1 of 2

Mësimi 1: Nga dhuna tek respekti në lidhjet intime

Qëllimi: Për të diskutuar për dhunën në marrëdhëniet intime dhe si të ndërtohen marrëdhënie intime mbi bazën e respektit.

Materialet e nevojshme: Letër për tabelë, laps për të shënuar në tabelë dhe ngjitës.

Koha e rekomanduar:90 minuta

Vërejtje për planifikim:

Është e rëndësishme të kuptohet se të rinjtë mund të ndihen të pazotë për t’u përgjigjur ndaj dhunës që e shohin, kur të tjerët e kryejnë. Shumë prej tyre mund të besojnë se nuk duhet të përzihen në punët e të tjerëve. Gjatë gjithë këtij aktiviteti, është me rëndësi që të eksplorohet kjo pazotësi, të cilën e ndiejnë të rinjtë kur shohin një njeri tjetër që përdor dhunë në shtëpi.
Ky aktivitet përfshin luajtjen e roleve me karakteret femra. Nëse jeni duke punuar me grup ku ka vetëm meshkuj, atëherë mund të mos kenë dëshirë që ta luajnë rolin e femrës. Inkurajojeni grupin të jetë fleksibil. Nëse asnjëri prej të rinjve nuk dëshiron të aktrojë si femër, mund t’u kërkoni që ta përshkruajnë vendin e ngjarjes duke përdorur fot apo në formë narrative.

Procedura:

1. Shpjegojuni pjesëmarrësve se qëllimi i këtij aktiviteti është të diskutohen dhe të analizohen mënyrat e demonstrimit dhe përjetimit të marrëdhënieve intime, bazuar në respekt.
2. Ndajini pjesëmarrësit në grupe të vogla dhe kërkoni që të shpikin një lojë të shkurtër me role apo një skeç.

  • Kërkoni nga dy grupe t’i paraqesin marrëdhëniet intime – i dashur/e dashur ose burrë/grua – në të cilën ka ndodhur skena e dhunës.
  • Kujtojani pjesëmarrësit diskutimin mbi aktivitetin “Çfarë është dhuna” dhe theksoni se dhuna e portretizuar në skeç mund të jetë fizike, por jo patjetër. Kërkoni prej tyre që të përpiqen të jenë realë, duke përdorur shembuj të personave dhe incidenteve që i kanë parë si dëshmitarë ose që i kanë dëgjuar në bashkësinë ku jetojnë.
  • Kërkoni nga grupet e tjera që t’i paraqesin marrëdhëniet intime, por të bazuara në respekt reciprok. Mund të ketë konflikte apo dallime të opinioneve, porse prezantimi duhet të tregojë se si duket respekti në marrëdhënie, dhe se nuk duhet të përfshijë dhunë.

3. Jepuni 15 deri 20 minuta kohë grupeve që të shkruajnë tregimet dhe skeçin. Tregojuni grupeve se skeçet nuk duhet të jenë më të gjata se pesë minuta.
4. Ftojini grupet që t’i paraqesin skeçet e tyre. Pas secilit skeç, ftojini pjesëmarrësit e tjerë që të bëjnë pyetje rreth asaj që kanë parë.
5. Kur të gjitha grupet ta kenë kryer, ndihmoni zhvillimin e një diskutimi, duke përdorur pyetjet në vijim.

Pyetje për diskutim:

  1. A ishin të vërtetë shembujt e dhunës në skeçe? A shihni situata të ngjashme në bashkësinë tuaj?
  2. Cilat janë karakteristikat e marrëdhënieve të dhunshme?
  3. Cilat mendoni se janë shkaqet e dhunës në marrëdhëniet intime?
  4. Në skeçet lidhur me dhunën, si do të kishin aktruar më ndryshe personazhet?
  5. A përdorin vetëm burrat dhunë kundër grave, apo edhe gratë përdorin dhunë kundër burrave? Si janë të dhunshmit? Si duhet të reagojnë burrat për këtë dhunë?
  6. Kur i shihni çiftet duke përdorur dhunën, çfarë mendoni zakonisht?
  7. Çfarë mund të bënit? Ku mund të shkoni për të kërkuar ndihmë?
  8. Çfarë roli luan alkooli dhe substancat e tjera në dhunën midis një marrëdhënieje?
  9. Cilat janë pasojat e dhunës në marrëdhëniet intime?
  10. Cili është reagimi shoqëror/i komunitetit për dhunën në marrëdhënie?
  11. Si duket një marrëdhënie intime e shëndoshë? A shohim shembuj të marrëdhënieve të respektueshme në familje dhe komunitet?
  12. Çfarë mund të bëjmë individualisht që të ndërtojmë marrëdhënie të shëndetshme intime?
  13. Çfarë mund të bëjmë si komunitet?

Përmbyllje:

Konfliktet ndodhin në të gjitha marrëdhëniet. Mënyra si i menaxhoni këto konflikte ka peshë të madhe. Të mësosh se si ta kalosh kohë duke menduar për ndjenjat e tua dhe për t’i shprehur vetë në mënyrë të qetë dhe paqësore, është një pjesë e rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe të respektueshme.

Lidhjet në internet

Aktiviteti “Të shprehurit e emocioneve” ofron mundësinë që të rinjtë të hulumtojnë se sa e lehtë ose e vështirë është për ta që të shprehin zemërimin dhe emocionet e tjera, si dhe për të reflektuar në atë se si ndikon kjo në marrëdhëniet e tyre.

Në aktivitetin “Dëshiroj… nuk dëshiroj, dëshiroj….nuk dëshiroj”, të rinjtë mund ta praktikojnë se si t’i zgjidhin mospajtimet në marrëdhëniet intime. Aktiviteti është shkruar duke pasur parasysh negociatat për abstinencë ose seks, por mund të përshtatet me qëllim që të eksplorohet se si t’i menaxhojmë dallimet dhe opinionet apo dëshirat e ndryshme që mund të ngrihen në kontekstin e marrëdhënieve.