1 of 2

Mësimi 4: Çka janë të drejtat seksuale dhe riprodhuese?

Qëllimi: Të diskutojmë domethënien e të drejtave seksuale dhe riprodhuese, si dhe rëndësinë që ato kanë në jetën e grave dhe burrave

Koha e rekomanduar:90 minuta

Planifikim: Është e zakonshme që çështja e abortit të diskutohet si pjesë e shtatzënisë së paplanifikuar. Kjo mund të jetë një temë shumë e nxehtë dhe përçarëse, si dhe është e rëndësishme që moderatori mos të përpiqet t’i imponojë vlerat e veta ose të mbajë anët, por më tepër të përqendrohet në kontekstin e shëndetit dhe të drejtave të njeriut. Udhëheqësi duhet të jetë gjithashtu i përgatitur të merret edhe me pyetjet dhe keqkuptimet që pjesëmarrësit mund t’i kenë në lidhje me ndërprerjen e shtatzanisë, dhe të japin informacione mbi statistikat, ligjet dhe shërbimet lokale.

Procedura:

1. Para sesionit, përgatisni një kopje të fletë burimeve, prijini drejt në copëza dhe bëjini gati për t’i shpërndarë. Vizatoni katër kolona në letër të madhe dhe shkruani titujt vijues: E drejta seksuale dhe riprodhuese; P (për Pajtohem); +/- (për Pajtohem Deri Diku); NP (për Nuk Pajtohem).
2. Shpjegojani grupit që ju do flisni për të drejtat seksuale dhe riprodhuese, të drejta këto që njëkohësisht janë pjesë e të drejtave të njeriut.
3. Ndajini pjesëmarrësit në grupe më të vogla dhe shpërndajuni copëzat e letrës. Për grupet që manifestojnë nivel të ulët të leximit, lexoni me zë rregullat e shkruara në copëzat e letrës.
4. Shpjegojani secilit grup se ata kanë pranuar copëza që përmbajnë të drejta të ndryshme seksuale e riprodhuese dhe që ata duhet të diskutojnë se çfarë kuptojnë nga ato rregulla. Ata duhet të diskutojnë, nëse Pajtohen (A), Pajtohen Deri diku (+/-) apo Nuk Pajtohen (NP), që e drejta e paraqitur në letër respektohet në komunitet. Ofroni 10 minuta hapësirë kohore për këto diskutime
5. Ftojini të gjitha grupet të prezantojnë rregullat, për të cilat ata janë pajtuar se respektohen në komunitet, për ato që janë pajtuar deri diku dhe për ato që nuk janë pajtuar se respektohen. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelën e letrave. Pyetini pjesëmarrësit, nëse pajtohen me përgjigjen. Përdorni të njëjtat pyetje për të diskutuar mbi rëndësinë e të drejtave seksuale e riprodhuese në jetën e grave dhe burrave.

Pyetje për diskutim:

  1. A respektohen të drejtat seksuale e riprodhuese në komunitetin tuaj? Nëse jo, cilat të drejta janë më të shkelura? Pse ndodh kjo?
  2. A mendoni se gratë dhe burrat kanë të drejta të njëjta? Pse po ose jo?
  3. A mendoni se djemtë dhe burrat kanë të drejta të njëjta? Pse po ose jo?
  4. A mendoni se gratë dhe burrat kanë të drejta të njëjta seksuale e riprodhuese? Pse po ose jo?
  5. A duhet të lejohet një grua e re kryejë ndërperje shtatëzanie, nëse nuk posedon njohuri për këtë çështje apo pa aprovim nga kujdestarët e saj?
  6. A respektohen të drejtat seksuale e riprodhuese të djemve në komunitetin tuaj? Nëse jo, cilat të drejta seksuale e riprodhuese u shkelen më së shpeshti djemve në komunitetin tuaj? Pse ndodh kjo?
  7. Cilat janë pengesat më të mëdha, me të cilat ballafaqohen gratë, për sa i përket mbrojtjes së të drejtave seksuale e riprodhuese të tyre?
  8. A ka paragjykim, nëse dikush shkon te gjinekologu apo urologu? A ndihen gratë dhe burrat në siklet, nëse shkojnë? Pse?
  9. Gratë dhe burrat në lidhje intime, si mund t’i respektojnë të drejtat seksuale e riprodhuese të njëri- tjetrit?
  10. Cilat institucione apo asociacione në komunitetin tuaj ofrojnë shërbime për mbrojtjen e të drejtave seksuale dhe riprodhuese të grave të reja?
  11. Çfarë keni mësuar nga ky aktivitet? A keni mësuar ndonjë gjë që vlen apo mund të zbatohet në jetën apo lidhjen tuaj?

Përmbyllje:

Të drejtat seksuale e riprodhuese janë të drejta fondamentale të njeriut dhe, si të tilla, u takojnë burrave dhe grave të të gjitha moshave. Këto të drejta përfshijnë të drejtën për të marrë vendime të pavarura për jetën seksuale e riprodhuese, liri nga presioni apo dhuna, të drejtën për informacion dhe metodat e duhura për të marrë vendime të sigurta e të shëndetshme në këtë fushë. Ne kemi të drejtë të vendosim për trupin tonë dhe shteti është përgjegjës për të garantuar kushtet e nevojshme që mundësojnë ushtrimin e lirshëm të këtyre të drejtave.

Fëmijët, adoleshentët dhe erotizmi

Idealizimi i rinisë dhe trupit të femrës (shpeshherë me konotacion erotik) është ende i pranishëm nëpër media. Vajzat mund të ndjejnë se duhet të sillen seksualisht dhe/apo të vallëzojnë në mënyrë erotike, por ato nuk mësohen ta mbrojnë veten kur ballafaqohen me ngacmim ose fyerje seksuale. Është e rëndësishme që ata që janë përgjegjës për fëmijët të jenë të vëmendshëm dhe t’i mësojnë fëmijët e tyre se si të vërejnë, nëse janë të rrezikuar ndaj eksploatimit apo edhe se si ta mbrojnë veten.

Fleta burimore

Të drejtat seksuale dhe riprodhuese

1. E drejta e të jetuarit të seksualitetit pa frikë, turp, besime të paqena apo ndonjë pengesë tjetër në ushtrimin e lirë të dëshirës. Njerëzit e të gjitha moshave kanë të drejtë të përjetojnë dhe të kërkojnë kënaqësi seksuale.
2. E drejta e të ushtruarit e potencialit të plotë seksual, me përjashtim të çfarëdo forme të presionit, eksploatimit apo abuzimit seksual, në çfarëdo kohë apo situatë. Çdokush ka të drejtë ta shprehë seksualitetin, pa përjetuar dhunë dhe pa qenë i shtyrë me forcë që të bëjë ndonjë veprim.
3. E drejta e zgjedhjes së partnerit seksual pa diskriminim. Çdo person ka të drejtë të zgjedhë partnerin e tij, pa vuajtur nga ndonjë diskriminim.
4. E drejta për të respektuar integritetin e trupit. E drejta e zotërimit të trupit tuaj dhe e respektimit të tij, si dhe e drejta e të mos qenit i shtyrë me forcë për të bërë apo përjetuar diçka që nuk dëshiron, për shembull, prekja e organeve gjenitale.
5. E drejta e të qenit dhe të mos qenit seksualisht aktiv, duke përfshirë të drejtën e përfshirjes në marrëdhënie seksuale me pajtueshmërinë e të gjitha palëve, apo ajo e hyrjes në martesë me pajtim të plotë të të dyja palëve. E drejta e të mos qenit i shtyrë me forcë për të hyrë në martesë apo në marrëdhënie seksuale me dikë.
6. E drejta e të qenit i lirë dhe autonom, për të shprehur orientimin seksual. Çdo person ka të drejtë të jetë mashkull apo femër.
7. E drejta e shprehjes së seksualitet në mënyrë të pavarur nga riprodhimi. Çdo femër ka të drejtë të kryejë marrëdhënie seksuale pa dashur të mbesë shtatzënë
8. E drejta për barazi, respekt dhe përgjegjësi në raportet seksuale. Meshkujt dhe femrat kanë të drejta dhe përgjegjësi të barabarta në raportet seksuale.
9. E drejta e insistimit për të praktikuar seks të sigurt, për të shmangur shtatzëninë dhe për të parandaluar infeksionet seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV-in. Secili person mund të kërkojë përdorimin e kondomëve, që të parandalojë infeksionet seksualisht të transmetueshme apo të parandalojë shtatzëninë.
10. E drejta për të vendosur lirshëm dhe me përgjegjësi numrin, kohën dhe hapësirën për të pasur fëmijë. Njerëzit mund të vendosin, nëse duan të kenë fëmijë dhe sa duan të kenë.
11. E drejta për informacion dhe mjetet e nevojshme, për të bërë vendime. Njerëzit duhet të kenë informacion që të vendosin më së miri për veten.
12. E drejta për shëndet seksual, gjë që kërkon qasje në të gjitha llojet e shëndetit cilësor seksual, informacionit, edukimit dhe shërbimeve konfidenciale. E drejta për informacion dhe shërbime konfidenciale.