1 of 2

Mësimi 3. Etiketimi

Qëllimi: Për të njohur se si etiketimi i njerëzve mund t’i kufizojë potencialet individuale dhe të ndikojë në marrëdhënie.

Materialet e nevojshme: Copa letre, ngjitës, lapsa/stilolapsa.

Koha e rekomanduar:90 minuta

Vërejtje për planifikim: Është e rëndësishme të siguroheni që asnjëri prej pjesëmarrësve të mos bëhet agresiv apo të ofendohet nga përdorimi i ndonjërit prej etiketimeve.

Procedura:

1. Mendoni për emra pozitivë dhe negativë ose stereotipa, që përdoren rëndom në bashkësinë në të cilën jetojnë të rinjtë. Këtu mund të përfshihen etiketime, si: i mençur, dembel, i turpshëm, dhunues etj. Përpiquni të mendoni që të keni po aq etiketime sa keni pjesëmarrës në grup.
2. Shkruajini këto etiketime në copa letre dhe ngjitini secilit në shpinë nga një copë letre. Vëreni: Me qëllim që ky aktivitet të jetë efektiv, është me rëndësi që pjesëmarrësit të mos i shohin etiketimet që i kanë në shpinë; ata duhet të shohin vetëm etiketimet e të tjerëve.
3. Kërkoni nga dy ose tre pjesëmarrës që të bëjnë një lojë të shkurtër me role, ku ata të afrohen me njëri-tjetrin në bazë të etiketimeve të dhëna.
4. Kërkoni nga secili pjesëmarrës në lojën me role që të përpiqet të hamendësojë se mbi ç’bazë i ishte dhënë etiketimi, mënyra se si ishin trajtuar, dhe pastaj të mendonin për pyetjet në vijim.

  • Si ndiheni, kur dikush ju trajton sipas etiketimeve?
  • Si ndiheni, kur e trajtoni dikë tjetër sipas etiketimeve?

5. Pasi vullnetarët t’u jenë përgjigjur këtyre pyetjeve, kërkoni nga grupi më i madh reagimin e tyre ndaj lojës me role.
6. Kërkoni vullnetarë të tjerë për të luajtur role të tjera, duke u lënë hapësirë kohore pas secilit rol, që vullnetarët të përpiqen ta hamendësojnë etiketimin e tyre, si dhe të reflektojnë mbi atë se si janë ndier.
7. Hapeni diskutimin edhe për grupet më të mëdha.

Pyetje për diskutim:

1. Si reagoni, kur trajtoheni sipas një etiketimi?
2. Si reagoni, kur ju ose dikush tjetër e trajtoni një person tjetër sipas një etiketimi?
3. A përdoren këto etiketime rëndom në bashkësinë tuaj? Çfarë shembujsh të tjerë të etiketimeve përdorin njerëzit?
4. Pse njerëzit i etiketojnë të tjerët?
5. Cilat janë efektet e etiketimit të individëve? Cilat janë efektet në marrëdhënie? Mendoni për aktivitetin e mëparshëm, në lidhje me pushtetin dhe marrëdhëniet. Çfarë mendoni se është lidhja mes etiketimit dhe pushtetit?
6. Çfarë keni mësuar këtu që mund ta aplikoni në jetën tuaj dhe ta bartni te komuniteti juaj?
7. Si mund t’i shmangeni, që mos t’i etiketoni të tjerët?
8. Si mund t’i inkurajoni të rinjtë, që mos t’i etiketojnë të tjerët?

Përmbyllje:

Etiketimet dhe stereotipat ndikojnë te njerëzit si individë, si dhe në marrëdhëniet e tyre me të tjerët. Është me rëndësi që të mendohet në mënyrë kritike, në lidhje me atë se si i trajtoni njerëzit dhe mënyrën se si njerëzit ju trajtojnë, dhe në ç’masë do të mund t’i “zhbëni” disa prej mënyrave me të cilat ndërveproni me të tjerët. Për shembull, si:
1. Të mos jeni gjykues për dikë para se ta njihni;
2. Të mos përdorni etiketime apo nofka negative;
3. Të mos diskriminoni në baza gjinore, fetare, etnike apo të klasës social-ekonomike;
4. Të mos e etiketoni dikë në familje dhe/ose në bashkësi;
5. Të mos jeni jo fleksibël dhe kryeneçë në qëndrimet tuaja;
6. Të mos tregoni indiferencë, qetësi ose mëri.
Ndjenja e përkatësisë së një grupi, si dhe të qenët i pranuar ashtu si je, janë thelbësore për të mësuarit dhe për zhvillimin e potencialit tonë individual dhe kolektiv. Duke ecur përpara me këto sesione, si dhe në jetë në mënyrë aktive, duhet të përpiqeni që t’i lini anash etiketimet dhe të jeni mendje hapur në mënyrën se si i ndërtoni lidhjet me të tjerët.