1 of 2

Mësimi 2: Të kuptuarit e ciklit të dhunës

Qëllimi: Të diskutohen pasojat e dhunës dhe lidhja midis dhunës që përjetojnë gratë e reja dhe dhunës që ato ushtrojnë ndaj të tjerëve.

Materialet e nevojshme: Letër për tabelë, lapsa për të shënuar në tabelë, lapsa/stilolapsa, kopje të Fletës Burimore 8 ose pesë copa të vogla të letrës për secilin pjesëmarrës.

Koha e rekomanduar: 45 minuta

Shënime për planifikim: Nëse një pjesëmarrës raporton që ai ose ajo po përjeton ndonjë lloj të dhunës ose që ai apo ajo kohët e fundit ka përjetuar ndonjë lloj të abuzimit – përfshirë këtu abuzimin seksual ose abuzimin sistematik në shtëpi – dhe është më i/e ri/e se 18 vjeç, në disa vende udhëheqësi duhet ta raportojë faktin tek autoritetet mbrojtëse të fëmijëve dhe adoleshentëve. Para se të bartë ndonjë detyrë nga ky manual, udhëheqësi duhet të konsultohet me organizatën e vet, me qëllim që t’i qartësojë kërkesat relevante etike dhe ligjore, për sa i përket dhunës ndaj personave nën moshën 18 vjeç.

Procedura:

  1. Para sesionit, ngjitini pesë copat e letrës në mur. Në secilën letër shkruani pesë kategoritë e mëposhtme:
    • Dhuna e përdorur kundër meje.
    • Dhuna që kam përdorur kundër të tjerëve.
    • Dhuna që kam parë.
    • Si ndihem kur e përdor dhunën.
    • Si ndihem kur dhuna përdoret kundër meje.
  2. Në fillim të sesionit, shpjegojuni pjesëmarrësve se qëllimi i këtij aktiviteti është që të bisedohet për dhunën në jetën tonë dhe në bashkësinë ku jetojmë. Analizojeni fletën nga aktiviteti i mëparshëm, lidhur me dhunën.
  3. Jepini secilit pjesëmarrës pesë copat e vogla të letrës.
  4. Kërkoni që pjesëmarrësit të mendojnë për ca kohë, në lidhje me pesë kategoritë e dhëna më lart, e pastaj të shkruajnë një përgjigje të shkurtër për secilën prej tyre në copat e letrës, të cilat ua keni dhënë. Duhet ta shkruajnë përgjigjen në secilën copë letre, por nuk duhet ta shkruajnë emrin në to.
  5. Jepni 10 minuta kohë për këtë detyrë. Shpjegojuni pjesëmarrësve se nuk duhet të shkruajnë gjatë, vetëm disa fjalë apo shprehje, dhe pastaj ta ngjisin atë në fletën përkatëse të tabelës.
  6. Pasi ta kenë ngjitur copën e letrës, lexoni me zë disa prej përgjigjeve, për secilës kategori.
  7. Hapeni diskutimin me pyetjet më poshtë. Përdoreni shkopin tregues, nëse është e nevojshme.

Pyetje për diskutim:

1. Cili është lloji më i rëndomtë i dhunës që përdoret ndaj grave?
2. Cili është lloji më i rëndomtë i dhunës që gratë përdorin kundër të tjerëve?
3. Si ndihemi kur përdorim dhunë kundër të tjerëve?
4. A ka ndonjë lidhje midis dhunës që përdorim dhe dhunës që është përdorur kundër nesh?
5. A është një lloj dhune më e keqe se ndonjë dhunë tjetër?
6. Si e portretizojnë dhunën mediet (muzika, radio, filmat etj.)? (Shih rubrikën më poshtë)
7. Cila është lidhja mes dhunës në familjet dhe marrëdhëniet tona dhe ajo e llojeve të tjera të dhunës që i hasim në bashkësitë ku jetojmë?
8. Disa studiues thonë se dhuna është si një cikël, që do të thotë se dikush që ka qenë viktimë e dhunës ka gjasa që më vonë të kryejë vetë akte të dhunës. Nëse kjo është e vërtetë, a mund ta ndërpresim këtë cikël të dhunës?
9. A mendoni që burrat kanë ndonjë rol në parandalimin e dhunës ndaj grave? Shpjegojeni.
10. Çfarë keni mësuar në këtë aktivitet, që do t’ju ndihmojë ta tejkaloni dhunën? A keni mësuar ndonjë gjë që mund të aplikohet në jetën apo marrëdhënien tuaj?

Përmbyllje:

Shumë djem dhe vajza kanë përjetuar ose dëshmuar dhunë në ndonjë moment të jetës së tyre, shpeshherë të ushtruar nga burrat. Përgjithësisht mendohet se dhuna është pjesë “natyrale” ose “normale” e të qenit burrë. Sidoqoftë, dhuna është sjellje e mësuar – djemtë dhe burrat shpeshherë janë të rritur në atë mënyrë që të mendojnë se dhuna është mjet i pranueshëm për të mbajtur kontroll, sidomos ndaj vajzave, mjet për zgjidhjen e konflikteve dhe/ose për shprehjen nervoze. Por ashtu siç mësohet, dhuna mund të harrohet dhe të parandalohet. Kështu, është përgjegjësi e të gjithë individëve, grave dhe burrave, të përpiqen t’i rrisin djemtë dhe vajzat në atë mënyrë që ata të kuptojnë se si dhuna, qoftë ajo dhunë e ushtruar nga burrat ndaj grave ose dhunë e ushtruar ndaj fëmijëve nga prindërit, i pengon individët nga ndërtimi i lidhjeve pozitive dhe me dashuri.

Fleta e burimeve A

A i mëson media djemtë të jenë të dhunshëm?

Sipas disa studimeve, shikimi i pamjeve të dhunshme mund të lidhet me kryerjen e akteve të dhunës, porse kjo lidhje nuk është krejtësisht e qartë. Shikimi i dhunës në televizion ose në filma, mbase nuk “shkakton” dhunën te djemtë, por mund të kontribuojë në besimin e djemve, si dhe në besimin tonë në përgjithësi si shoqëri, se dhuna e meshkujve është normale, madje edhe e zakonshme. Çfarë mund të thuhet, kur flitet për gratë? A e shfaqin menjëherë nervozizmin po si meshkujt?