1 of 2

Mësimi 4: Çfarë është dhuna seksuale?

Qëllimi: Të diskutohet mbi dhunën seksuale dhe situatat e ndryshme në të cilat shfaqet.

Materialet e nevojshme: Dy-tri kopje të fletës së burimeve.

Koha e rekomanduar:90 minuta

Vërejtje për planifikim:

Të flasësh për dhunën seksuale, mund të shkaktojë po atë shqetësim sikurse të diskutosh për format e tjera të dhunës, për shkak të lidhjes së mundshme me jetën e vetë pjesëmarrësve. Prandaj, është me rëndësi të jeni të ndjeshëm ndaj mundësisë që dikush prej pjesëmarrësve mund të kenë përjetuar ndonjë lloj të dhunës seksuale në fëmijëri ose adoleshencë dhe mund të kenë nevojë për ndihmë. Ata mund të kenë përjetuar dhunë seksuale (nga burra ose gra), porse nuk kanë folur asnjëherë me ndokënd, lidhur me këtë çështje, për shkak të turpit. Mbase mund të kenë qenë të bindur se askush nuk do ta besonte që një burrë mund të jetë viktimë e dhunës seksuale (veçanërisht kur dhunuesi ka qenë femër). Të tjerët mund t’i njohin të afërmit apo shokët e gruas që kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Është me rëndësi që të përgatiteni për këto situata të mundshme dhe të dini se ku dhe te kush t’i drejtojë pjesëmarrësit, të cilët kanë nevojë për mbështetje profesionale.

Procedura:

1. Shpjegoni se qëllimi i këtij aktiviteti është të bisedohet për dhunën seksuale.
2. Zhvilloni një aktivitet për dhënien e ideve së bashku me grupin, në lidhje me dhunën seksuale dhe situatat e ndryshme në të cilën mund të ndodhë ajo. Analizoni përkufizimin e dhunës seksuale të përfshirë në aktivitetin fillestar për dhunën – Çfarë është dhuna?
3. Në varësi të numrit të pjesëmarrësve, ndajini në dy ose tri grupe të vogla, dhe jepuni secilit grup nga një kopje të tregimit të Agronit. Mënyra tjetër, pjesëmarrësve mund t’ua lexoni me zë këtë tregim.
4. Pasi të jetë lexuar tregimi, bëni një diskutim të hapur dhe diskutoni pikat në vijim, ku i inkurajoni të rinjtë që të reflektojnë në lidhje me tregimin, dhe se çfarë rrugësh të tjera mund të kishte ndjekur Agroni:

  • A është ky tregim real?
  • Çfarë mendoni për sjelljen e Agronit?
  • A mund të konsiderohet dhunë? Pse po dhe pse jo?
  • Pse mendoni se veproi në këtë mënyrë?
  • Cilat mund të ishin pasojat e sjelljes së Agronit ndaj vetvetes? Po për gruan e re?
  • Nëse Agroni nuk do të ishte dorëzuar ndaj presionit, si mendoni se do ta kishin trajtuar shokët e tij?
  • Por si do ta kishte ndier veten Agroni?

5. Kujtojini pjesëmarrësit, lidhur me diskutimet që i kanë pasur në studimin e rastit numër 3 prej aktivitetit “Çfarë është dhuna?”. Nëse është e nevojshme ose në qoftë se studimi i rastit nuk është diskutuar më parë, lexojeni atë studim me zë të lartë. Parashtrojuani pjesëmarrësve pyetjet në vijim:

  • A është real ky tregim?
  • Çfarë e dallon prej tregimit të Agronit? Çfarë kanë të ngjashme?
  • A mund të konsiderohet si dhunë? Pse po ose pse jo?
  • A mund të ndodhë dhuna seksuale në marrëdhëniet, në të cilat çiftet kanë bërë edhe më parë seks? Pse po ose pse jo?
  • Çfarë është pëlqimi për të bërë marrëdhënie seksuale? (Vërejtje: Pëlqimi është kur dy persona e dinë dhe pajtohen me vullnet që të kryejnë marrëdhënie seksuale. Është e duhur për secilin kontakt seksual. Do të thotë, fakti që një çift mund të ketë pasur më parë marrëdhënie seksuale, NUK paraqet pëlqim të mjaftueshëm për marrëdhëniet e ardhshme. Nëse përdoret forca, kërcënim me forcë ose ndonjë lloj mase tjetër emocionale, për ta detyruar dikë që të kryejë marrëdhënie seksuale, atëherë ajo NUK konsiderohet pëlqim).
  • Cila është ndërlidhja midis pajtimit dhe pushtetit në lidhje?
  • A mund të ndodhë dhuna seksuale në martesë? Pse po dhe pse jo?

6. Pas diskutimit të të dyja historive, përmblidheni diskutimin me pyetjet e mëposhtme

Pyetje për diskutim:

1. Cilat janë pasojat e dhunës seksuale?
2. A mundet që dhuna seksuale të kryhet edhe ndaj burrave? Çfarë lloji? Dhe si reagojnë në përgjithësi burrat?
3. Çfarë mund të bëni që të ndihmoni në parandalimin e situatave të dhunës seksuale në marrëdhëniet tuaja? Në komunitetin tuaj?

Përmbyllje:

Për shumë të rinj, presioni i bashkëmoshatarëve ose ndjenja e nevojës për të kryer marrëdhënie seksuale, me qëllim të të treguarit të burrërisë, mund të çojë që t’i shohin gratë si objekte seksuale.
Këto lloj pikëpamjesh mund të shpien në situata, në të cilat të rinjtë i shpërfillin dëshirat e grave dhe përdorin masa të dhunshme emocionale dhe/ose fizike për të bërë seks. Në këtë mënyrë, dhuna seksuale, si çdo lloj tjetër dhune, mund të kuptohet si rezultat i një personi që ka pushtet mbi tjetrin. Si të rinj, është me rëndësi që të reflektoni se si të promovoni marrëdhënie seksuale me pëlqim dhe të shëndetshme, si dhe ta ngrini vetëdijen te të rinjtë për atë se çfarë është dhuna seksuale. Mbi të gjitha, është thelbësore që të gjithë të rinjtë ta kuptojnë se, kur një vajzë thotë “jo”, ajo e ka me të vërtetë një gjë të tillë.

Fleta burimore

TREGIMI I AGONIT
Agoni është 18 vjeç dhe i pëlqen të shoqërohet me një grup të madh shokësh të shkollës. Ai është shumë i popullarizuar mes shokëve të tij dhe të gjithë kanë dëshirë të dalin e të kënaqen. Grupi gjithmonë mblidhet te shtëpia e Enos, ku ka shumë muzikë dhe birra. Fundjavën e kaluar u mblodhën përsëri. Aty kishte shumë njerëz që i njihte Agoni. Ai ishte vonuar pak dhe, sapo arriti iu afrua Eno:
Eno: Ç’kemi plako! Si je? Adriana, ajo zogëza e mrekullueshme, është këtu… Është plot qejf sonte. Ti je i vetmi që s’e ke bërë ende.
Agoni: Ndalu mor burrë…
Eno: Jo, me të vërtetë e kam… kjo është mundësia jote. Mos u tremb! Tregohu burrë! Nga se ke frikë? Fillo të veprosh, përderisa ajo është pothuajse e dehur. Vetëm afroju!
Agoni mund ta vërente se vajza ishte lëshuar në një kolltuk. Ajo duhet të ketë pirë shumë, mendonte. Dhe me presionin e shokëve të tij, Agoni shkoi tek Adriana.
Agoni: Ç’kemi shpirt… Unë jam Agoni. Eja të shkojmë diku më qetë. Agoni e ndihmoi të ngrihej, vajza qe aq e dehur, saqë ishte gjysmë e përgjumur, pothuajse ishte në gjumë. Edhe pse në këtë gjendje, shokët e shtynë dhe e dërgoi atë në katin e sipërm, në dhomën e Enos.