë partnerin, sidomos para miqve, i merr të gjitha vendimet në marrëdhënie, përdor xhelozinë për t’i justifikuar veprimet e tij dhe dëshiron që gjatë gjithë kohës të jetë së bashku dhe nuk i jep kohë partnerit që të kalojë ca kohë me miqtë e tjerë ose familjen. Dhe nëse flasim vetëm për marrëdhënien intime, ajo është një marrëdhënie ku njëri prej partnerëve detyron partnerin në marrëdhënie seksuale dhe nuk pranon të përdorë metoda për marrëdhënie seksuale më të sigurta, por gjithashtu nuk dëshiron të dëgjojë partnerin të flasë për këto gjëra. Edhe nëse vetëm një nga gjërat që i kemi theksuar veprohet nga njëri partner në një marrëdhënie, ajo marrëdhënie nuk duhet të konsiderohet si e shëndetshme, dhe duhet të vihet në dyshim nëse duhet të vazhdojë ose jo. Të rinjtë përballen me këto lloje të marrëdhënieve dhe janë në rreziqe serioze të abuzimeve të ndryshme në marrëdhënie, të cilat jo gjithmonë janë të dukshme për personat përreth dhe mund të çojnë në dhunë familjare ose seksuale. Në vazhdë të këtij teksti mund të shihni llojet e abuzimeve me të cilat mund të përballen të rinjtë në marrëdhënie të pashëndetshme. Këto lloje i kemi ndarë në 6 fusha. Kemi abuzimin fizik si: shtytja, sulmimi, goditja, shkelmimi, kafshimi, tërheqja e flokëve, hedhja, shkelja, prerja, tërheqja, grushtimi, ngulfatja, përdorimi i një arme, pengimi për të fjetur etj., abuzimin verbal si: komunikim agresiv/i detyrueshëm, mosafirmimi, thirrja me emra/etiketimi, detyrimi për të heshtur, mosdhënia e të drejtës për të folur, etj., abuzimin ekonomik si: kontrollimi i parave të dikujt pa pëlqimin e tij/saj, marrja e çekut të rrogës së një personi, zhvatja, kalimi i kohës me një person vetëm për shkak të parave që posedon etj., abuzimin emocional si: përçmimet, thirrja me emra siç janë budalla, shëmtirë, i/e trashë, i/e çmendur etj., përdorimi i lojërave me nerva, të bërit dikë që të ndihet i/e çmendur, dhe të ndihet gjithmonë se e ka gabim, përçmimi ndaj dikujt, mosrespektimi i privatësisë etj., frikësimi i partnerit, sikurse taktikat e frikësimit, frika nga vdekja/lëndimi, thashethemet, kërcënimi se do t’i tregojnë familjarëve dhe shoqërisë, përdorimi i objekteve, etj., abuzimin me izolim si: xhelozia, të ndaloheni për të dalë jashtë, për t’u punësuar, për të shkuar në shkollë, për të parë familjen dhe shoqërinë, frikësimi i familjes dhe shoqërisë tuaj në mënyrë që të mos ju shohin më, e kështu me radhë. Këta janë vetëm disa shembuj të abuzimit që mund të ndodhin në një marrëdhënie. Problemi më i madh është që nëse personi nuk flet për këto abuzime, shumë prej tyre, nëse ndodhin, mbeten të padukshme për një kohë të gjatë. Nëse duam ta parandalojmë këtë, ne duhet t’ua mësojmë të rinjve se si të krijojnë dhe mirëmbajnë marrëdhënie të shëndetshme me partnerët e tyre dhe të fuqizohen për të folur në rast se diçka e keqe u ndodh atyre ose miqve të tyre. Pasi që kemi paraqitur shumë shembuj të marrëdhënieve të pashëndetshme, tani do t’u përgjigjemi pyetjes se si duket një marrëdhënie e shëndetshme. Lehtësisht mund të themi se është e kundërta e një marrëdhënie të pashëndetshme dhe shumë më tepër se kaq. Është një marrëdhënie në të cilën personi mund të ndajë ndjenjat dhe nevojat e veta me partnerin, të dy janë njëjtë të përkushtuar në marrëdhënie me shkallë të lartë të mbështetjes ndaj partnerit, ata mund të lejojnë që partneri i tyre të ketë shoqëri tjetër dhe të mos e ndjejnë nevojën për ta kontrolluar atë, ata janë të gatshëm të bëjnë kompromis në marrëdhënie me gjërat e përditshme, dhe kur merren vendime të rëndësishme, ata nuk harrojnë se kush janë, dhe gjithashtu respektojnë veten e tyre, ndajnë sistemin bazë të vlerave, kanë qëllime të përbashkëta dhe një ndjenjë drejtimi, mund të ndajnë historinë e tyre seksuale tek njëri partner, por gjithashtu duke respektuar kufijtë e njëri-tjetrit në aspektin seksual, ata mund të thonë jo për seks nëse nuk janë në atë disponim në atë moment dhe partneri do të respektojë këtë, dhe gjithashtu ata praktikojnë metoda për marrëdhënie seksuale të sigurta. Kjo është diçka të cilën duhet ta mësojnë të rinjtë dhe mënyra më e mirë është që ta mësojnë këtë nga ju si edukatorë ose nga miqtë e tyre. Prandaj të qenit një shembull pozitiv për t’u ndjekur ësht] shumë e rëndësishme për të rinjtë në këtë rast. Për të përmbyllur këtë ligjëratë do t’u japim disa këshilla thelbësore të cilat mund t’ua përcillni të rinjve që të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme. Duhet të jeni të barabartë me partnerin tuaj dhe të respektoni parimet e barazisë në të gjitha çështjet, duhet t’i ofroni partnerit tuaj siguri fizike, rehati, respekt seksual, ndjenjën e pavarësisë, duhet të përdorni humorin dhe ta bëni partnerin të qeshë, të keni respekt të ndërsjellë ndaj njëri tjetrit, t’i besoni partnerit, të jeni të sinqertë, të mbështetni partnerin tuaj në kohë të mira dhe të këqija, të jeni të drejtë ndaj partnerit tuaj dhe të mbani komunikim të mirë me njëri tjetrin.

Faleminderit që dëgjuat ligjëratën numër 5: Marrëdhënia e shëndetshme dhe ajo e pashëndetshme.