1 of 2

Mësimi 3: Kontracepsioni

Qëllimi: Pjesëmarrësit të familjarizohen me metoda të ndryshme të kontracepsionit, duke përfshirë kontracepsionin emergjent, sidomos ato më të përshtatshme dhe më të aksesueshme nga ata. Të thyejmë disa nga mitet më të zakonshme, si dhe të theksohet sa jofunksionale janë të ashtuquajturat metoda “natyrale” të parandalimit të shtatzanive.

Materialet e nevojshme: Lapsa/stilolapsa për të gjithë pjesëmarrësit dhe fleta e burimeve A.

Koha e rekomanduar:90 minuta

Planifikim: Është e zakonshme që çështja e abortit të diskutohet si pjesë e shtatzënisë së paplanifikuar. Kjo mund të jetë një temë shumë e nxehtë dhe përçarëse, si dhe është e rëndësishme që moderatori mos të përpiqet t’i imponojë vlerat e veta ose të mbajë anët, por më tepër të përqendrohet në kontekstin e shëndetit dhe të drejtave të njeriut. Udhëheqësi duhet të jetë gjithashtu i përgatitur të merret edhe me pyetjet dhe keqkuptimet që pjesëmarrësit mund t’i kenë në lidhje me ndërprerjen e shtatzanisë, dhe të japin informacione mbi statistikat, ligjet dhe shërbimet lokale.

Procedura:

1. Përveç kondomëve të femrave dhe meshkujve, asnjë metodë tjetër (përpos abstinencës, natyrisht) nuk mbron kundër infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Ekzistojnë disa metoda kontraceptive, të cilat shërbejnë për të parandaluar shtatzëni të paplanifikuara dhe, varësisht nga mënyra si funksionojnë ato, mund të ndahen në këto kategori:

  • Metodat e barrierës
  • Metodat hormonale
  • Metoda të kontracepsionit emergjent
  • Metodat intrauterine
  • Metodat permanente

2. Shpjegojini dallimet mes këtyre kategorive, për 5 minuta (shih fletën burimore 33 A)
3. Ndajini pjesëmarrësit në grupe; jepini secilit grup nga një fletë të tabelës dhe listën e metodave ekzistuese (fleta burimore 33B). Detyra e tyre është që t’i rendisin metodat nga lista në kategoritë e ndryshme të lartpërmendura. Jepuni më së shumti 10 minuta kohë për këtë.
4. Pyetini të gjitha grupet për përgjigjet e tyre dhe, përderisa i shkruani përgjigjet e tyre në fletën e tabelës, korigjojini dhe shkurtimisht shpjegoni çfarë është secila metodë, si duket dhe si funksionon. Kur nuk ka mjaftueshëm kohë, është e rëndësishme mos të shpenzohet shumë kohë në metoda, të cilat kanë më pak gjasa të jenë duke i shfrytëzuar ose të fillojnë t’i shfrytëzojnë në një të ardhme të afërt (për shembull, diafragma ose spiralja).
5. Shpjegojuni në detaje si funksionojnë tabletat kontraceptive dhe shpjegojuni mitet më të zakonshme. Pyetini ata rreth kondomit mashkullor dhe, nëse është e nevojshme, përsëritni pjesë të aktivitetit. Flisni rreth kontracepsionit emergjent, në çfarë situatash duhet të përdoret dhe sa shpesh.
6. Pyeteni grupin, nëse dinë ndonjë tjetër metodë që nuk përfshin asnjë blerje ose vizite mjekësore. Inkurajojini ata të emërtojnë “përrallat e vjetra të grave”, rreth asaj se si t’i shmangeni shtatzënisë (për shembull, dushi pas marrëdhënies). Diskutoni rreth metodave “natyrale” – metodës së ritmit, metodës së tërheqjes etj., dhe efektivitetit të tyre, si dhe pse ato nuk duhet të shfrytëzohen si kontracepsione, as nuk duhet menduar se janë metoda më të dobishme për planifikim të familjes sesa kontracepsioni.
SHËNIM: Në secilin hap, provoni ta lidhni temën me aktivitetet e mëparshme rreth sistemeve riprodhuese, IST-ve dhe praktikimt të seksit të sigurt.
7. Shfrytëzoni pyetjet e mëposhtme, për të drejtuar një diskutim.

Pyetje për diskutim:

  1. A ndiheni sikur ju dhe bashkëmoshatarët tuaj i keni informacionet e nevojshme rreth kontracepsionit? Pse?
  2. Me kë flisni zakonisht rreth kontracepsionit?
  3. A janë shumë të shpërndara mitet rreth kontracepsionit?
  4. Cili është burimi i informacionit rreth kontracepsionit?
  5. Kush është i përgjegjshëm për të menduar rreth kontracepsionit?
  6. Djemtë apo vajzat?
  7. A do të nxiteshit të blinit ndonjë lloj të kontracepsionit? Pse?
  8. Në çfarë pike të lidhjes duhet të diskutohet kontracepsioni?
  9. A duhet t’i tregojë një grua partnerit, nëse është duke përdorur një metodë që nuk mund të “shihet” ose ndihet nga partneri i saj (si për shembull, tableta)? Pse?
  10. Është e ditur se jo çdokush përdor kontracepsion ose praktikon seks të sigurt. Pse mendoni se ndodh kjo? Si do mund ta ndryshonim këtë gjë?
  11. A mësuat diçka nga ky aktivitet?

Përmbyllje:

Një nga arritjet më të mëdha në luftën për të drejtat e grave është njohja e faktit se një gru ka të drejtë të dëshirojë seks, vetëm për faktin se kjo i dhuron asaj kënaqësi (pa qëllimin për të pasur fëmijë), si edhe të drejtën për të refuzuar seksin.
Të pasurit fëmijë, për shumë njerëz është momenti më i lumtur i jetës së tyre, por nganjëherë një grua ndihet sikur nuk është e gatshme (për shkak të moshës, gjendjes emocionale, fizikut etj.) ose thjesht nuk dëshiron të ketë fëmijë, por dëshiron një marrëdhënie seksuale me një mashkull. Ndërprerja e shtatzanisë është një opsion, kur ndodh shtatzënia e paplanifikuar – sidoqoftë nuk është e thjeshtë – ajo mbart me vete rreziqe shëndetësore, mund të jetë shumë sfiduese nga ana emocionale dhe psikike dhe nuk është kontracepsion; Ky ësht fakt jo vetëm për arsye se nuk mund të përdoret rregullisht, por sepse nuk e parandalon shtatzëninë – ndërprerja e shtatzanisë e përfundon atë. Fatmirësisht, ekzistojnë plot metoda që e parandalojnë shtatzëninë. Abstinenca nga aktivitetet seksuale është e vetmja metodë që garanton mbrojtje nga shtatzënitë e paplanifikuar (dhe IST-të), por ekzistojnë gjithashtu metoda të tjera shumë të sigurta dhe kontracepsioni emergjent, nëse ato dështojnë.
Është mirë për të rinjtë që të informohen nga burime të ndryshme, por përfundimisht ata duhet të diskutojnë atë që është më e mira për ta me gjinekologun/specialistin/këshilluesin. Është e rëndësishme që çdo individ të gjejë metodën më të mirë për vete, që u përshtatet më së miri nevojave, stilit të jetesës, dhe që është më e sigurt; nëse ai/ajo është në një lidhje, partneri i saj/tij gjithashtu duhet të përfshihet, duke qenë se kjo gjë ndikon te të dy. Të gjithë duhet të përpiqen të ndërtojnë marrëdhënie të sinqerta e të barabarta. Për shkak të roleve të tyre gjinore, gratë shpesh ndihen të turpëruara të flasin rreth kontracepsionit, por mospërdorimi i tij është shumë më i keq në plan afatgjatë, dhe kjo duhet të konsiderohet. Gjithashtu, seksi i pambrojtur mbart rreziqe për shtatzëninë, por gjithashtu edhe atë të IST-ve. Kjo është arsyeja pse është më mirë të përdoret mbrojtja e dyfishtë si, për shembull kondomi i kombinuar me tabletën, ose metoda të tjera kontraceptive.

Fleta burimore A

Tipat e kontracepsionit
Metodat e barrierës

Metoda që fizikisht e ndalojnë bashkimin e vezës dhe spermës. Disa metoda funksionojnë me spermicide, të cilat e shkatërrojnë spermën. Spermicided nuk duhet të ngatërrohen me hormonet; spermicidet funksionojnë vetëm për të demobilizuar dhe shkatërruar spermën, ato nuk ndikojnë te organet riprodhuese të gruas (duke përjashtuar disa raste ku mund të ndodhë irritimi).

Kondomi mashkullor vendoset në penis gjatë marrëdhënies, me qëllim parandalimin e shtatzënisë dhe që të reduktojë rrezikun nga IST. Zakonisht përbëhen nga lateksi i hollë. Kondomët parandalojnë shtatzëninë, duke mbledhur pre-ejakulimin dhe semenin kur mashkulli ejakulon.

Kondomi femëror është një qese, e cila përdoret gjatë marrëdhënieve për të parandaluar shtatzëninë dhe reduktuar rrezikun e mbartjes së infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Ajo ka unaza fleksibile në secilin fund. Para marrëdhënies vaginale, ajo futet thellë brenda vaginës. Unaza në fundin e mbyllur e mban qesen në vaginë. Unaza në fundin e hapur qëndron jashtë hapjes vaginale gjatë marrëdhënies. Edhe gjatë marrëdhënieve anale, ajo futet në anus. Kondomët femërorë funksionojnë për parandalimin e shtatzënisë, duke mbështjellë pjesën e brendshme të vaginës. Ata mbledhin para-ejakulimin dhe spermën kur mashkulli ejakulon. Kjo e ndalon spermën të hyjë në vaginë.

Sfungjeri kontraceptiv përbëhet nga shkumë plastike dhe përmban spermicide. Ai është i butë, rrumbullak dhe me diametër rreth 5 cm. Ai ka një lak prej najloni në fund, për t’u hequr. Ai futet thellë brenda vaginës, para marrëdhënies, për të parandaluar shtatzëninë e paplanifikuar.

Kapela e qafës së mitrës është një filxhan prej silikoni me formën e kapelës së marinarit. Gratë e fusin atë brenda në vaginë, mbi qafën e mitrës. Në mënyrë që ajo të jetë sa më efektive, kapela e qafës së mitrës duhet të përdoret me spermicide.

Diafragma është një filxhan i cekët, me formë kubi, me një bri fleksibil. Ajo përbëhet nga silikoni. Ju e fusni atë brenda në vaginë. Kur është në vend, ajo e mbulon qafën e mitrës. Diafragmat parandalojnë shtatzëninë, duke e ndaluar spermën të bashkohet me vezën. Në mënyrë që të jetë sa më efektive, diafragma duhet të përdoret me krem spermicid, xhel ose pelte.

Pajisjet intrauterine të bakrit – IUD-të janë të vogla, pajisje në formë T-je, të cilat futen brenda mitrës së një gruaje nga mjeku. Kjo parandalon shtatzënitë e padëshirueshme, duke krijuar një barrierë mes vezës dhe spermës dhe është efektive për një periudhë 10 vjeçare.

METODAT HORMONALE
Hormonet mund të përdoren për të ndaluar ovulimin dhe fertilizimin.
Mjeku duhet të përshkruajë jo vetëm llojin e duhur, por edhe brendet(makrat e ilacit) specifike të përshtatshme për ju, sepse dozat variojnë. Mjeku duhet të sigurohet që ju të mos keni asnjë problem mjekësor, i cili do mund t’i bënte ato të pasigurta për ju.

Pilulat kontraceptive – janë pilula hormonale, të cilat duhet të merren çdo ditë në të njëjtën kohë, në mënyrë që të parandalohet shtatzënia e paplanifikuar. Në varësi nga lloji, disa pilula duhet të merren çdo ditë pa përjashtim, ndërkohë që disa të tjera kërkojnë 7 ditë në muaj pushim, kohë gjatë sëcilës ndodh menstruacioni. Ekzistojnë dy lloje bazike të pilulash: pilula te kombinimit (përmban dy hormone – estrogjen dhe progestin) dhe vetëm pilula të progestinit. Pilulat kontraceptiveshpeshherë përdoren edhe për arsye të tjera përveç kontracepronit duke përfshirë balancën e hormoneve, rregullimin e periodave, periodat e dhimbshme, probleme me lëkurën , etj. Edhe vajzat dhe gratë e virgjëra mund t’i përdorin ato, por mund të ketë edhe mjekime zëvendësuese, ndonjëherë bimore dhe për këtë arsye duhet të konsultoheni me një mjek.

Injektimi i hormoneve e parandalon shtatzëninë e paplanifikuar përmes injektimit të progresteronit. Çdo injektim e parandalon shtatzëninë për tre muaj.
Fasha hormonale liron hormone përmes lëkurës dhe parandalon shtatzëninë.

Unaza vaginale është një unazë e vogël, elastike, të cilën gruaja e vendos në vaginën e saj një herë në muaj, me qëllim që të parandalojë shtatzënitë e paplanifikuara. Lihet në të njëjtin vend për tri javë dhe largohet javën e mbetur çdo muaj. Kjo parandalon shtatzëninë e paplanifikuar përmes lirimit të hormoneve.

Pajisja hormonale brenda mitrës – ashtu si pajisja e bakrit, vendoset brenda mitrës, por ky lloj liron hormonin progestin, për të parandaluar shtatzëninë, dhe është efektiv për 5 vjet.

METODAT E PËRHERSHME

Këto metoda janë të përhershme (nëse bëhen në mënyrën e duhur, duke i përfshirë ndjekjen mjeksore të rastit) e si të tilla mendohet se janë, në fakt, zakonisht të pakthyeshme.

Sterilizimi është mënyrë e kontrollimit të lindjeve. Të gjitha procedurat e sterilizimit janë të përhershme. Përgjatë procedurës së sterilizimit, mjeku mbyll apo bllokon tubat fallopian të gruas.

Vasektomia është mënyra e kontrollimit të lindjeve për meshkuj dhe është e përhershme. Gjatë vasektomisë, mjeku i mbyll ose i bllokon tubat që mbartin spermën. Kur këta tuba mbyllen, sperma nuk mund të dalë nga trupi i mashkullit, pra nuk mund të shkaktohet shtatzënia.

Kontracepsioni emergjent
Çfarë është kontracepsioni emergjent (KE)
KE është një opsion kontraceptiv që mund ta parandalojë shtatzëninë, nëse merret pilula emergjente përbrenda 72 orëve pas marrëdhënies seksuale apo nëse spiralja është e vendosur brenda 5 ditëve kur ka ndodhur marrëdhënia seksuale e pambrojtur. Varësisht prej faktit se kur përdoret KE gjatë ciklit menstrual, ajo mund të:

• Ndalojë ose vonojë qelizën vezë që të lirohet nga vezorja.
• Parandalojë spermën të depërtojë te qeliza vezë.
• Ndalojë qelizën vezë të fekonduar nga ngjizja me mitër.

A mund të shkaktojë ndërprerje shtatzanie kontracepsioni emergjent?
Jo, përdorimi i kontracepsionit emergjent nuk shkakton abort. Fillimi i shtatzënisë në mjekësi përshkruhet si ngjizje e vezës së fekonduar. KE funksionon vetëm para ngjizjes, dhe jo nëse shtatzënia ka filluar. Për këtë arsye, nuk mund të konsiderohet si shkaktar i ndërprerjes së shtatzanisë. Vetë fakti që kontracepsioni emergjent parandalon shtatzëninë, do të thotë se ai zvogëlon nevojën për ndërprerjen e shtatzanisë.

Si administrohet kontracepsioni emergjent?
Metoda më e zakonshme e kontracepsionit emergjent përfshin marrjen e një doze të shtuar të pilulave për kontrollim të lindjeve (regjimi Yuzpe). Megjithatë, duke qenë që këto pilula vijnë në doza të ndryshme, shpeshherë është e paqartë për ofruesit dhe përdoruesit se sa pilula duhet të konsumohen, sepse kjo varet gjithnjë nga lloji i pilulave që ndodhen në shitje. Kohët e fundit, disa produkte të dedikuara, që vijnë në doza të specifike për KE, mund të gjenden në treg. Për më shumë, në disa vende pilula për kontrollimin e lindjes vijnë veçanërisht të paketuara në dozat e duhura, për qëllime të kontracepsionit emergjent.

Sa efektiv është kontracepsioni emergjent?
Kur përdoret brenda tri ditëve të marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, e kombinuar me pilulat kontraceptive emergjente (të cilat përmbajnë levonorgestrel dhe estradiol ethinyl) është rreth 75% efektiv në zvogëlimin e mundësisë që shtatzënia të ndodhë. Pilulat kontraceptive emergjente më efektive, janë ato që përmbajnë vetëm levonorgestrel; në 85% të rasteve, ato mund ta zvogëlojnë mundësinë që të ndodhë shtatzënia. IUD – pajisjet brenda mitrës mund t’i zvogëlojnë shanset që shtatzënia të ndodhë te 99% e rasteve; megjithatë, ato janë të përshtatshme më së shumti për gratë që përmbushin kërkesat e shqyrtimit të rregullt, si dhe për gratë që dëshirojnë ta shfrytëzojnë IUD, si kontracepsion më afatgjatë. KE nuk është metodë që përdoret për mbrojtjen nga Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST) ose HIV/AIDS.

Cilat janë efektet më të shpeshta anësore të kontracepsionit emergjent?
Pilulat kontraceptive emergjente nuk kanë efekte anësore serioze. Kryesisht, efektet anësore më të shpeshta të KE-së janë marrje mendsh dhe vjellja, por, megjithatë, një numër i vogël i grave mund të përjetojnë rrjedhje gjaku të parregullt. Efekte të tjera anësore, të cilat zakonisht zhduken brenda 24 orëve, mund të përfshijnë dhimbjen abdominale, dhimbje në gjoks, dhimbje koke, marrje mendsh dhe plogështi.
Këto pilula duhet të përdoren vetëm si kontracepsion emergjent, pasi përdorimi i vazhdueshëm e i rregullt i tyre mund ta dëmtojë shëndetin e gruas.

A është gruaja ende e rrezikuar nga një shtazani e mundshme, nëse kryen marrëdhënia seksuale pasi të ketë përdorur kontracepsionin emergjent?
Po. Kontracepsioni emergjent e parandalon shtatzëninë vetëm kur një grua e përdor atë pas marrëdhënies seksuale. Kjo nënkupton që ajo mund të mbesë shtatzënë, nëse merr kontracepsionin emergjent e më pas kryen prapë marrëdhënie seksuale, pa përdorur ndonjë lloj tjetër kontracepsioni. Nëse gruaja nuk dëshiron të mbesë shtatzënë, atëherë ajo duhet të përdorë kontracepsionin emergjent prapë.

Fleta burimore B

Kondomi mashkullor
Pilula vetëm progrestin
Unaza vaginale
Kondomi femëror
Pilulat e kontracepsionit emergjent (pilula “për të nesërmen”)
Kapela e qafës së mitrës
Fasha kontraceptive
Diafragma
“Spiralja” (iud)
Sfungjeri kontraceptiv
Kontrollimi i injektuar i lindjeve
Vasektomia
Sterilizimi
Kontraceptivet e kombinuara orale (pilula)