Qëllimi: T’u jepet të rinjve shansi të reflektojnë mbi qëndrimet e tyre, zgjedhjet, planet jetësore dhe si janë ata të ndikuar nga marrëdhëniet e tyre me të tjerët.
Materialet e nevojshme: Letra dhe lapsa, muzikë (opsionale).
Koha e rekomanduar: 45 minuta (një orë shkollore)
Vërejtje për planifikim: Para sesionit rekomandohet që moderatori ta bëjë këtë aktivitet njëherë vetë dhe të reflektojë, në lidhje me mënyrën se si i ka shprehur emocionet. Është me rëndësi të identifikohen qendrat lokale këshillëdhënëse apo profesionistët, te të cilët mund të drejtohen të rinjtë, nëse kanë nevojë.
HAP OPSIONAL: Vini muzikë për pjesëmarrësit, përgjatë kohës kur ata punojnë me përgjigjet e tyre.
PROCEDURË ALTERNATIVE: Gjithashtu, ky aktivitet mund të zbatohet duke u fokusuar në lloje të ndryshme të marrëdhënieve, për shembull, familje, shoqëri ose partnerë intimë. Pjesëmarrësit mund të zgjedhin llojet e caktuara të marrëdhënieve, të cilat ata do të donin t’i diskutonin, ose procedura mund të përsëritet, me qëllim që pjesëmarrësit të kenë mundësi t’i konsiderojnë të gjitha llojet e marrëdhënieve një e nga një.
Faktorë të shumtë formësojnë atë që ne jemi, si dhe ndikojnë te vendimet tona në jetë; familjet tona, njerëzit e tjerë të cilët janë të afërt me ne, komunitetet tona, rrjetet sociale, media, rolet gjinore etj. Është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm, se si mendimet e të tjerëve ndikojnë në mënyrën se si e sheh veten dhe zgjedhjet që ti bën. Kjo përfshin të qenit i aftë të dalloni se si disa nga këto mendime mund t’ju ndihmojnë të bëheni më i fortë, si dhe djem e vajza me më shumë vetëbesim – se si të tjerët mund t’ju kufizojnë apo t’ju bëjnë të ndiheni keq me veten. Në jetën tuaj duhet të përpiqeni të keni lidhje që ju ndihmojnë të jeni personi që ju dëshironi të jeni dhe t’ju bëjnë të ndiheni mirë me veten. Gjithashtu, duhet të jeni të vetëdijshëm se si ju ndikoni në mënyrë reciproke te të tjerët dhe t’i trajtoni të tjerët ashtu si dëshironi t’ju trajtojnë ju – ky është çelësi për ndërtimin e lidhjeve të barabarta dhe përmbushësh.