1 of 2

Mësimi 5: Çfarë është puna e grave?

Qëllimi: Të diskutohen ndasitë tradicionale gjinore që ekzistojnë në lloje të ndryshme të pumës.

Materialet e nevojshme: Letër tabele dhe lapsa.

Koha e rekomanduar: 45 minuta

Vërejtje për planifikim: Asgjë

Procedura:

  1. Shpjegojuni pjesëmarrësve që qëllimi i aktivitetit është të diskutohen llojet e punëve që gratë dhe burrat tradicionalisht bëjnë.
  2. Shpërndajuni secilit nga një copë letre dhe laps. Kërkoni nga ata që të formojnë një listë të të gjitha punëve që bëhen nga individë të ndryshëm në familjet e tyre, duke përfshirë këtu veten. Kërkojuni që të mendojnë për llojet e punës që bëhen nga të afërmit e tyre burra dhe t’i krahasojnë ato me llojet e kryera nga të afërmet gra. Për grupet me shkallë të ulët të të lexuarit, ndajini pjesëmarrësit në çifte apo grupe të vogla dhe kërkoni t’i diskutojnë këto pika.
  3. Ofroni 10-15 minuta kohë për pjesëmarrësit që të shkruajnë dhe/apo të diskutojnë.
  4. Ftoni secilin pjesëmarrës që të ndajë shembuj nga lista e tyre me grupin. Ata duhet të specifikojnë se cili lloj i punës kryhet nga burrat, cili nga gratë dhe cili nga të dy.
  5. Shkruani llojet e ndryshme të punës që përmenden në fletë tabele. Krijoni një listë të llojeve të punës që kryhen nga burrat, një listë të atyre që kryhen nga gratë dhe një të atyre që kryhen nga të gjithë.
  6. Pasi të gjithë pjesëmarrësit të kenë kontribuar, rishikojeni listën që keni krijuar me llojet e punëve që kryhen nga burrat dhe ato që kryhen nga gratë. Shikojeni veç e veç secilën punë dhe pyetini pjesëmarrësit, nëse ai lloj i caktuar i punës mund të kryhet edhe nga seksi tjetër. Nëse pjesëmarrësit thonë që një punë e caktuar nuk mund të kryhet nga seksi tjetër, sfidojini ata që të mendojnë më shumë dhe të shqyrtojnë edhe njëherë arsyet e tyre, derisa grupi të vijë te qëndrimi përfundimtar që, secila punë mund të kryhet nga të dy sekset.
  7. Angazhojini pjesëmarrësit në një diskutim rreth ndarjes së punës në bazë gjinore, duke shfrytëzuar pyetjet e mëposhtme:

PROCEDURË ALTERNATIVE: Çdo pjesëmarrës le të shkruajë ose të diktojë llojet e punëve që kryhen nga individë të ndryshëm në familjet e tyre, duke e përfshirë veten individualisht në letra të vogla. Palosini këto letra dhe vendosini në një kuti. Ndajeni grupin në dy ekipe. Thojini një pjesëmarrësi nga secili grup që të zgjedhë një letër dhe ta aktrojë atë që shkruhet në heshtje. Ekipi nga vjen aktori duhet të provojë të zbulojë se çfarë pune po aktrohet. Nëse ekipi nuk mund ta zbulojë, atëherë ofrojani mundësinë edhe ekipit tjetër. Ekipi që zbulon saktë punën fiton një pikë. Kjo lojë mund të luhet derisa udhëheqësi të shohë që ekipet kanë aktruar mjaftueshëm. Krijoni një listë në letër tabele të të gjitha aktiviteteve që janë aktruar dhe parashtroni pyetjet e mëposhtme gjatë diskutimit:

Pyetje për diskutim:

  1. A janë disa lloje të punës më të zakonshme për burrat? A ka lloje të punës që kryhen zakonisht nga gratë? Cilat janë arsyet për këto dallime?
  2. Nëse nuk është përmendur – a konsiderohet kujdesi ndaj fëmijës dhe amvisëria si punë? Pse po dhe pse jo? A është më mirë që burrat të kujdesen për fëmijët dhe punët shtëpiake apo gratë? Pse? A mendoni se gratë kanë instinkt më të mirë për këtë lloj pune? Shpjegojeni.
  3. A besoni që ka lloje të punës, të cilat gratë nuk mund t’i kryejnë? Pse? Cilat janë ato?
  4. A besoni se ka lloje të punës, të cilat burrat nuk mund t’i kryejnë? Pse? Cilat janë ato?
  5. Cili është roli që familja ka në formimin dhe riprodhimin e normave, për atë se cila punë është për burrat dhe cila është për gratë? (Shihni kutinë me tekst – Kukullat Barbie, kamionët lodra dhe çfarë na mësojnë këto gjëra për punën).
  6. A e kanë më të lehtë gratë që të gjejnë punë sesa burrat? Shpjegoni.
  7. A besoni që është në rregull për një punëdhënës që të mos punësojë një grua, sepse ajo mund të mbesë shtatzënë apo nëse ajo vërtet është shtatzënë?
  8. Gratë paguhen më pak për punën e njëjtë me burrat. Pse?
  9. Ka më pak gra sesa burranë pozitat e larta menaxheriale, ka më pak gra drejtore ekzekutive dhe në pozita më fuqi vendimmarrëse në përgjithësi. Pse?
  10. A e ka më të lehtë që të gjejë punë një gruame shkollim të lartë apo ajo me më pak ose pa shkollim? Për cilat lloje të punës kërkohet shkollim?
  11. Çfarë keni mësuar nga ky aktivitet? A keni mësuar ndonjë gjë që mund t’ju shërbejë në jetën dhe lidhjet tuaja? A do të bëni ndonjë ndryshim pas këtij aktiviteti?

Përmbyllje:

Ideja që disa lloje të caktuara të punës duhet të kryhen nga gratë dhe disa të tjera të kryhen nga burrat, është e bazuar në aspektin shoqëror e jo në atë biologjik. Përfshirja më e lartë e grave në llojet e punës që lidhen me kujdesin dhe shkathtësitë për amvisëri lidhet drejtpërdrejt me faktin se vajzat dhe vajzat shpeshherë rriten me këtë lloj të punës në shtëpi, që veç i përgatitë ato për këtë lloj të punës me pagesë në të ardhmen. Fatkeqësisht, këto aktivitete të zhvilluara nga gratë dhe vajzat fillimisht, përfshirë këtu detyrat shtëpiake, kujdestarinë dhe aktivitetet jo-formale të tregut, vazhdojnë të jenë të nënvlerësuara dhe të shpërfillura nga shoqëria, e nganjëherë edhe nga vetë gratë. Është e rëndësishme që të njihen e pranohen kontributet e mëdha që femrat kanë dhënë gjithnjë brenda dhe jashtë shtëpisë dhe të dihet që është e mundur për gratë që të kryejnë me sukses aktivitete tradicionalisht të kryera nga burrat, njëlloj siç është e mundur për burrat që të kryejnë aktivitete tradicionalisht të kryera nga gratë, duke përfshirë punën shtëpiake dhe kujdesin ndaj fëmijës.

Kukullat Barbie, kamionët lodra dhe çfarë na mësojnë këto lodra për punën

Përgjatë diskutimit, mund të jetë interesante t’i ftoni pjesëmarrësit që të mendojnë për lodrat e ndryshme me të cilat luajnë djemtë dhe vajzat dhe lidhshmëritë e mundshme të këtyre lodrave me llojet e punës që zakonisht kryejnë gratë dhe burrat. Për shembull, vajzat e vogla zakonisht luajnë me kukulla dhe lodra të tjera që lidhen me kujdestarinë dhe rolet shtëpiake. Djemtë e vegjël luajnë me vetura, me ndërtimin e mureve, si dhe lodra të tjera që lidhen me rolet garuese dhe agresive. Diskutoni se si këto përvoja të hershme janë pjesë të socializimit, në të cilin edhe vajzat, edhe djemtë mësojnë të identifikojnë llojet e punës dhe interesat.