1 of 2

Mësimi 4: Rrezikoj kur…

Qëllimi: Të diskutojmë situatat në jetën e të rinjve që i vënë ata në rrezik të IST, HIV/AIDS, rreth shtatzënisë së paplanifikuar, për të identifikuar burimet e mbështetjes dhe për t’i reduktuar këto rreziqe.

Materialet e nevojshme: Përzgjedhje e frazave nga fleta e burimeve, të shkruhen në copa të vogla letre.

Koha e rekomanduar:90 minuta

Planifikimi: Është e rëndësishme që t’i dëgjojmë dhe t’i kuptojmë nevojat e të rinjve. Shumë djem e vënë veten në situata të rrezikshme, sepse ata ndihen në presion që të jenë “burra të vërtetë”. Ata mendojnë se, për të qenë “burrë” nuk duhet t’i shprehin emocionet dhe ndjenjat e tyre. Është gjithashtu e rëndësishme të dini se dobësitë e të rinjve në përgjithësi duhet të jenë angazhim politik i vendit, për edukimin dhe shëndetin e njerëzve të saj. Marrja e informacioneve dhe përdorimi i tyre në jetën tonë nuk varet vetëm nga individët, por edhe nga faktorë të tillë, si qasja në arsim dhe në shërbimet shëndetësore. Ajo gjithashtu varet, nëse njerëzit kanë fuqi për të ndikuar në vendime politike, si dhe mundësinë për të sfiduar barrierat kulturore. Që të rinjtë të bëjnë ndryshime pozitive në jetën e tyre, është e nevojshme të ketë programe që ofrojnë mundësinë për të mësuar dhe për t’i aplikuar aftësitë e nevojshme për të mbrojtur veten. Sa më shumë shteti të jetë i angazhuar për të siguruar hulumtime dhe programe kualitative në parandalimin e HIV-it, edhe më e madhe do të jetë mundësia e fuqizimit të të rinjve që të marrin vendime të shëndetshme dhe të bëjnë një jetë më të përgjegjshme.

Procedura:

1. Filloni aktivitetin, duke ju kërkuar të rinjve të mendojnë për situata që mund t’i vënë ata në rrezik që të marrin IST apo HIV. Për shembull, nëse një person nuk e di se të kesh marrëdhënie seksuale pa prezervativ e rrit rrezikshmërinë për IST-në dhe HIV-in, ata janë më të rrezikuar t’i marrin këto infeksione sesa dikush që e di këtë fakt.
2. Ndajini pjesëmarrësit në grupe të vogla. Jepini secilit grup nga një copë letër me një frazë të shkruar mbi të nga fleta e burimeve. Secili grup duhet të ketë fraza të ndryshme. Grupeve mund t’u jepet më shumë se një frazë.
3. Kërkoni nga secili grup që ta lexojnë frazën e tyre brenda grupit, të diskutojnë se çfarë do të thotë, dhe pastaj të vendosin nëse pajtohen apo nuk pajtohen me deklaratën, si dhe pse.
4. Kur hapi i tretë të ketë përfunduar, çdo grup duhet të lexojë me zë të lartë dhe t’i ndajnë përgjigjet e tyre me grupin e madh.
5. Diskutoni me të rinjtë pyetjet e mëposhtme.

Pyetje për diskutim:

  1. A mendoni se, veçanërisht të rinjtë, kanë rrezikshmëri ndaj shtatzënisë së paplanifikuar, IST dhe HIV? Pse po dhe pse jo?
  2. Në një marrëdhënie seksuale, çfarë e bën një person më të rrezikuar ndaj IST-së apo HIV-it?
  3. Çfarë besimesh kulturore vënë në rrezik djemtë e rinj për IST-në dhe HIV-in? Çfarë besimesh kulturore vënë në rrezik vajzat e reja për IST-në dhe HIV-in?
  4. Si janë të lidhura normat gjinore me rrezikun? (Rikujtojuni pjesëmarrësve diskutimin “Të veproj si një burrë”, përpjekjet e shoqërisë, se çfarë pret shoqëria dhe se çfarë do të thotë të jesh burrë apo grua. Kjo influencë mund të jetë pasoja negative në marrjen e vendimeve dhe veprimeve.)
  5. Çfarë mund ta ndihmojë një djalë të ri të ndihet dhe të veprojë me më pak rrezikshmëri? Çfarë mund ta ndihmojë një vajzë të re të ndihet dhe të veprojë me më pak rrezikshmëri?
  6. Cilat janë disa mundësi, alternativa të tjera për disa nga sjelljet e rrezikut më të zakonshëm te të rinjtë?
  7. Për çfarë mbështetjeje kanë nevojë djemtë e rinj dhe vajzat e reja, që ta mbrojnë veten nga IST-ja dhe HIV-in? A është ky lloj i mbështetjes në dispozicion në komunitetin tonë?

Përmbyllje:

Rrënjët e sjelljeve të rrezikshme seksuale nga shumë djem janë gjetur në masë të madhe në mënyrën se si djemtë janë rritur dhe socializuar. Këto sjellje shpesh i vënë në rrezik të dyja gjinitë, djemtë dhe vajzat. Si të rinj, është e rëndësishme për ju të jeni të vetëdijshëm se sa normat gjinore ndikojnë në vendimet dhe sjelljet tuaja dhe të keni mendim kritik mbi ndikimet e atyre vendimeve dhe sjelljeve.

Lidhjet në internet

Videot “Na ishte njëherë një djalë” dhe “Na ishte njëherë një vajzë”, mund të jenë një mjet i dobishëm për t’i ndihmuar pjesëmarrësit të identifikojnë lidhjet mes mënyrës se si të rinjtë janë rritur dhe rreziqet e ndryshme, me të cilat ata mund të përballen në jetën dhe marrëdhëniet e tyre.

Fleta burimore: Jam në rrezik kur…