1 of 2

MODULI 4 – VITI 1 – ZHVILLIMI I IDENTITETIT– KUSH JAM UNË, KUSH JE TI? – Gjysmëvjetori i parë: Identiteti, arsyeja, ndjenjat, gjinia dhe normat gjinore

Hyrje në modulin 4: Viti I

Viti i parë përmban aktivitete që inkurajojnë reflektimin kolektiv mbi temat themelore të Programit Y, duke përfshirë mënyrën sesi ndërtimi social i gjinisë ndikon në jetën e burrave të rinj dhe grave të reja dhe të tjerëve, marrëdhëniet ndërmjet gjinisë dhe fuqisë, si dhe konceptet e barazisë, fuqizimit dhe të drejtat e njeriut.
Që në moshë të re, djemtë dhe vajzat zhvillojnë ndjenja të forta rreth mënyrave të ndryshme të sjelljes që priten nga ta dhe në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin. Vajzat mund të mësojnë se ato vlerësohen për pamjen dhe bindjen e tyre, jo për mendimin ose pavarësinë e tyre. Djemtë, nga ana tjetër, mund të mësojnë se burrat “e vërtetë” gjithmonë duhet të jenë të fortë dhe të mbajnë gjithçka nën kontroll. Këto ideale se si duhet të sillen burrat dhe gratë quhen norma gjinore dhe mësohen nga burrat dhe gratë, familja, bashkëmoshatarët, media dhe komuniteti përmes një procesi të quajtur shoqërizim.

Çështja e gjinisë është thelbësore për të kuptuar cenueshmërinë e të rinjve, veçanërisht në lidhje me seksualitetin dhe shëndetin. Në shumë mjedise, normat e rrepta socio-kulturore mbizotërojnë diskutimet rreth seksualitetit të vajzave, veçanërisht në lidhje me ruajtjen e virgjërisë deri në martesë dhe numrin e partnerëve seksualë. Puberteti mund të tërheqë vëmendje të madhe në aftësinë e vajzave për të riprodhuar dhe në disa kultura mund të tregojë një periudhë të një përjashtimi më të madh shoqëror, duke i kushtuar vëmendje më të madhe lëvizjeve jashtë shtëpisë dhe mbrojtjes nga djemtë. Në mesin e burrave të rinj, nga ana tjetër, përvoja seksuale shpesh shoqërohet me hyrjen në burrëri dhe ajo mund të shihet në mesin e moshatarëve si një shembull i aftësisë seksuale ose arritjes e jo si një veprim intimiteti.

Ndërsa normat gjinore mund të ndryshojnë në varësi të aspekteve kulturore të mjedisit, modele të ngjashme formësojnë qasjen e grave dhe burrave në burimet ekonomike dhe sociale dhe fuqinë e tyre vendimmarrëse në të gjithë botën. Në shumicën e mjediseve, burrat janë përgjegjës për aktivitete prodhuese jashtë shtëpisë (p.sh. punë me pagesë), ndërsa gratë janë përgjegjëse për aktivitete riprodhuese dhe prodhuese në shtëpi (p.sh. kujdesi për fëmijët dhe punët e shtëpisë). Fakti që gratë në përgjithësi kanë më pak qasje dhe më pak kontroll mbi burimet prodhuese kufizon fuqinë e tyre vendimmarrëse si në sferën publike, ashtu edhe në atë private.

Viti i parë i punës me të rinjtë përmes punëtorive edukative është i ndarë në 2 semestra. Semestri i parë ka titullin: “Identiteti, arsyeja, ndjenjat, gjinia dhe normat gjinore” dhe përfshin këto punëtori: “Çfarë është kjo gjëja që ne e quajmë gjini?”, “Vepro si burrë, vepro si grua”, “Shprehja e ndjenjave personale”, “Çfarë do të doja të bëja me jetën time? Si jam i ndikuar nga të tjerët?” dhe “Historia e dashurisë”.
Semestri i dytë titullohet: “TA LARGOJMË DHUNËN! (VIOLENCE ISO UT!) Nga dhuna në bashkëjetesë paqësore”, dhe disa nga punëtoritë që mbulon janë: “Çfarë është dhuna?”, “Të kuptuarit e ciklit të dhunës”, “Etiketimi”, “Çfarë është dhuna seksuale?”, “Fuqia dhe marrëdhëniet”.