Në shumicën e shoqërive, përkujdesja (ndaj fëmijëve, të sëmurëve, të moshuarve, etj.) shihet si “punë e gruas”. Studimet e bëra në ambiente të ndryshme kanë treguar që baballarët kontribuojnë vetëm një të tretën deri në një të katërtën e kohës për përkujdesjen e menjëhershme ndaj fëmijëve të tyre në krahasim me kohën që gratë kontribuojnë. Kjo përfshirje jo e barabartë në rritjen e tyre rrënjoset në mënyrën se si vajzat dhe djemtë edukohen. Për shembull, në shumë shoqëri, vajzat kalojnë pjesën më të madhe të kohës në shtëpi duke ndihmuar me punët e shtëpisë dhe duke u përkujdesur për fëmijët më të vegjël. Madje edhe kur vajzat janë duke luajtur, atyre shpesh ju ofrohen lodra që theksojnë përkujdesjen dhe punët shtëpiake (p.sh. kukulla ose enë gatimi). Në anën tjetër, djemtë shpesh nxiten të luajnë jashtë, e të mos luajnë me kukulla ose të marrin pjesë në lojëra të tjera “vajzash”. Gjersa rriten, djemtë drejtohen gjithnjë e më shumë drejt asaj që përgjithësisht konsiderohet si lojë “burrash”, siç janë sportet ose loja me makina e armë, ose drejt punëve shtëpiake për “burra”, si p.sh. të ndihmuarit e baballarëve në rregullimin e gjërave në shtëpi. Djemtë rrallë inkurajohen të kujdesen për fëmijët më të vegjël në të njëjtën mënyrë si vajzat ose të marrin pjesë në punët e shtëpisë. Nëse, dhe kur burrat bëhen baballarë, kontributi i tyre më i rëndësishëm shpesh perceptohet më shumë përmes rolit të tyre si shtyllë financiare e familjes, sesa si person që përkujdeset për të. Në të vërtetë, burrat shpesh shihen si të paaftë për t’u kujdesur për fëmijët dhe, në një farë mase, të nxitur nga shoqëria të mos marrin pjesë në të. Me pak fjalë, një grua përkujdeset, dhe një burrë sjell para. Edhe kur një burrë dëshiron të aktivizohet në kujdesin ndaj fëmijëve, institucionet shoqërore – nga familja, shkolla, punëdhënësit, institucionet e kujdesit shëndetësor, OJQ-të dhe ushtria, e deri te shoqëria si tërësi – ia mohojnë atij këtë mundësi.
Seminaret e vitit të kaluar janë përqendruar në diskutimin rreth aktivizimit të të dy partnerëve në prindërim, dhe janë zhvilluar punëtoritë e mëposhtme: “Çfarë do të thuash?”, “Burri si kujdestar”, “Shtatzënia. .. po apo jo? Të jesh nënë”, “Të gjitha në të njëjtën kohë”, “Cila është puna e një gruaje”?