1 of 2

Mësimi 2: Kompetencat e edukatorëve dhe lehtësuesve

KOMPETENCAT E EDUKATORËVE DHELEHTËSUESVE

Programi Y fuqizon të rinjtë dhe i përgatit ata të merren në mënyrë efektive me sfidat gjatë rritjes. Kjo mund të arrihet përmes transformimit të qëndrimeve të të rinjve, forcimit të aftësive jetësore, avancimit të njohurive dhe nivelit të vetëdijesimit, si dhe formimit të grupeve pozitive të bashkëmoshatarëve që ndryshojnë normat dhe përfaqësojnë grupet e “reja” të referencës, të cilave u bashkohen të rinjtë dhe përpiqen t’u përkasin atyre.

Duke pasur parasysh kompleksitetin e ndikimit dhe gamën e gjerë të strategjive që përdor, Programi Y dhe suksesi i tij në masë të madhe varen nga kompetencat e mësimdhënësve dhe edukatorëve të përfshirë në procesin edukativ.

Fuqizimi i të rinjve për t’i kuptuar emocionet e tyre, për të menduar në mënyrë kritike për vendimet e tyre dhe ndikimet mjedisore janë strategji kryesore për veprim, kështu që është e rëndësishme që të fuqizohen edukatorët dhe mësimdhënësit që të kontribuojnë përmes njohurive të tyre, qëndrimeve afirmative dhe përmes aplikimit të teknikave të ndryshme të të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Tendencat e reja tek të rinjtë dhe modelet e reja të sjelljes që shfaqen në mënyrë periodike dhe bëhen normative kërkojnë përshtatje të vazhdueshme të sektorit edukativ bazuar ndaj rrethanave të reja. Ulja e vazhdueshme e moshës së pëlqimit seksual, përdorimi i alkoolit dhe drogave në moshë të re, forma të reja të dhunës digjitale, rrjetet sociale, stereotipat gjinorë si dhe lidhja e tyre me sjelljet e rrezikshme dhe të dëmshme kërkojnë që sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë të marrin qasje të reja për t’iu përgjigjur këtyre problemeve në mënyrë efektive. Shumë mësimdhënës dhe prindër nuk kanë pasur mundësinë të njihen me këto tema gjatë edukimit të tyre, dhe as nuk kanë aftësi të përballen me to. Programi Y, përmes gjithë përmbajtjes së tij, kontribuon drejtpërdrejt në ndikimin e të gjithë faktorëve të mësipërm të rrezikut dhe sjelljeve negative. Por, për të qenë të suksesshëm, mësimdhënësit dhe edukatorët duhet të:

Çdo komunitet lokal i ka specifikat e veta, kështu që Programi Y dhe përmbajtjet që janë aktuale në një komunitet mund të mos jenë relevante për një tjetër. Prandaj është e rëndësishme që edukatorët të kuptojnë kontekstin lokal, të përdorin të dhëna dhe hulumtimet në dispozicion lidhur me problemet, zakonet shëndetësore dhe tendencat në zhvillim midis të rinjve. Kontekstualizimi i programit është hapi i parë në zbatimin e tij, prandaj mësimdhënësit dhe edukatorët, pavarësisht temës, duhet të sjellin secilin në kontekstin lokal.

Seksioni mbi shëndetin seksual dhe atë riprodhues kërkon kompetenca shtesë, duke pasur parasysh që këto tema janë tabu, dhe që njerëzit flasin rreth tyre me frikë ose turp ose nuk flasin fare për to. Jo vetëm që këto tema janë shpesh tabu, por shumë mësimdhënës dhe vendimmarrës nuk e dinë se ka dëshmi të qartë të efekteve pozitive të arsimit në këto tema. Prandaj, është e një rëndësie të veçantë që mësimdhënësit dhe prindërit të kuptojnë që programi është i përqendruar në përfitimet që fëmijët e tyre kanë nga mësimi për këto tema dhe se nuk ekziston rrezik i bisedave të hapura, por vetëm përfitime për fëmijët e tyre.

Programi Y mëson të rinjtë, përmes përmbajtjeve të ndryshme, se si t’i dallojnë marrëdhëniet e shëndetshme nga ato të pashëndetshmet, si të jetojnë me më shumë besim dhe si të vlerësojnë mendimet e tyre pa zvogëluar rëndësinë e mendimeve të të tjerëve, si t’i kuptojnë ndjenjat e tyre, aspektin shoqëror dhe emocional të seksualitetit, rritjen dhe pubertetin, rolet gjinore, identitetin gjinor dhe rreziqet seksuale, temat që në mjediset tradicionale mund të shihen si komplekse për t’u diskutuar dhe folur rreth tyre. Në kontekstin e diskutimeve, mësimdhënësit dhe të rinjtë mund të përballen me qëndrime dhe vlera diametralisht të ndryshme si dhe me dobësi të ndryshme individuale, kështu që mësimdhënësi ose edukatori duhet të jetë i përgatitur të ketë një dialog të hapur me nxënësit dhe t’i ndihmojë ata të kërkojnë alternativa dhe të arrijnë në përfundime që janë në frymën e ruajtjes së shëndetit. Gjithashtu, qëndrimet mes të rinjve mund të jenë dukshëm të ndryshme dhe mësimdhënësi ose edukatori me aftësitë e tij duhet të krijojë një mjedis të sigurt dhe motivues që ua mundëson të rinjve të eksplorojnë pikëpamjet e tyre përmes ndërveprimit me moshatarët dhe mundësisht t’i korrigjojnë nëse është e nevojshme.

Mësimdhënësit dhe edukatorët i përkasin shoqërisë në të cilën jetojnë, kështu që është e qartë se ata janë të ndikuar nga normat e tjera kulturore dhe shoqërore që ekzistojnë në mjedisin e tyre. Kjo mund të ndikojë në vendosmërinë e disa mësimdhënësve për të folur apo për të mos folur mbi temat e “ndjeshme”. Këto norma mund të jenë një predispozitë për zhvillimin e qëndrimeve dhe vlerave që janë në kundërshtim me përmbajtjen e Programit Y dhe mësimdhënësit e tillë nuk do të jenë bashkëbisedues të mirë për të rinjtë, kështu që është e një rëndësie të veçantë që mësimdhënësit t’i analizojnë pikëpamjet e veta në lidhje me gjetjet e studimeve dhe hulumtimeve në dispozicion që vënë në dyshim rëndësinë dhe efektivitetin e arsimit në tema të ndjeshme.

Shihni:

Ne jetojmë në një kohë të zgjerimit të revolucionit të informacionit dhe të rinjtë kanë qasje në një shumëllojshmëri informacionesh mbi seksualitetin, të drejtat seksuale, drogën, marrëdhëniet e të rinjve dhe tema të tjera të rëndësishme. Të rinjtë ka shumë të ngjarë të marrin informacione mbi këto tema përmes përdorimit të Internetit, përmes rrjeteve sociale, duke biseduar me bashkëmoshatarët, dhe një pjesë më e vogël e këtyre informatave vjen nga biseda me prindërit dhe autoritetet e tjera. Kjo është arsyeja pse të rinjtë nuk mund të jenë të sigurt se informacioni që marrin nga bashkëmoshatarët ose përmes Internetit dhe rrjeteve sociale është i verifikuar dhe i saktë. Gjithashtu, sasia e madhe e informacioneve në dispozicion mund të jetë hutuese për të rinjtë dhe shumë prej këtyre informacioneve nuk ofrojnë një kontekst të qartë. Mësimdhënësit mund të mbështesin të rinjtë në sortimin dhe identifikimin e informacionit të saktë dhe të pasaktë, dhe është veçanërisht e rëndësishme t’i ndihmoni të rinjtë t’i përpunojnë informacionet e rëndësishme dhe të sakta dhe t’i vendosin ato në një kontekst që është i rëndësishëm për të rinjtë. Qasja pjesëmarrëse si bazë e Programit Y ua ofron mësimdhënësve mundësinë që përmes ndërveprimit me nxënësit t’i verifikojnë burimet e informacionit që ata përdorin dhe të kontrollojnë nivelin e vetëdijes, nivelin e të kuptuarit të informacionit që ata posedojnë dhe korrigjimin e informacioneve të pasakta me ato që verifikohen dhe kontekstualizohen. Mësimdhënësi duhet t’i ndihmojë të rinjtë të mësojnë se si t’i dallojnë burimet e besueshme të informacionit nga ato që ne i klasifikojmë si jo të besueshme.