1 of 2

Mësimi 3: Shtatëzënia..po ose jo? Të qenit nënë

Qëllimi: Të diskutohen rolet dhe përgjegjësitë e grave dhe burrave në parandalimin e shtatzënisë. Të diskutohet amësia – pritshmëritë socio-kulturore që lidhen me të qenit nënë.

Materialet e nevojshme: Kopje të fletës burimore 7: Historia e Adrianës.

Koha e rekomanduar: 45 minuta

Vërejtje për planifikim: Nëse ka baballarë të rinj në grup, të inkurajohen për të reflektuar mbi pjesëmarrjen e tyre në përkujdesjen e fëmijëve dhe për të qenë më aktivisht të përfshirë. Për ata që nuk janë baballarë, pyetini se si ata e parashikojnë që do të jetë pjesëmarrja e tyre në të ardhmen.

Procedura:

1. Shpërndajeni (ose lexojeni me zë të lartë) historinë e Adrianës nga fleta burimore 7.
2. Bëni një diskutim që lidhet me fundet e mundshme.
3. Drejtoni një diskutim, duke përdorur pyetjet e mëposhtme:

  • A është kjo histori reale? Pse ose pse jo?
  • A shqetësohen vajzat rreth shtatzënive të paplanifikuara? Pse ose pse jo?
  • A flasin vajzat me partnerët e tyre rreth parandalimit të shtatzënisë?
  • Pse ose pse jo?
  • A shqetësohen djemtë rreth shtatzënive të paplanifikuara? Pse ose pse jo? A flasin ata rreth kësaj çështjeje me partnerët e tyre?
  • Çfarë lloj roli duhet të ketë burri në vendimet rreth kontracepsionit emergjent?
  • Çfarë opsionesh ka Adriana?

4. Adriana zbulon se është shtatzënë.
Vazhdoni diskutimin, duke përdorur pyetjet:

  • Çfarë kalon nëpër mendjen e një gruaje të re, kur ajo zbulon se është shtatzënë? A mund ta ndryshojë jetën e saj shtatzënia e paplanifikuar?
  • Çfarë zgjedhjesh ka ajo?
  • Çfarë kalon nëpër mendjen e një burri të ri, kur ai zbulon se partnerja e tij është shtatzënë? Si mund ta ndryshojë jetën e tij një shtatzëni e paplanifikuar? Çfarë zgjedhjesh ka ai? Si reagojnë prindërit, kur bija ose biri i tyre përballet me një shtatzëni të paplanifikuar?
  • Si mund të reduktohet numri i shtatzënive të paplanifikuara në komunitetin tuaj?
  • Çfarë opsionesh ka një grua, kur përballet me një shtatzëni të paplanifikuar?

6. Diskutoni çfarë do të thotë të qenit nënë në komunitetin tuaj. Si duket “nëna tipike” (mosha e saj, ku jeton, si duket, çfarë pëlqen të bëjë, a kishte planifikuar të bëhet nënë, sa fëmijë ka, a punon jashtë shtëpisë, a është e martuar…)
7. Drejtoni një diskutim, duke përdorur pyetjet e mëposhtme, për të përmbledhur gjithë aktivitetin:

Pyetje për diskutim:

  • A duhet që gjithë gratë të jenë nëna? Pse ose pse jo?
  • Si e sheh komuniteti një grua që nuk ka fëmijë? A është ndryshe kur kjo ndodh për shkak të zgjedhjes së saj dhe ndryshe kur ajo nuk mund të mbetet shtatzënë?
  • Si duhet të përfshihen burrat në vendimet për amësi?
  • Çfarë pret komuniteti prej një gruaje kur ajo bëhet nënë?
  • A janë sot pritshmëritë e të qenit nënë, të ngjashme me ato të së kaluarës? A janë të ndryshme? Si?
  • A janë pritshmëritë e të qenit nënë të ndryshme nga pritshmëritë e të qenit baba? Në çfarë mënyrash? Çfarë mendoni ju rreth kësaj?
  • A është ndryshe të qenit nënë në mjedise rurale dhe ato urbane? Si?
  • Si mund të jemi më pranues dhe mbështetës të vendimeve të femrave rreth amësisë?
  • Çfarë mësuat nga ky aktivitet? A keni mësuar diçka, të cilën mund ta aplikoni në jetën dhe lidhjen tuaj? A do të bëni ndonjë ndryshim, si rezultat i këtij aktiviteti?

HAP I MUNDSHËM PËR GRUPET ME MË SHUMË KOHË – Bëjeni këtë aktivitet ndaras me “Të qenit nënë”

  • Ndajini pjesëmarrësit në grupe më të vogla dhe jepuni 10 minuta kohë për të diskutuar një fund të mundshëm të historisë. Secili grup duhet të përgatisë një skeç, bazuar në fundin që ata zgjedhin.
  • Pasi secili grup të prezantojë skeçin e vet, pyetni nëse ka ndonjë fund tjetër të mundshëm?
  • Pyetini pjesëmarrësit, nëse kanë dëgjuar ndonjëherë për kontracepsionin emergjent (nëse kjo gjë nuk është sjellë ende nga grupet). Prezantoni informacione nga fleta burimore 4 B.
  • Kërkoni nga pjesëmarrësit të imagjinojnë se Adriana ka zbuluar se është shtatzënë. Kërkojuni atyre të kthehen te grupet e tyre dhe të diskutojnë përfundime të mundshme të historisë. Jepuni 10 minuta kohë për këto diskutime.

HAP I MUNDSHËM: Ndajini pjesëmarrësit në grupe dhe kërkojuni atyre të bëjnë skeçe, se si duket një ditë tipike për një nënë, duke përfshirë mënyrën si duket ajo.

Përmbyllje:

Ashtu siç duhet diskutuar vendimi për të pasur seks, po ashtu duhet diskutuar edhe vendimi rreth kontracepsionit dhe parandalimit të shtatzënisë së paplanifikuar, si dhe është e rëndësishme që të dy partnerët të jenë të barabartë të përfshirë në këtë proces. Gjithnjë është mirë të planifikohet përpara dhe të praktikohet seksi i sigurt, por, nëse dhe kur e shihni veten në rrezik të shtatzënisë së paplanifikuar, tabletat e kontracepsionit emergjent ofrojnë një opsion që, nëse përdoret në mënyrë korrekte, mund ta zvogëlojë dukshëm rrezikun. Në raste të dyshimit ose pasigurisë, kujtohuni të kërkoni informacion nga profesionistët e shëndetit ose persona të tjerë që kanë njohuri në komunitet.
Ekzistojnë disa opsione që lidhen me përfundimin e shtatzënive të paplanifikuara, por, edhe nëse është e paplanifikuar, një grua mund të vendosë ta mbajë fëmijën dhe të bëhet nënë. Fakti, nëse ajo do të bëhet nënë ose jo, gjithashtu mund të ndikohet nga ajo se çfarë shoqëria pret nga nënat e ardhshme dhe nëse ajo ndihet se dëshiron dhe është e aftë t’i përmbush ato pritshmëri. Shumë familje dhe kultura ende e shohin të qenit nënë si qendra e identitetit dhe e përmbushjes së gruas. Për më tepër, modele të caktuara të nënave – për shembull, ato që sakrifikojnë gjithçka për fëmijët dhe familjen – idealizohen, dhe të tjerat – ato që punojnë jashtë shtëpive të tyre – shpesh kritikohen. Është e rëndësishme që secila grua të vendosë për veten, nëse dhe si dëshiron të bëhet nënë, dhe të mbajë në mend se, ndërkohë që kujdesi ndaj të tjerëve mund të jetë shumë përmbushës, është e rëndësishme që gjithashtu të kujdeset edhe për veten.

Fleta burimore 7

Historia e Adrianës

Adriana është 17 vjeç, në vitin e fundit të shkollës. Pas diplomimit ajo planifikon të punojë dhe të studiojë. Ajo merr pjesë në aktivitetet e shkollës, duke përfshirë këtu gazetën e shkollës. Ajo është një vajzë shumë e lumtur, moderne, dinamike, me shumë shoqëri dhe është e sjellshme me të gjithë, sidomos me Leon, të dashurin e saj. Ata duan të kalojnë kohë së bashku dhe të ndajnë të njëjtat ëndrrat, një nga të cilat është një udhëtim i gjatë së bashku diku. Pasi kanë qenë bashkë për disa muaj, ata kanë vendosur të bëjnë seks për herë të parë. Adriana ndihej çuditshëm, por nuk kishte dhimbje aq sa shoqet i kishin thënë, ajo as nuk u ndje nervoze për të folur me Leon rreth përdorimit të kondomit. Sidoqoftë, një ditë, kur ata po bënin seks, kondomi u plasarit dhe Adriana nuk ishte duke përdorur asnjë lloj tjetër të kontrollimit të shtatzënisë. Ata të dy ishin të shqetësuar, sidomos duke pasur parasysh faktin se Adriana ishte në pjesën fertile të ciklit të saj. Miliona mendime filluan të kalonin nëpër mendjen e Adrianës. “Po nëse jam shtatzënë? Çfarë do të bëj?”