Manuali “Programi Y – Rinia – Qasjet Inovative në Parandalimin e DHBGJ-së dhe Promovimin e Jetesës së Shëndoshë për Burrat e Rinj dhe Gratë e Reja” është një manual trajnimi për të punuar me burrat e rinj dhe gratë e reja të moshës prej 14 deri në 19 vjeç. Ky manual është përpiluar nga organizata CARE International Ballkan, në bashkëpunim me Instituto Promundo (Rio-de-Zhanejro), Status: M (Zagreb), Centre E8 (Beograd), Perpetuum Mobile (Banja Llukë), Association XY (Sarajevë), Youth Power (Mostar), PEN (Prishtinë), Synergy (Mitrovicë) dhe Counselling Line for Men and Boys (Tiranë).
Manuali i Programit Y – Rinia është për përdorim nga edukatorët në shkollat e mesme, ata që punojnë me të rinjtë dhe profesionistët e tjerë që punojnë me burrat e rinj dhe gratë e reja. Ky manual përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për ata që angazhohen në mbështetjen e zhvillimit të shëndetshëm të të rinjve. Duke përdorur lente gjinore, duke u përqendruar në maskulinitetin/-et dhe feminitetin/-et, ne synojmë të zbërthejmë disa prej sfidave me të cilat përballen burrat e rinj dhe gratë e reja në moshën e adoleshencës. Manuali synon t’i zhvillojë aftësitë e nevojshme për burrat e rinj dhe gratë e reja për të zhvilluar marrëdhënie të shëndetshme të bazuara në barazinë gjinore, për të kuptuar zhvillimin e tyre fizik, seksual dhe emocional, si dhe për t’i adresuar të gjitha format e dhunës në jetën e tyre të përditshme. Ky manual është një burim i rëndësishëm për organizatat qeveritare dhe ato joqeveritare (duke përfshirë ministritë që merren me arsimin dhe rininë) që e kuptojnë rëndësinë e mënyrës se si ndikojnë strukturat shoqërore gjinore rreth maskulinitetit dhe feminitetit në qëndrimet dhe sjelljet e djemve dhe burrave të rinj si dhe vajzave dhe grave të reja. Ky manual synon të zhvillojë aftësi dhe kompetenca të burrave të rinj dhe grave të reja për t’u përballur me sfidat e jetës, që shpesh janë pjesë e periudhës tranzitore të adoleshencës. Besojmë se, duke punuar me një qasje më gjithëpërfshirëse e jo duke adresuar një çështje të vetme, mund të arrijmë rezultate më pozitive.
Një karakteristikë e rëndësishme e këtij manuali është se është testuar dhe vërtetuar përmes hulumtimit dhe vlerësimit në shkollat e Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës.
Hulumtimi i kryer si pjesë e “Iniciativës së Burrave të Rinj” nga viti 2007 deri në vitin 2015 (dhe hulumtimi i kryer nga të tjerët) ka demonstruar qartë nevojën për t’i adresuar temat e larmishme të përfshira në këtë manual. Duke punuar vetëm me burrat e rinj dhe vetëm me gratë e reja, gjë që është e mundur në shkolla dhe mjedise të dominuara qoftë nga nxënësit meshkuj apo nxënëset femra, organizata CARE dhe partnerët e saj me shumë sukses po përdorin manuale specifike gjinore, Programin M (en) dhe Programin W (omen). Suksesi matet duke përdorur vlerësimin fillestar dhe vlerësimin e përfundimtar në shkollat me të cilat organizata CARE dhe partnerët e saj kanë punuar në të kaluarën. Megjithatë, shumica dërmuese e shkollave janë të përziera në aspektin gjinor. Prandaj, ne kemi vendosur të krijojmë një mjet të ri për të punuar në shkolla të përziera në aspektin gjinor.
Gjatë adoleshencës, burrat e rinj dhe gratë e reja shpesh përfshihen në një sërë sjelljesh të rrezikshme. Këto sjellje mund të përfshijnë konsumimin e tepruar të alkoolit (pirja e alkoolit deri në dehje), eksperimentimin me droga dhe ekspozimin ndaj dhunës qoftë si viktimë, qoftë si autor i dhunës. Është një periudhë eksperimentimi për ta, pasi ata përpiqen të përcaktojnë llojin e burrave ose grave që duan të bëhen. Shumë burra të rinj dhe gra të reja fillojnë të dalin në takime dhe kryejnë marrëdhëniet e tyre të para seksuale. Mungesa e njohurive dhe aftësive për t’u marrë me këto përvoja i vë ata në rrezik. E dimë nga studimet e bëra brenda Evropës se shkaqet kryesore të vdekjes së burrave të rinj adoleshentë janë aksidentet në trafik, vetëvrasjet dhe dhuna ndërpersonale. Normat gjinore dhe strukturat sociale të maskulinitetit shpesh kontribuojnë në këto sjellje dhe praktika të dëmshme. Mosbalancimi i fuqisë në vendimmarrje, cenueshmëria ndaj dhunës, vështirësia e qasjes në disa shërbime shëndetësore dhe pabarazia sociale, e cila kufizon mundësitë, janë vetëm disa prej pasojave të normave dhe traditave gjinore. Gjithashtu, respektimi i normave që idealizojnë vajzat e dobëta (të holla), si një shembull i asaj që është e dëshirueshme nga ana e shoqërisë tek vajzat gjatë moshës së pubertetit mund të bëjë që vajzat të ndjehen se duhet t’i përshtaten këtyre pritshmërive shoqërore. Si rezultat i kësaj është numri i shtuar i vajzave që ekspozojnë veten ndaj dietave ekstreme, gjë që është shumë e pashëndetshme gjatë moshës së pubertetit. Duke i fuqizuar të rinjtë që t’i njohin dhe t’i kundërshtojnë me sukses normat e dëmshme shoqërore, ne mund të zhvillojmë një masë kritike të të rinjve të cilët, duke përdorur njohuritë dhe aftësitë e tyre, do të marrin vendime që kontribuojnë në zgjidhjen e shëndetshme dhe jo të dhunshme të problemeve të marrëdhënieve dhe që promovojnë një shoqëri me barazi dhe drejtësi më të madhe.
Të rinjtë adaptojnë stilin e jetës së tyre personale gjatë tranzicionit nga familja dhe shtëpia tek mosha madhore nën ndikimin e një përzierje komplekse të proceseve ekonomike, sociale, kulturore dhe edukative. Ndikimi i pabarazive (gjinore, shoqërore, dhe/ose shëndetësore) mund të jetë i menjëhershëm, me rezultate dukshëm të dobëta në një varg treguesish dhe sjelljesh gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Këta faktorë mund të zvogëlojnë aftësinë e të rinjve për të marrë pjesë plotësisht në shumë aspekte të jetës dhe ndikojnë, për shembull, në vijueshmërinë në shkollë dhe në arritjet akademike, në funksionimin shoqëror, në pjesëmarrjen në sport dhe në shfrytëzimin e mundësive të punësimit. Rrjedhimisht, kjo mund të ndikojë në cilësinë e jetesës dhe në mirëqenien mendore. Edukimi për aftësitë jetësore mund të jetë një faktor lehtësues kundër disa prej këtyre sfidave. Gjatë nëntë viteve të zbatimit të Programit M në shkollat e mesme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, organizatat partnere, profesorët, pedagogët, prindërit dhe ministritë përgjegjëse kanë parë nevojën për përfshirjen e vajzave dhe grave të reja në përpjekjet e përbashkëta edukative. Ky manual është përgatitur përmes një procesi pjesëmarrës trevjeçar. Është i botuar në gjuhën angleze dhe kroate/serbe/boshnjake/shqipe për të inkurajuar përdorimin në gjithë rajonin. Manuali është hartuar për të punuar paralelisht me një fushatë për stilin e jetesës në shkollë dhe në komunitet, që promovon një version më pozitiv dhe më të shëndetshëm të asaj së çfarë do të thotë të jesh burrë dhe grua. Për burimet rreth fushatës, ju lusim që të konsultoheni me partnerin/-ët lokal/-ë të secilit vend. Organizata CARE dhe partnerët e saj inkurajojnë organizatat qeveritare dhe ato joqeveritare që ta miratojnë këtë manual si pjesë e përpjekjeve të tyre gjithëpërfshirëse rreth edukimit për aftësitë jetësore. Çdo qasje duhet t’i bëjë bashkë shkollat, komunitetet, familjet dhe akterët tjerë të rëndësishëm të shoqërisë civile për t’i mbështetur të rinjtë kur ata kalojnë në moshën e të rriturve të rinj.
Në punën tonë me pedagogë, drejtorë, mësues, profesorë, edukatorë dhe me të gjitha palët tjera të ndryshme të përfshira në tërë procesin, kemi vërejtur nevojën për ta sjellë Programin Y më afër gjeneratës së re. Për ta bërë një gjë të tillë kanë qenë 3 arsye kryesore:
Ju dëshirojmë shumë sukses gjatë përdorimit të manualit dhe këtij kursi online!