Që nga viti 2007, Programi Parandalues i Dhunës në Baza Gjinore për Ballkanin Perëndimor – Iniciativa e Burrave të Rinj (YMI) – ka punuar për të ndërtuar qëndrime dhe sjellje të barabarta gjinore ndër burra të rinj dhe për të zvogëluar si dhunën nga burrat e rinj (ndaj grave të reja) ashtu edhe dhunën ndër bashkëmoshatarë (dhunën nga burrat e rinj ndaj burrave të tjerë të rinj) në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi. Për më tepër, YMI u zgjerua edhe në Kosovë në vitin 2010 dhe në Shqipëri në vitin 2013. Udhëhequr nga CARE Ballkans, me mbështetje teknike nga Promundo dhe Qendra Ndërkombëtare për Hulumtime të Gruas (ICRW) dhe me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADA), Qeveria zvicerane, Fondacioni OAK dhe CARE Deutschland-Luxemburg, ky program i ka kundërshtuar normat sociale rreth maskulinitetit dhe dhunës përmes punëtorive edukuese nëpër shkolla dhe fushatave të marketingut shoqëror duke pasur në shënjestër burrat e rinj dhe gratë e reja të moshës 14-19 vjeç.
“Iniciativa për Burrat e Rinj” dhe programet në kuadër të kësaj iniciative kanë ardhur nga Programi H (Hombre) i cili ka filluar në periudhën 2006-2007, dhe deri më tani është zbatuar me sukses në 22 shtete të botës.
Në periudhën 2007-2013, Programi M (Men) është zhvilluar si metodologji për të punuar me burrat e rinj. Në të njëjtën periudhë janë zhvilluar punëtori shtesë për të punuar me vajzat e reja. Në këtë periudhë, ne kemi zbatuar hulumtimin e PLA-së, kemi përshtatur programin në kontekstin vendor, kemi realizuar 2 studime cilësore dhe sasiore që konfirmojnë efektet pozitive të programit në B dhe H, Serbi dhe Kroaci. Ne kemi zbatuar edukimin metodologjik për mësimdhënësit nga Serbia, B dhe H dhe Kroacia. Gjatë këtyre aktiviteteve edukative, mësimdhënësit kanë zhvilluar iniciativa për zhvillimin e programit që do të ishte gjithëpërfshirës si për vajzat ashtu edhe për djemtë – burrat e rinj dhe gratë e reja.
Sot kemi faktin që në manualin e ri janë integruar 13 vite të zbatimit të suksesshëm të aktiviteteve. Praktikat e dëshmuara dhe të suksesshme tani janë përshtatur me nevojat e shkollave dhe u ofrohen shkollave.
Qasja e YMI-t bazohet në një kurrikulë të transformimit gjinor të përshtatur nga Programi H i Instituto Promundo dhe të projektuar për të nxjerrë një vlerësim kritik mbi normat gjinore që nxisin dhunën dhe sjelljet e tjera jo të shëndetshme. Shkalla e lartë e përdorimit të alkoolit në rajon ka bërë gjithashtu që programi të fokusohet në konsumimin e alkoolit me rrezik të lartë, që lidhet me më shumë gjasa për ushtrim të dhunës në shumë mjedise. YMI zbatohet në shkollat e mesme profesionale, duke mundësuar nivele të larta të pjesëmarrjes nga djemtë dhe vajzat e moshës 14 deri në 19 vjeç që nga viti 2013. Vënia e fokusit tek të rinjtë është e rëndësishme pasi adoleshenca paraqet një kohë të rëndësishme në procesin e shoqërizimit kur qëndrimet dhe sjelljet janë në zhvillim e sipër. Në shkollat pjesëmarrëse, sesionet e YMI që zgjasin prej tetë deri në dhjetë orë, të udhëhequra nga lehtësues të trajnuar, integrohen në orarin e rregullt të orëve mësimore gjatë vitit akademik, me fokus në katër fusha kryesore të programit, si në vijim: (1) qëndrimet gjinore; (2) dhuna; (3) seksi, shëndeti dhe mirëqenia; dhe (4) përdorimi i alkoolit dhe i drogave. YMI gjithashtu shtrihet edhe përtej klasës shkollore. Programi përfshin një trajnim rezidencial, ku lehtësuesit udhëheqin sesione shtesë dhe aktivitete për ndërtimin e ekipit në një mjedis më zhytës. Për më tepër, programi përfshin fushatën e stilit të jetesës “Bonu Burrë”, e cila ka për qëllim të forcojë mesazhet kryesore të programit YMI dhe të nxisë ndryshimet në nivelin e shkollës dhe më gjerë. Fushata mbështetet nga një larmi materialesh edukative, rrjetet sociale dhe “veprimet” e organizuara dhe të kryera nga nxënësit pjesëtarë të klubeve “Bonu Burrë”. Pjesëtarët e klubeve “Bonu Burrë” përfshijnë djem të rinj dhe vajza të reja. Që nga viti 2015 në këto klube janë inkuadruar disa qindra pjesëtarë aktivë, me ç’rast në Bosnje dhe Hercegovinë janë 350 pjesëtarë, në Serbi 241 pjesëtarë, në Kosovë 636 pjesëtarë, në Kroaci 35 pjesëtarë dhe në Shqipëri 60 pjesëtarë.
Filozofia udhëheqëse e YMI është që djemtë duhet të kuptohen si aleatë kritikë në promovimin e marrëdhënieve dhe komuniteteve të shëndetshme dhe jo të dhunshme, në vend se të shihen si pengesa për paqen dhe barazinë gjinore. Vajzat, si anëtare aktive të komunitetit, duhet të jenë akterë efektivë brenda shoqërive, si dhe agjentë të ndryshimeve. Aktualisht ne po shohim që vajzat nuk po paraqiten vetëm si viktima, por edhe si autore të dhunës, megjithëse në një masë më të vogël se djemtë. Si djemtë ashtu edhe vajzat në adoleshencë kanë nevojë për edukim shtesë në lidhje me mënyrat e shëndetshme të jetesës dhe parandalimin e dhunës në baza gjinore, si një rrugë drejt barazisë më të madhe gjinore dhe një shoqërie më të barabartë gjinore.
YMI konsideron se nëse nxënësit mësojnë mbi dhunën dhe se si t’i sfidojnë normat dominuese gjinore, si dhe nëse kanë shanse për t’i praktikuar këto ide dhe aftësi të reja në hapësira të sigurta, atëherë ata do të kenë gjasa më të mëdha për të ngërthyer këtë informacion, i cili, me kalimin e kohës, do të rezultojë në të jetuarit e një mënyre jetese më të barabartë gjinore, të shëndetshme dhe jo të dhunshme. Për më tepër, përderisa normat e grupit të fillojnë të ndryshojnë, programi ndihmon për të nxitur një mjedis më tolerant, duke pranuar mjedisin në nivel shkolle.
Kjo trajektore e ndryshimit, ku djemtë dhe vajzat praktikojnë dhe ngërthejnë ide të reja, forcohet nga disa struktura mbështetëse, siç janë modelet e roleve jo të dhunshme (p.sh., lehtësuesit e YMI), rrjetet sociale mbështetëse dhe një mjedis shkollor inkurajues.
Baza e programit Y është edukimi dhe përmban udhëzime dhe informacione të qarta që janë të rëndësishme për organizimin, koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve edukative me të rinjtë. Duke marrë parasysh që shkolla jo gjithmonë është i vetmi vend ku të rinjtë fitojnë njohuri dhe aftësi të reja të jetës, ne e kemi rregulluar Programin Y për shkolla dhe arsimin formal, natyrisht pa përjashtuar edukatorët dhe trajnerët që zbatojnë ndërhyrjet informale edukative nëpër shkolla. Kjo është arsyeja se pse, krahas udhëzimeve për zbatimin e punëtorive dhe sesioneve edukative, ne kemi përfshirë rezultatet e të nxënit në Programin Y për të dhënë një pasqyrë më të mirë në rezultatet e pritura (d.m.th., rezultatet e të nxënit) për mësimdhënësit, pedagogët dhe psikologët e shkollave.
…ne e kemi rregulluar Programin Y për shkolla dhe arsimin formal…