1 of 2

Mësimi 3: Intervenimi i soditësve (ang. “bystanders”)

Intervenimi i soditësit është model i shkencës sociale që parashikon mundësinë e individëve (ose grupeve) të gatshëm për të adresuar në mënyrë aktive një situatë që ata e gjykojnë problematike. Një soditës është kushdo që vëzhgon ndonjë situatë. Të gjithë vëzhgojmë mijëra incidente në ditë, por zakonisht nuk e shohim situatën si të nevojshme për të reaguar. Ekzistojnë soditës pasivë dhe soditës aktivë. Soditësi pasiv është ai që nuk reagon fare. Kurse soditësi aktiv është dikush që mund ta vërejë një situatë problematike dhe zgjedh si të reagojë. Ata duhet të vendosin nëse do të flasin, të ndërhyjnë apo të ofrojnë ndihmë. Ne duhet ta përqendrojmë punën tonë në ndërhyrjen e vëzhguesit, nëse duam të parandalojmë dhunën. Ndërhyrja e vëzhguesit është filozofi dhe strategji për parandalimin e formave të ndryshme të dhunës, përfshirë ngacmimin, ngacmimin seksual, abuzimin seksual dhe dhunën ndaj partnerit intim.

Vëzhguesit janë individët që vëzhgojnë dhunën apo janë dëshmitarë në kushtet që mbështesin dhunën. Ata nuk janë drejtpërsëdrejti të përfshirë, por kanë mundësinë që të ndërhyjnë, të flasin, të bëjnë diçka. Ata janë të pranishëm e kështu janë në pozitë që të dekurajojnë, të parandalojnë apo të ndalojnë incidentin. Vëzhguesit janë të pranishëm/dëshmitarë të situatave të dhunshme – janë shokë të viktimës dhe/ose të dhunuesit, janë nxënës tjerë, anëtarë të ekipit, fqinjë etj. Vëzhguesit janë ‘audienca’ – ngacmuesit shpeshherë i përdorin viktimat e tyre dhe situatat e dhunshme për të treguar fuqinë dhe superioritetin e tyre në grup. Prandaj, dhuna bashkëmoshatare zakonisht ndodhë kur ka audiencë – aty për aty ose në internet (offline dhe online).

Si reagojnë vëzhguesit? Shumica prej tyre nuk bëjnë ndonjë gjë. Ata në mënyrë pasive e pranojnë ngacmimin, pra pranojnë ta shohin atë dhe të mos bëjnë ndonjë gjë për ta ndaluar atë. Ata janë audiencë e ngacmuesit dhe në heshtje ia lejojnë ngacmuesit që të vazhdojë me sjelljet abuzive. Ata ndihen të pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë, duke pasur frikë që nëse bëjnë diçka edhe ata vetë mund të shndërrohen në viktima. Disa prej tyre mbështesin ngacmuesit – i inkurajojnë ata duke qeshur, duke bërë tifo apo duke dhenë komente. Disa prej tyre i bashkohen ngacmimit. Ata duan të mirëmbajnë pozitën e tyre në hierarkinë e grupit dhe duan të jenë në anën fituese. Disave nuk u pëlqen apo nuk mbështesin dhunën dhe ndihen keq për sjelljen e tyre. Disa luajnë rol kyç në parandalimin dhe ndalimin e ngacmimit – ata ndërhyjnë drejtpërsëdrejti duke shpërqendruar ngacmimin, duke kërkuar ndihmë ose duke ndihmuar viktimën. Ata kryesisht udhëhiqen nga një ndjenjë e përgjegjësisë për të bërë diçka.

Një hulumtim ka zbuluar që njerëzit kanë vështirësi të përcaktohen nëse ofrimi i ndihmës është nën përgjegjësinë e tyre. Ky koncept, i quajtur ngurrimi për marrjen e përgjegjësisë, nënkupton që nëse disa njerëz janë të pranishëm, një individ ka shumë më pak gjasa të ofrojë ndihmë pasi beson se dikush tjetër do ta bëjë këtë. Në situata të tjera, soditësit mund të mos ndërhyjnë nëse situata duket të jetë e paqartë dhe soditësi brengoset nga keqkuptimi i situatës. Nga frika e pasojave, stigmës sociale, sikletosjes, apo edhe e kërcënimit për sigurinë, me të drejtë mund të jetë e vështirë të përcaktohet se si, dhe kur të ndërhyhet.

Për të folur për ju dhe për situatat me të cilat jeni ballafaquar gjatë jetës suaj, përpiquni të mendoni lidhur me disa prej këtyre pyetjeve:
A keni ndalur ndonjëherë ndonjë shok nga shkuarja në shtëpi me dikë kur ka qenë shumë i dehur? A keni dërguar ndonjëherë ndonjë shok në Kujdesin Urgjent apo jeni kujdesur për të gjatë asaj nate për shkak se e dinit se ishte shumë i dehur që të lihej vetëm? A keni ndërhyrë kur keni vërejtur se dikush po ngacmohet? A i keni thënë ndonjëherë mësimdhënësit që të mos sillet ashtu me shokun tuaj?
Të gjithë këta janë shembuj të të qenët soditës aktiv.