1 of 2

Mësimi 1: Çka janë drogat?

Qëllimi: Për t’i diskutuar llojet e ndryshme të drogave, të cilat ekzistojnë, dhe si shihen e përdoren nga shoqëria, veçanërisht nga të rinjtë.

Materialet e nevojshme: Fletë për tabelë, ngjitës, laps për të shënuar në tabelë.

Koha e rekomanduar:90 minuta

Vërejtje për planifikim: Është e rëndësishme që, si moderator ta diskutoni këtë temë në mënyrë të hapur. Të rinjtë, pa dyshim, pasi do të kenë kritika lidhur me qëndrimet hipokrite të disa të rriturve, si dhe ndaj shumë politikave dhe ligjeve që kanë të bëjnë me përdorimin e substancave

Procedura:

1. Para sesionit, shkruajeni secilën pyetje më poshtë, në një fletë të veçantë të tabelës:
a. Çfarë ju vjen ndër mend kur dëgjoni fjalën “drogë”?
b. Kush e përdor drogën?
c. Cilat janë disa shembuj të drogave dhe ku mund të gjenden?
d. Cilat janë rreziqet që shoqërohen me përdorimin e drogave?
2. Vendosini të katër fletët në vende të ndryshme të dhomës.
3. Ndajini pjesëmarrësit në katër grupe që në fillim të sesionit.
4. Caktojini secilit grup njërën prej katër pyetjeve. Shpjegojuni që secili grup ka 10 minuta për ta diskutuar pyetjen dhe për t’i shkruar përgjigjet në fletë. Për grupet që dinë pak për këtë çështje, lexojeni me zë të lartë pyetjen dhe kërkoni nga ata që ta diskutojnë mes tyre.
5. Pas 10 minutash, tregojuani të gjitha grupeve që t’i ndërrojnë pozicionet në drejtim të akrepave të orës. Jepuni edhe 10 minuta kohë për ta diskutuar pyetjen e re dhe për t’i shkruar përgjigjet.
6. Vazhdoni t’i lini grupet të vazhdojnë lëvizjen rrethore, me qëllim që të gjitha grupet të kenë mundësi t’i diskutojnë dhe t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve
7. Lexojini me zë dhe përmblidhini përgjigjet e dhëna në fletët e vendosura. Nëse grupet nuk i kanë shkruar përgjigjet, kërkoni që t’i shkëmbejnë diskutimet e tyre në grupin e madh.
8. Përdorini pyetjet e mëposhtme për të nxitur diskutim rreth llojeve të ndryshme të drogave dhe llojeve të ndryshme të përdorimit të tyre nga të rinjtë.

Pyetje për diskutim:

1. A i kishin të njëjta idetë secili grup, lidhur me atë se çfarë janë drogat, kush i përdor dhe rreziqet që ndërlidhen me përdorimin e tyre? (Analizojeni së bashku me grupin përmbajtjen e fletës së burimeve)
2. A e kanë të lehtë aksesin ndaj alkoolit dhe duhanit njerëzit e komunitetit tuaj? (A janë të ndaluara ato për të rinjtë më të vegjël se 18 vjeç? A janë në fuqi këto ligje?)
3. A e kanë të lehtë njerëzit aksesin ndaj llojeve të tjera të drogave?
4. Çfarë mendoni se e përcakton, nëse përdorimi i një droge është e ligjshme apo e ndaluar?
5. A janë të lejuara reklamat për cigare dhe alkool në gazeta, magazina apo në televizion? Si përpiqen këto reklama ta promovojnë përdorimin e këtyre substancave? Çfarë mendoni lidhur me këtë?
6. Si i portretizojnë femrat, të cilat i përdorin produktet e tyre, këto reklama mediatike? Si i portretizojnë burrat, të cilët i përdorin produktet e tyre, këto reklama mediatike? A mendoni se këto portretizime janë të sakta? Si ndikojnë këto reklama në qëndrimet e burrave dhe grave, lidhur me cigaret dhe alkoolin?
7. Aty ku jetoni, a ka fushata, të cilat përpiqen ta zvogëlojnë përdorimin e drogave? Çfarë mendoni për këto fushata?
8. Çfarë veprimesh mund të ndërmerrni që njerëzit në bashkësinë tuaj të kenë informacionin e saktë, lidhur me pasojat e përdorimit të drogave?
9. Si ndikojnë bashkëmoshatarët tanë në qëndrimin tonë ndaj drogave?
10. Sa shpesh na inkurajojnë bashkëmoshatarët tanë që të përdorim substanca të caktuara?
11. A e inkurajojnë normat sociale përdorimin e drogave apo të substancave të caktuara?
12. A mund të themi që disa djem e ndjejnë se përdorimi i substancave të caktuara i bën ata “meshkuj superiorë”, ndaj atyre që e kundërshtojnë përdorimin e tyre?

Përmbyllje:

Drogat prekin jetën e shumicës së grave dhe burrave. Ekzistojnë shumë lloje të drogave, disa të ligjshme, disa të paligjshme, disa rëndom përdoren prej grave, disa më shumë përdoren prej burrave etj. Është e rëndësishme të mendohet, lidhur me presionet e ndryshme personale dhe shoqërore, të cilat mund t’i bëjnë të rinjtë dhe të rejat që të përdorin lloje të ndryshme drogash. Kështu që ata duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat që mund të kenë drogat në jetën e individit, në marrëdhëniet e tij dhe në bashkësinë ku ai jeton. Në aktivitetin tjetër do t’i diskutojmë disa prej pasojave me më shumë hollësi.

Fleta burimore: Çfarë janë drogat?

Droga mund të përkufizohet si një substancë, e cila ka aftësi që të prodhojë ndryshime në funksionimin e organizmave të gjalla, qofshin ato psikologjike apo në mënyrën e sjelljes. Ekziston një kategori e veçantë e drogave, të quajtura psiko-aktive ose psiko-tropikale, të cilat e ndryshojnë gjendjen shpirtërore, perceptimin, ndjesinë dhe sjelljen e përdoruesit, në varësi prej llojit dhe sasisë së konsumuar të drogës, prej karakteristikave fizike dhe psikologjike të përdoruesit, prej momentit dhe kontekstit të përdorimit, si dhe prej pritjeve që individi ka në raport me drogën. Këto droga psiko-aktive ose psiko-tropikale mund të klasifikohen në tre grupe, në varësi të efektit të tyre në aktivitetin e trurit:
a) Depresantët: E qetësojnë aktivitetin e trurit, duke shkaktuar përgjumje dhe mosinteresim. Shembuj të tyre janë alkooli, barnat për gjumë dhe ato që merren me anë të organeve të frymëmarrjes.
b) Stimulantët: E rrisin aktivitetin e trurit, duke shkaktuar gjallërim dhe vigjilencë. Shembuj janë barnat për kontrollin e oreksit, kokaina, kafeina.
c) Halucinogenet: E modifikojnë aktivitetin e trurit, duke e ndryshuar mënyrën e perceptimit të realitetit, kohës, hapësirës dhe të stimuluesve vizualë dhe dëgjimorë. Shembujt përfshijnë ekstazën dhe LSD-në.

Çfarë janë drogat?
Çfarë janë drogat?
Çfarë janë drogat?