1 of 2

Mësimi 1: Presioni i bashkëmoshatarëve

Së pari të përcaktojmë se kush janë bashkëmoshatarët. Bashkëmoshatarët janë njerëz me të cilët ju shoqëroheni ose që janë të moshës së njëjtë, apo që kanë interesa të ngjashme. Bashkëmoshatarët mund të jenë njerëz me të cilët shkoni në shkollë, punoni ose i takoni në ndonjë event. Presioni nga bashkëmoshatarët është kur ju ndikoheni nga njerëz të tjerë për të vepruar në mënyrë të caktuar. Presioni i bashkëmoshatarëve, varësisht prej ndikimit që ju vjen juve si person dhe mënyrës se si ndërvepron me jetën tuaj, mund të jetë negativ por edhe pozitiv. Ne mund ta ndajmë atë në 4 lloje të ndryshme të presionit të bashkëmoshatarëve: refuzimit, përçmimet, arsyetimi dhe presioni jo i shprehur.

Faza e rritjes është gjithmonë e vështirë për të rinjtë. Ajo është periudhë e jetës në të cilën ne mundohemi të përcaktojmë se kush jemi, dhe ndonjëherë rrethi jonë di të jetë pak i vështirë. Për disa djem dhe vajza të reja kjo mund të nënkuptojë përcaktimin e vetvetes si nxënës i mirë, atlet sportiv, person fetar, artist ose mbase ekspert kompjuteri. Por jo çdo herë ndodh kështu. Disa prej tyre mund ta përkufizojnë veten si ngacmues ose viktima të ngacmimit. Presioni i bashkëmoshatarëve ka rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin e identitetit tonë gjatë rritjes. Disa të rinjve, të qenit anëtar i grupeve të organizuara të bashkëmoshatarëve, siç janë bandat, mund t’ua japë ndjenjën e përkatësisë, të cilën ata nuk janë në gjendje ta gjejnë në vende tjera, dhe për disa kjo mund të nënkuptojë një mënyrë për të kaluar nëpër fazën e rinisë. Presioni i bashkëmoshatarëve është mjaft shumë i lidhur me ndikimin e bashkëmoshatarëve, ose ndikimin shoqëror për të adoptuar sjellje, veshje ose qëndrime të caktuara në mënyrë që të pranohen si pjesë e grupeve të bashkëmoshatarëve. Në kohën e adoleshencës, ka shumë gjasë që të keni përjetuar efektet e ndikimit të bashkëmoshatarëve në disa fusha të ndryshme, duke filluar nga mënyra e veshjes e deri tek muzika që dëgjoni. Të rinjtë duan të përshtaten në shoqëri dhe për këtë arsye ata bëjnë gabime si pasojë e presionit të bashkëmoshatarëve ose si pasojë e ndikimit të bashkëmoshatarëve, në përpjekje për t’u pranuar nga të tjerët. Shumica prej tyre nuk duan t’i bëjnë gjërat që i bëjnë, por thjesht është e vështirë që t’i thonë “jo” bashkëmoshatarëve të tyre. Ju mund të kujtoni fëmijërinë tuaj dhe momentin e parë që ju bie ndër mend kur bashkëmoshatarët tuaj ju kanë thënë, për diçka që e pëlqenit shumë, se ajo është e keqe. Në atë moment, a jeni konfrontuar me ta apo keni qëndruar indiferent për shkak se nuk keni dashur që ta dinë se ju e pëlqeni atë që konsiderohej e keqe? Apo kohën kur ata ju kanë thënë të pini pije alkoolike dhe se gotat e para nuk do të kenë efekt, por në realitet ju jeni dehur shumë dhe ndoshta është dashur edhe të shkoni në spital si pasojë e saj. Gjëja e parë që ju duhet për t’i rezistuar presionit të bashkëmoshatarëve është të mësoheni të thoni “jo” për gjërat që mund të kenë efekt negativ tek ju. Ajo që ne, si edukatorë, duhet të bëjmë për t’i ndihmuar të rinjtë është që t’i fuqizojmë ata dhe t’i mësojmë se mbi cilat modele të ndërtojnë identitet të fortë dhe të fitojnë aftësi cilësore dhe për mënyrat e njohjes së personave me ndikim të keq rreth tyre, në mënyrë që të marrin vendime pozitive lidhur me jetën e tyre. Megjithëse mund të jetë e vështirë për adoleshentët që t’i rezistojnë ndikimit të bashkëmoshatarëve, ky ndikim mund gjithashtu të ketë efekt pozitiv. Ashtu siç njerëzit mund të ndikojnë tek të tjerët në zgjedhje negative, ata në të njëjtën mënyrë mund të ndikojnë tek të tjerët për zgjedhje pozitive. Adoleshentët mund t’i bashkohen një projekti vullnetar ngaqë të gjithë miqtë e tyre janë në të, ose mund të marrin nota të mira sepse grupi shoqëror ku gjenden mendon se marrja e notave të mira është e rëndësishme. Në fakt, shokët apo shoqet shpesh inkurajojnë njëri-tjetrin për të mësuar, për të provuar sporte të reja ose për të ndjekur fusha të reja artistike. Në këtë mënyrë, ndikimi nga bashkëmoshatarët mund të bëjë që adoleshentët të përfshihen në aktivitete të reja që mund të ndihmojnë në krijimin e shtigjeve të mira për ta. Ndikimi pozitiv i bashkëmoshatarëve është diçka që duam ta arrijmë duke punuar me të rinjtë në sfidimin e normave negative sociale.