1 of 2

Mësimi 3: Shprehja e ndjenjave

Qëllimi: Për t’i njohur vështirësitë, me të cilat ballafaqohen të rinjtë në të shprehurit e emocioneve të caktuara, pasojat dhe marrëdhëniet e tyre.

Materialet e nevojshme: Letër për tabelë, ngjitës, lapsa për të shënuar në tabelë, copa të vogla letre, si dhe fleta e burimeve.

Koha e rekomanduar: 90 minuta

Vërejtje për planifikim: Para sesionit rekomandohet që moderatori ta bëjë këtë aktivitet njëherë vetë dhe të reflektojë, në lidhje me mënyrën se si i ka shprehur emocionet. Është me rëndësi të identifikohen qendrat lokale këshillëdhënëse apo profesionistët, te të cilët mund të drejtohen të rinjtë, nëse kanë nevojë.

Procedura:

1. Vizatoni pesë shtylla në letrën e tabelës dhe shkruani emocionet në vijim në formën e titujve: Frika, Dashuria, Trishtimi, Lumturia, dhe Zemërimi (shih fletën e burimeve për shembuj se si të renditen fjalët, si dhe renditjen e dhënë më poshtë).
2. Shpjegojuni pjesëmarrësve se këto janë emocione, të cilat do t’i diskutojnë në këtë aktivitet dhe për të cilat do të mendojnë se sa e lehtë apo e vështirë është për të rinjtë t’i shprehin.
3. Jepini secilit pjesëmarrës nga një copë të vogël letre dhe kërkoni që t’i shkruajnë pesë emocionet, të cilat po diskutohen, sipas radhës që i keni shkruar në letrën në tabelë. Pastaj lexoni udhëzimin në vijim:
Mendoni secilën prej këtyre emocioneve e shprehni me më lehtësi. Vendoseni numrin një (1) pranë emocionit që shfaqni më lehtë. Tani mendoni për emocionin, të cilin e shprehni lehtë, por jo aq lehtë sa të parin. Vendoseni numrin dy (2) pranë atij emocioni. Vendosni numrin tre (3) pranë emocionit që është midis, që do të thotë që nuk është as e vështirë dhe as e lehtë për ta shprehur. Vendoseni numrin katër (4) pranë emocionit, të cilin e shprehni me vështirësi. Në fund, vendoseni numrin pesë (5) pranë emocionit që keni më së shumti vështirësi që ta shprehni.
4. Pasi pjesëmarrësit ta kenë përfunduar renditjen e emocioneve, mblidhini copat e letrës dhe shkruajeni renditjen në shtyllat e vizatuara në letrën në tabelë (shih shembullin).
5. Me tërë grupin, reflektoni lidhur me ngjashmëritë dhe dallimet, të cilat i identifikoni mes pjesëmarrësve. Shpjegoni që:

  • Emocionet, të cilat janë numëruar me 1 dhe 2, janë ato të cilat jemi mësuar t’i shprehim shpesh në mënyrë të ekzagjeruar;
  • Numrat 4 dhe 5 janë ato të cilat jemi mësuar t’i shprehim më pak, ose ndoshta edhe t’i ndrydhim apo t’i fshehim;
  • Numri 3 mund të paraqesë emocionin, të cilin as nuk e stërmadhojmë e as nuk e ndrydhim, por mbase e marrim më natyrshëm.

6. Përdorni pyetjet në vijim, për ta moderuar diskutimin.

Pyetje për diskutim:

  • A keni zbuluar ndonjë gjë të re për vete nga ky aktivitet?
  • Pse njerëzit i zmadhojnë apo i ndrydhin disa prej emocioneve? Si mësojnë ta bëjnë këtë? Cilat janë pasojat e zmadhimit apo të ndrydhjes së emocioneve?
  • A ka ngjashmëri me mënyrën se si burrat i shprehin emocionet?
  • A ka dallime mes asaj si gratë dhe burrat i shprehin emocionet? Cilat janë dallimet?
  • A mendoni se gratë i shprehin më lehtë sesa burrat emocionet? Pse ndodh kjo?
  • Pse gratë dhe burrat kanë mënyra të ndryshme për t’i shprehur emocionet? Si ndikojnë moshatarët, familja, komuniteti, media etj., në mënyrën se si gratë dhe burrat i shprehin emocionet?
  • Si ndikon mënyra se si i shprehim emocionet në marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë (partnerët, familjen, shokët etj.)?
  • A është më lehtë apo më vështirë që të shprehen disa emocione me moshatarët tuaj? Me familjen? Me partnerët intimë?
  • Pse janë të rëndësishme emocionet? Jepni shembuj, nëse është e nevojshme: Frika na ndihmon në situata të rrezikshme, zemërimi na ndihmon që të mbrohemi. Kërkoni nga pjesëmarrësit shembuj të tjerë.
  • Si mendoni se do të ndikojë në mirëqenien tuaj të shprehurit më hapur të ndjenjave? Po në marrëdhënien tuaj me të tjerët (partnerët romantikë, familjen, shokët etj.)?
  • Çfarë mund të bëni që t’i shprehni emocionet në mënyrë më të hapur? Si mund të jeni më fleksibël në të shprehurit e asaj që ndieni?

HAP OPSIONAL: Do të ishte interesante të bënit një stuhi idesh, si grup i gjerë, për strategjitë e ndryshme lidhur me emocionet, e më pas ta inkurajoni secilin pjesëmarrës që të mbajë shënim reflektimet e tij personale dhe, nëse dëshiron, edhe t’i shkëmbejë ato reflektime me pjesëmarrësit e tjerë të grupit.

Përmbyllje:

Emocionet mund të shihen si një formë e energjisë që ju mundëson ta vëreni atë se çfarë po ju ndrydh apo ju shqetëson. Emocionet e ndryshme janë thjesht reflektim i nevojave të ndryshme, dhe se është më së miri të mësoheni se si të silleni me emocionet tuaja, kur ato ju paraqiten në jetë. Të qenët të aftë për t’i shprehur emocionet tuaja, pa shkaktuar dëm te të tjerët, ju ndihmon të jeni individë më të fortë dhe ju ndihmon të afroheni më shumë me botën që ju rrethon. Ndryshon mënyra se si çdo person i shpreh emocionet e tij. Megjithatë, është me rëndësi të theksohen një varg tendencash, të cilat kanë dalë, veçanërisht që lidhen me atë se si rriten djemtë. Për shembull, ndodh rëndom që të rinjtë ta fshehin frikën, trishtimin dhe butësinë. Por po ashtu nuk është e hijshme që ta shprehin zemërimin përmes dhunës. Edhe pse nuk jeni përgjegjës për ndjesinë e emocioneve të caktuara, megjithatë jeni përgjegjës për atë që bëni me ato që i ndieni. Është tejet e rëndësishme që të bëhet dallimi mes “ndjenjave” dhe “të vepruarit”, me qëllim që të gjenden forma të të shprehurit të tyre, të cilat nuk ju shkaktojnë dëm as juve e as të tjerëve.

Lidhjet në internet

Do të ishte e dobishme që ky aktivitet të ndërlidhet me “Prej dhunës, në bashkëjetesë paqësore” (“From violence to pecaful coexistence), ku burri mund ta përjetojë dramën duke praktikuar alternativa pa dhunë, për t’ia dalë mbanë zemërimit dhe konflikteve në marrëdhënie.

Fleta burimore 3

Shembull i renditjes së emocioneve në letër tabele

Më poshtë e kemi dhënë shembullin se si të organizohen shtyllat e emocioneve dhe përgjigjet e pjesëmarrësve. Gjatë diskutimit, moderatori duhet t’i ndihmojë pjesëmarrësit që t’i identifikojnë ngjashmëritë dhe dallimet në renditje. Për shembull, tabela më poshtë tregon se ka një ndarje, pothuajse të barabartë në numrin e pjesëmarrësve, të cilëve iu duket e lehtë që ta shprehin zemërimin dhe atyre që iu duket e vështirë për ta bërë këtë. Kjo mund të çojë në diskutim të asaj se pse ekzistojnë këto dallime dhe, nëse të rinjve, në përgjithësi, iu duket e lehtë apo e vështirë ta shprehin zemërimin.

Diçka tjetër interesante në modelin e mëposhtëm është se pjesa më e madhe e pjesëmarrësve e kanë të vështirë ta shprehin frikën. Shpesh, burrat pritet të jenë trima dhe të mos kenë frikë, dhe kështu ky shembull do të ishte interesant të përdorej si bazë për diskutimin, lidhur me socializmin dhe normat gjinore.

Si përfundim, është me rëndësi të mbahet parasysh se mbledhja dhe radhitja e renditjeve në tabelë duhet të bëhet në formë anonime. Pra, çdo vijë në tabelën më lart duhet të paraqesë renditjen e një pjesëmarrësi të ndryshëm, porse nuk duhet të shkruhet emri i tij. Si në shembullin e mësipërm, moderatori mund ta shkruajë një numër, të cilit i referohen pjesëmarrësit gjatë diskutimit.