1 of 2

Mësimi 2: Drogat në jetërat dhe komunitetet tona

Qëllimi: Për të diskutuar rreth situatave, në të cilat burrat dhe gratë mund të përdorin droga, dhe pasojat e këtij përdorimi në jetën dhe marrëdhëniet e tyre.

Materialet e nevojshme: Kopjet e studimeve të rastit prej fletës burimore 20 A.

Koha e rekomanduar:90 minuta

Vërejtje për planifikim: Analizojini studimet e rastit nga fleta e burimeve 20A dhe bëni përshtatjet e nevojshme apo ndryshimet për kontekstin lokal. Nëse këto studime nuk janë të aplikueshme, atëherë duhet të krijoni, të sillni studime të reja që janë më relevante me realitetin dhe përvojat e pjesëmarrësve. Nëse është e mundur, ftoni një profesionist apo dikë tjetër që ka njohuri për drogat, që të marrë pjesë në këtë sesion.

Procedura:

  1. Ndajini pjesëmarrësit në katër grupe të vogla. Jepini secilit grup nga një kopje të studimeve të rastit nga fleta e burimeve 20A, me raste të ndryshme studimi për secilin grup. Shpjegojuni që secili grup duhet ta diskutojë dhe ta analizojë studimin dhe të nxjerrë një përfundim të mundshëm. Për grupet me pak njohuri, mund t’i lexoni me zë situatat.
  2. Jepuni 10 minuta kohë grupeve që të diskutojnë në lidhje me rastet për studim.
  3. Kërkoni nga grupet që t’i prezantojnë studimet dhe përfundimet e tyre, të cilat i kanë zhvilluar vetë. Këto prezantime mund të bëhen në formë narrative apo në formë të skeçeve. Grupet duhet t’i trajtojnë pyetjet në vijim gjatë prezantimit të tyre:
    a. A është situatë reale? Pse po ose pse jo?
    b. Cilët faktorë ndikuan në vendimin e personazhit për të përdorur drogë?
    c. Cilat janë disa nga pasojat e mundshme, me të cilat mund të ballafaqohet personazhi? (Shih fletën e burimeve B)
    d. Çfarë opsionesh të tjera kishin? (Përveç përdorimit të drogave)
  4. Pas prezantimit të rasteve studimore, shfrytëzoni pyetjet e mëposhtme, për ta nxitur diskutim rreth konteksteve të ndryshme në të cilat të rinjtë përdorin drogat, si dhe pasojat që lidhen me to.

Pyetje për diskutim:

  1. Cilat janë arsyet më të rëndomta që burrat përdorin drogë? A janë këto më të ndryshme, prej arsyeve më të rëndomta se pse gratë përdorin drogë? Në çfarë mënyre?
  2. A ka shkallë ose nivele të ndryshme, deri në ç’masë mund të përdorë drogë një individ? Cilat janë këto shkallë të ndryshme? (Shih fletën e burimeve 20C)
  3. Cilat janë normat kulturore, në lidhje me përdorimin e alkoolit në bashkësinë/vendin tuaj?
  4. Çfarë efekti kanë përdorimi i alkoolit dhe i substancave të tjera në vendimet lidhur me marrëdhëniet seksuale dhe sjelljet? (Shih fletën e burimeve 20C)
  5. Si e bën më të ekspozuar individin përdorimi i alkoolit apo përdorimi i substancave të tjera përballë shtatzënisë së paqëllimshme dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV/AIDS?
  6. Si ndikon përdorimi i drogave në marrëdhëniet? Në familje? Në bashkësi?
  7. Çfarë veprimesh mund të ndërmerrni, nëse një shoku juaj është duke abuzuar me alkoolin ose me substanca të tjera? (Zhvilloni një aktivitet për dhënien e ideve me pjesëmarrësit, dhe pastaj të përdoret fleta e burimeve D, me qëllim dhënien e ideve të reja.
  8. Si mund të krijojmë forma të tjera të argëtimeve dhe aktivitete shoqërore, ku alkooli dhe substancat nuk janë gjërat më të rëndësishme?

Përmbyllje:

Është vështirë të përgjithësohen motivet që e çojnë një person për të përdorur drogë. Çdo person ka motivet e veta dhe nganjëherë këto motive nuk janë të qarta për vetë individin. Në shumicën e rasteve, mund të ketë një varg faktorësh, por jo vetëm një, që çon në përdorimin individual të drogës, për shembull: kurioziteti, dëshira për të harruar problemet, përpjekja për të kapërcyer turpin apo pasigurinë, pakënaqësia me pamjen e jashtme etj.
Burrat e rinj zakonisht konsumojnë më shumë alkool sesa gratë e reja, për shkak se besojnë që përdorimi i alkoolit i ndihmon për ta dëshmuar burrërinë ose për t’i ndihmuar që të përshtaten me grupin e përbashkët të burrave. Është e nevojshme që të vihen në pikëpyetje normat, në lidhje me përdorimin e alkoolit, dhe të mendoni se si ju dhe të tjerët mund të krijojnë forma të kohës së lirë dhe për argëtim, të cilat nuk e kanë alkoolin në qendër të vëmendjes. Është me rëndësi që familja, shokët dhe moshatarët të ofrojnë mbështetje, pa fajësime ose gjykime, për t’i ndihmuar individët që të reflektojnë në dëmet e përdorimit të drogës dhe të identifikohen alternativa shëndetësore, dhe sipas nevojës, të kërkohet ndihma e një profesionisti kompetent.

Fleta burimore A

RASTE PËR STUDIM, NË LIDHJE ME PËRDORIMIN E DROGËS

Studimi i rastit # 1.
Arbeni është një djalë i qetë, të cilit i pëlqen të dalë me shokë dhe të luajë futboll. Të shtunën, disa prej shokëve e ftuan që të shkonte në një bar për të pirë dhe për t’u argëtuar. Kur shkoi atje, u ndje i turpëruar e i pasigurt, ndaj dhe u dorëzua para presionit të shokëve të tij, të cilët e ngacmonin që të pinte. Përfundoi duke pirë katër shishe birrë, për një kohë shumë të shkurtër.

Studimi i rastit # 2.
Alberti e do futbollin dhe u ftua që të merrte pjesë në një kampionat ndërmjet shkollave. Ishte trajnuar mjaftueshëm. Duke shpresuar se do ta luante më mirë lojën, vendosi që të merrte ca steroide, të cilat i kishte blerë një shok në një palestër.

Studimi i rastit # 3.
Sara dhe Fabi janë duke u takuar që prej disa muajsh. Për ditëlindjen e Fabit, Sara kishte organizuar një pritje surprizë. I kishte ftuar të gjithë shokët e tyre, madje i kishte kërkuar vëllait të madh të blinte ca birra për këtë festë. Fabi ishte befasuar me të vërtetë dhe, si ai, ashtu edhe Sara, pinë dhe vallëzuan shumë. Atë natë bënë seks pa përdorur prezervativ.

Studimi i rastit # 4.
Është nata e Vitit të Ri. Të gjithë po kënaqen dhe po pinë nga pak. Disa kanë blerë pak ekstazë. Meri, si pjesa më e madhe e shokëve të saj në mbrëmje, mendonte: “Pse mos ta ndezim atmosferën me pak ekstazë? Askujt s’i bën keq, apo jo?”.

Studimi i rastit # 5.
Edi pati një ditë të keqe në shkollë; mori nota të dobëta në fizikë dhe letërsi. Shkoi të pushonte në park me shokët. Njëri prej shokëve kishte një tub me marihuanë. Edi vendosi ta provonte pak dhe të shihte, nëse me të vërtetë do ta ndihmonte që të qetësohej, ashtu siç thoshin të gjithë.

Studimi i rastit # 6.
Të premten mbrëma, një grup shokësh shkuan në disko për t’u takuar me disa vajza, të cilat i pëlqenin. Qëndrimi aty ishte aq i mrekullueshëm, muzika e shkëlqyeshme, si dhe vajzat e pranishme. Darieni i sheh ca prej tyre duke marrë pilula dhe zbulon se janë ekstazi. Njëra prej vajzave, Matilda, i afrohet dhe i ofron ca. Darieni e refuzon, por Matilda e shtyn, duke i thënë: “Provoje pak, të ndihmon që të relaksohesh dhe të kënaqesh!”. Darieni e rrëmbeu një pilulë dhe e gëlltit.

Fleta burimore B

EFEKTET E SUBSTANCAVE TË NDRYSHME

ALKOOLI
Alkooli në doza të vogla mund të krijojë ndjesinë e relaksimit, qetësimit, mirëqenies dhe nganjëherë të një euforie të butë. Kur pihet me sasi të mëdha, mund të shkaktojë mungesë të koordinimit motorik, konfuzion mendor, pagjumësi, si dhe reflekse më të ngadalta. Këto efekte mund ta çojnë individin të bëjë sjellje të ndryshme me rrezik të lartë, duke përfshirë seksin pa mbrojtje, ngarja e makinës nën ndikimin e substancave, dhe/ose dhunë. Kur alkooli konsumohet shpesh, ekziston rreziku i cirrozës, problemeve në tru, si dhe probleme të tjera kronike.
Të pish një pije, mund të jetë e lezetshme në një takim, mbrëmje apo së bashku me shokët. Një pije konsiderohet: 1 kanoçe birre (± 300 ml) ose 1 gotë verë (120 ml) apo 1 gllënjkë liker (36 ml). Dy pije në ditë për burrat dhe një pije në ditë për gratë dhe për më të moshuarit në përgjithësi konsiderohen se nuk shkaktojnë ndonjë problem. Megjithatë, për disa njerëz, edhe sasitë e vogla të alkoolit mund të shkaktojnë dëme tejet të mëdha. Në përgjithësi, gratë kanë tendenca që të kenë tolerancë më të ulët me alkoolin sesa burrat, pjesërisht për shkak se kanë sasi më të madhe të dhjamit dhe sasi më të vogël të ujit në trup sesa burrat; prandaj, një grua do të ketë përmbajtje më të madhe të alkoolit në gjak sesa një burrë i së njëjtës peshës, i cili ka pirë sasi të njëjtë alkooli. Përveç kësaj, gratë kanë nivel më të ulët të enzimave, të cilat e tretin alkoolin në stomak, prandaj kanë përqendrim më të lartë të alkoolit sesa burrat, të cilët pinë sasi të njëjtë. Gruaja, e cila pi alkool gjatë shtatzënisë, rrezikon shëndetin e fëmijës së pa lindur. Alkooli kalon lirshëm përmes placentës, duke krijuar nivel alkooli në embrion, pothuajse të njëjtë si në atë të nënës. Fëmijët, nënat e të cilëve kanë pirë shpesh ose shumë gjatë shtatzënisë, mund të lindin me defekte serioze, përfshirë peshën e vogël në lindje, deformime fizike, defekte të zemrës, deformime të kyçeve dhe gjymtyrëve, keqformim të kyçeve dhe gjymtyrëve, si dhe vonesë mendore.

Medikamentet me recetë
Qëllimi i një medikamenti është që të kurojë një sëmundje, ta lehtësojë dhimbjen ose vuajtjen, si dhe të përmirësojë mirëqenien. Megjithatë, nëse përdoret nga njerëzit, të cilët nuk kanë nevojë për të, dhe në doza të mëdha e të papërshtatshme, barnat mund t’i shkaktojnë dëm shëndetit. Për shembull, amfetaminat shpeshherë keqpërdoren, dhe kjo mund të çojë, mes të tjerash, në probleme të zemrës, paranojë dhe spazmë. Për shkak se amfetaminat janë stimulantë dhe, si rrjedhojë, e rrisin forcën dhe energjinë fizike të individit, ato nganjëherë përdoren nga studentët në mënyrë që të rrinë zgjuar natën. Përveç kësaj, perceptimet e ndryshme për bukurinë shpesh i shtyjnë gratë që ta rrezikojnë shëndetin, duke marrë amfetamina për të humbur në peshë, në kërkim të trupit “të përkryer”. Qetësuesit i shkaktojnë trurit (sistemi nervor qendror) veprim më të ngadalë. Shpesh përdoren për ta trajtuar shqetësimin dhe disa parregullsi të gjumit. Pasi trupi të mësohet me qetësuesit, simptomat e para mund të zhduken, dhe përdoruesi krijon një tolerancë dhe varësi prej këtyre substancave. Kur kombinohet me droga të tjera – si alkooli – qetësuesit kanë më shumë efekte anësore, të cilat mund t’i rrisin rreziqet shëndetësore, siç janë depresioni respirativ ose arresti kardiak.

MARIHUANA
Marihuana është një prej drogave që përdoret më shpesh ilegalisht në ditët e sotme. Nganjëherë përdoruesit flasin më shumë, shqetësohen ose edhe shohin halucinacione. Një i ri që e provon këtë drogë mund të mos bëhet i varur prej saj, megjithatë edhe këto eksperimente mund të sjellin efekte dëmtuese për shëndetin, si probleme me kujtesën, të menduarit qartë, koordinim, si dhe rritje e të rrahurave të zemrës, ose mund të rezultojë në probleme me ligjin, pasi është një substancë e paligjshme. Përdoruesit afatgjatë që përdorin marihuanën kanë gjasa më të mëdha të marrin sëmundje të sistemit të frymëmarrjes, si kollitja e vazhdueshme ose kanceri i mushkërive. Po ashtu, ata mund të vuajnë nga çrregullime të personalitetit, si depresioni ose ankthi. Substanca më shumë është e rrezikshme gjatë periudhës së intoksikimit, për shkak se përdoruesi mund ta humbasë aftësinë për të kryer veprime, si ngarja e motoçikletës apo e makinës.

KOKAINA
Anketat tregojnë se përdorimi i kokainës është më pak i zakonshëm sesa përdorimi i drogave të tjera, si alkooli dhe duhani. Përdorimi i kokainës mund të krijojë varësi dhe mund të ketë ndikim si në efektin mendor, ashtu edhe në funksionimin fizik. Efektet mendore përfshijnë euforinë, hiperaktivitetin, halucinacione pamore dhe të prekjes, si dhe ndjesinë e të qenit të ndjekur. Disa prej efekteve fizike përfshijnë rrahje të forta jonormale të zemrës, spazmë dhe ethe. Veçanërisht e dëmshme, kokaina është kur përdoret me alkoolin. Kokaina është zvogëlues i oreksit, dhe kjo i ka shtyrë disa femra që ta përdorin për të humbur apo zvogëluar peshën. Kokaina mund të shkaktojë dëme në trup në kohën kur përdoret, e po ashtu edhe më pas. Disa përdorues raportojnë stimulim të lartë seksual në fillim të përdorimit. Megjithatë, përdorimi i saj i rregullt e zvogëlon dëshirën për seks dhe shkakton impotencën. Kokaina mund të merret përmes hundës apo të injektohet. Kur injektohet ekziston rreziku shtesë i transmetimit të sëmundjeve, si HIV/AIDS dhe Hepatiti B dhe C.

STEROIDET
Steroidet përdoren më shpesh për ta përshpejtuar ndërtimin e muskujve. Zakonisht merren përmes gojës në formë pilulash ose injektohen. Steroidet janë versioni artificial i “testosteronit”, një hormon i prodhuar në mënyrë natyrale në trupin e njeriut. Në disa raste, njerëzit përdorin steroide, të cilat nuk janë krijuar për përdorim nga njeriu. Për shembull, ka pasur raporte të të rinjve që kanë marrë steroide, të cilat janë prodhuar për qëllime veterinare, përsëri me qëllim të rritjes më të shpejtë të masës muskulore.
Steroidet kanë efekte të ndryshme fizike. Ato mund ta zvogëlojnë funksionimin e sistemin imunitar, i cili është sistem mbrojtës i trupit kundër mikroorganizmave. Ato mund ta dëmtojnë mëlçinë, të shkaktojnë kancer, si dhe ta ndryshojnë funksionin normal të hormoneve, domethënë, ndërprerjen e menstruacioneve te gratë, si dhe mund ndikojnë në hipotalamus dhe organet riprodhuese. Ato mund të shkaktojnë edhe vdekjen. Steroidet mund të kenë edhe efekt emocional, si shkaktimi i depresionit dhe irritim.
Steroidet mund të kenë edhe efekt të veçantë seksual. Për femrat, kjo përfshin: ndryshimin e ciklit menstrual, ngjirje të zërit, zvogëlim të madhësisë së gjinjve, rritje të madhe të flokëve dhe ndryshime të dispozitave, si agresivitet dhe zemërim. Efektet e rëndomta për meshkujt përfshijnë: zhvillim të gjoksit, zvogëlim të funksionit seksual dhe infertilitet, si dhe atrofi të testikujve.
Ashtu si me substancat e tjera që injektohen, edhe shkëmbimi i gjilpërave për injektimin e steroideve mund të çojë në transmetimin e HIV/AIDS-it dhe Hepatitit B dhe C.

DUHANI
Produktet e duhanit prodhohen tërësisht ose pjesërisht prej fletëve të duhanit si lëndë e parë, të cilat tregtohen për t’u tymosur, thithur, përtypur ose për t’u nuhatur përmes hundës. Të gjitha përmbajnë lëndë psiko-aktive që shkaktojnë varësi, si nikotina. Përdorimi i duhanit paraqet një prej faktorëve kryesorë të rrezikut, për një numër të sëmundjeve kronike, përfshirë kancerin, sëmundjet e mushkërive dhe ato kardiovaskulare. Tani për tani, duhani konsiderohet përgjegjës për vdekjen e një në dhjetë të rriturve në mbarë botën (rreth 5 milionë vdekje për çdo vit). Përkundër kësaj, është e rëndomtë që në mbarë botën, edhe pse një numër vendesh kanë legjislacion që e kufizojnë reklamimin e duhanit dhe që e rregullon se kush mund ta blejë dhe t’i përdorë produktet e duhanit, prapëseprapë njerëzit mund të pinë duhan.

Fleta burimore C

Tipat e përdoruesve të substancave
Kombet e Bashkuara dallojnë katër tipa të përdoruesve të substancave:
Eksperimentuesit – E kufizojnë veten në eksperimentimin e një apo disa substancave për arsye të ndryshme, për shembull për kuriozitet, dëshirë për përvoja të reja, presion nga moshatarët, publicitet etj. Në shumicën e rasteve, kontakti me substancën nuk shkon përtej përvojës fillestare.

Përdoruesi i herëpashershëm – Përdor një apo disa substanca herë pas here, nëse atmosfera është në favor dhe nëse e gjen substancën. Nuk kanë ndonjë varësi apo shkëputje të marrëdhënieve shoqërore dhe profesionale.
Përdoruesi i zakonshëm – i përdor substancat shpesh. Në marrëdhëniet e tij mund të vërehen shenja të shkëputjes nga të tjerët. Pa marrë parasysh këtë, ai përsëri është i shoqëruar, edhe pse në një mënyrë më të kujdesshme, dhe rrezikon të bëhet i varur.

Përdoruesi i varur ose “jofunksional” – Jeton pothuajse në tërësi përmes përdorimit të substancave dhe për përdorim të substancave. Për pasojë, të gjitha marrëdhëniet shoqërore i ka të prishura, gjë që shkakton izolim në vetvete.

Përdorimi i substancave dhe sjelljet seksuale
Shumë njerëz besojnë se substanca të caktuara mund ta përmirësojnë performancën seksuale. Në realitet, efekti i përdorimit të substancave ndryshon nga personi në person dhe në varësi të shumë faktorëve, duke përfshirë faktorët biologjikë (metabolizmi i trupit të njeriut), shpeshtësia e përdorimit, mjedisi dhe kultura, si dhe aspektet psikologjike. Shumë shpesh efektet pozitive të prodhuara prej përdorimit të substancave gjatë marrëdhënieve seksuale më shumë kanë të bëjnë me atë se çfarë besojnë njerëzit se do të ndodhë sesa me veçoritë e tyre farmakologjike. Për shembull, ndryshe nga ajo që besojnë shumë njerëz, alkooli mund t’i bëjë njerëzit në fillim më pak të trembur, por, ashtu siç ka thënë dikur dramaturgu Uilliam Shekspir, “Alkooli i provokon dëshirat, porse i jep fund performancës”. Kështu, ai mund ta ndalojë ereksionin. Në të njëjtën mënyrë, edhe marihuana e zvogëlon prodhimin e hormoneve mashkullore, testosteronin, dhe përkohësisht mund të çojë në zvogëlimin e prodhimit të spermës. Kokaina e zvogëlon dëshirën dhe eksitimin, meqenëse përdoruesit bëhen më të interesuar të përdorin substancë sesa të bëjnë seks. Përveç këtyre, kur njerëzit përdorin drogë është shumë më vështirë të vihet komunikimi dhe të bëhen negociata me ta në kohën e marrëdhënieve seksuale, pasi personi shpesh është më i shqetësuar për ndjesinë e tij të menjëhershme sesa për ndjesinë e partnerit, apo edhe mund të shkaktojë rrezikun e mundshëm për shtatzëni të paqëllimshme, për sëmundje që transmetohen përmes marrëdhënieve seksuale ose për HIV/AIDS. Sipas anketave të ndryshme, personi nën ndikimin e ndonjë substance ka më pak gjasa të përdorë prezervativ, për shkak se zvogëlohet aftësia e tij për gjykim dhe reflekse. Po ashtu, është me rëndësi që të mbahet parasysh se edhe përdorimi i rrallë i alkoolit ose i substancave përsëri mund ta ekspozojë individin ndaj rrezikut, pasi nuk nevojitet më shumë se një rast i pirjes së tepruar të alkoolit dhe pastaj, kryerja e seksit të pambrojtur që mund të shkaktojë shtatzëni të paplanifikuar dhe/ose infeksione që transmetohen përmes marrëdhënieve seksuale/HIV/AIDS.

Fleta burimore D

Si ta ndihmojmë shokun, i cili ka probleme me abuzimin e alkoolit ose të substancave

  • Qëndroi afër. Mos i ktheni kurrizin.
  • Dëgjoni
  • Mos i kritikoni drejtpërdrejt apo në prani të të tjerëve.
  • Sugjeroni se çfarë mund të bëjnë, por mos bëni shumë presion. Ata duhet vetë t’i marrin vendimet.
  • Nëse dëshirojnë, shkoni me ta kur kërkojnë ndihmë te ndonjë agjenci substancash, te mjeku apo te ndonjë këshillues.
  • Inkurajojini që të jenë pozitiv me vetveten.
  • Inkurajojini që të ndihen se mund të bëjnë diçka për problemet e tyre.
  • Inkurajojini që të kërkojnë trajtim për problemet e tyre. Ofrojini ndihmë për t’i vizituar klinikat ose qendrat, të cilat mund të ofrojnë ndihmë të tillë për ta.

Ka persona të rritur që janë të besueshëm, me të cilët mund të flitet lidhur me ndihmën dhe mbështetjen për personat me probleme me alkoolin apo drogën. Më poshtë po japim disa shembuj:

  • Mësuesi në shkollë ose infermierja/këshilluesi
  • Mjeku, infermierja, këshilluesi
  • Liderat fetarë
  • Liderat lokalë të të rinjve
  • OJF lokale
  • Prindërit, tezja, daja apo gjyshërit