1 of 2

Mësimi 5: Çfarë të bëj kur jam i/e nevrikosur?

Qëllimi: Për t’i ndihmuar pjesëmarrësit që si ta kuptojnë kur janë të zemëruar dhe si ta shprehin zemërimin në mënyrë konstruktive dhe pa dhunë.

Materialet e nevojshme: Fletë për tabelë, letër, lapsa, ngjitës, dhe një numër të mjaftueshëm të kopjeve të fletës së burimeve për secilin pjesëmarrës.

Koha e rekomanduar:90 minuta

Vërejtje për planifikim: Asgjë

Procedura:

1. Fillojeni aktivitetin me një hyrje të shkurtër për temën, për shembull: shumë adoleshentë dhe burra nuk e kuptojnë ndryshimin midis zemërimit dhe dhunës, duke menduar se janë e njëjta gjë. Duhet të theksohet se zemërimi është një emocion, emocion natyral dhe normal, të cilin secila qenie njerëzore do ta ndiejë në një periudhë të caktuar të jetës. Dhuna është mënyra e të shprehurit të zemërimit, çka do të thotë se është një formë e sjelljes që mund të shprehet zemërimi. Mirëpo ekzistojnë shumë mënyra të tjera për ta shprehur zemërimin, pra mënyra më pozitive dhe më të mira sesa dhuna. Nëse mësojmë ta shprehim zemërimin tonë atëherë kur e ndjejmë, do të ishte më mirë sesa ta mbajmë përbrenda, pasi kur e lëmë zemërimin të grumbullohet, zakonisht tentojmë të shpërthejmë në shumë raste të tjera.
2. Shpjegojani grupit se qëllimi i aktivitetit është të diskutohet se si individët e shprehin zemërimin.
3. Jepni kopjet e fletës së burimeve. Lexojeni secilën pyetje dhe kërkoni që pjesëmarrësit t’u përgjigjen atyre pyetjeve në mënyrë individuale, duke lënë një kohë prej dy-tri minutash për secilën pyetje. Për grupet me njohuri të vogla, lexojini pyetjet me zë të lartë dhe bëni që pjesëmarrësit t’i diskutojnë në çifte ose të vizatojnë një pikturë.
4. Pas plotësimit të fletës, ndajeni grupin në katër grupe të vogla prej katër ose pesë pjesëmarrësish, më së shumti. Kërkoni që t’i shkëmbejnë përgjigjet me njëri-tjetrin. Jepuni 20 minuta kohë për këtë punë në grup.
5. Pjesëmarrësve ende në grupe të vogla, shpërndajuni një copë letër të tabelës dhe kërkojuni që të bëjnë një listë në të:
A.) Mënyrave negative të reagimit kur jam i/e zemëruar.
B.) Mënyrave pozitive të reagimit kur jam i/e zemëruar
6. Jepuni grupeve 15 minuta për t’i shkruar listat e tyre dhe pastaj kërkoni që secili grup t’i paraqesë përgjigjet e tyre para tërë grupit.
7. Ka gjasa që për “Mënyrat pozitive” pjesëmarrësit do të sugjerojnë: (1) Të marrë ajër të freskët, ose të numërojë deri në 10; dhe (2) të përdorim fjalë për ta shprehur atë që e ndiejmë pa ndonjë ofendim. Është me rëndësi të theksohet se “marrja e ajrit të freskët” nuk do të thotë të dalim dhe t’i hipim makinës (nëse ky është konteksti) e ta ngasim me shpejtësi të lartë, duke e ekspozuar veten ndaj rrezikut ose të shkuarit në bar dhe të dehurit me alkool. Nëse këto dy taktika të propozuara këtu nuk janë në asnjërën prej listave të prezantuara, shpjegojani ato grupit.

Shkurtimisht: Të marrësh ajër të freskët nënkupton thjesht të shmangesh nga një situatë konflikti dhe zemërimi, të largohesh prej një personi, ndaj të cilit ndieni zemërim. Mund të numërohet edhe deri në 10, të merret frymë thellë, të sillemi duke ecur paksa ose të bëjmë ndonjë aktivitet tjetër fizik, me qëllim qetësimi. Në përgjithësi, është me rëndësi për personin, i cili është i zemëruar, që t’ia shpjegojë tjetrit se ai po del të marrë pak ajër të freskët, sepse po ndihet i zemëruar, apo diçka të tillë, si “Me të vërtetë më ka ardhur në majë të hundës me ty dhe po dal të marr pak ajër të freskët. Më duhet të bëjë diçka, të dal për të shëtitur, në mënyrë që mos të bëhem i dhunshëm dhe të filloj të bërtas. Kur të qetësohem, mund të flasim sërish për problemin”.

Shembulli tjetër i një taktike për ta menaxhuar zemërimin është të provojmë të shprehemi pa i ofenduar të tjerët. Kjo nënkupton që ju ta shpreheni se pse jeni të shqetësuar dhe se shpresoni ta zgjidhni situatën, pa ofendime apo lëndime ndaj të tjerëve. Jepi grupit një shembull: nëse e dashura vonohet për takim, ju mund të kishit reaguar duke bërtitur: “Ti je lavire, gjithnjë po ndodh e njëjta gjë, duke të pritur!” ose mund ta shprehni se jeni i shqetësuar, por pa qenë ofendues, duke thënë, për shembull: “Shiko, jam i zemëruar me ty, sepse je vonuar. Herën tjetër, nëse mendon se nuk do të arrish me kohë, vetëm me njofto, më telefono që mos të rri të pres”.

Hap i opsional:

Nëse jua lejon koha, ftojini pjesëmarrësit të zhvillojnë lojë me role ose të mendojnë për shembuj të tjerë të situatave apo shprehjeve që e ilustrojnë dallimin mes britmës/përdorimin e fjalëve ofenduese dhe përdorimit të fjalëve që nuk ofendojnë.

Pyetje për diskutim:

1. Në vija të përgjithshme, a është e vështirë për burrat që ta shprehin zemërimin pa dhunë? Pse?
2. Cilat janë modelet tona që na shërbejnë të mësojmë se si t’i shprehim emocionet, duke përfshirë edhe zemërimin?
3. Shumë shpesh e dimë si t’i shmangemi konfliktit apo një përleshjeje, pa përdorur dhunë, por nuk veprojmë ashtu. Pse?
4. Nëse është e mundur “të marr pak ajër të freskët”, me qëllim të zvogëlimit të konfliktit? A keni pasur përvojë në provimin e kësaj strategjie. Si ka funksionuar më parë?
5. A është e mundur “që të përdoren fjalë pa ofendime”?
6. Çfarë kemi mësuar nga ky aktivitet? Si mund ta aplikoni këtë në jetën dhe marrëdhëniet tuaja?

Përmbyllje:

Zemërimi është emocion normal që e ndien çdo qenie njerëzore në një periudhë të caktuar të jetës. Megjithatë, problemi është se disa njerëz mund ta ngatërrojnë me dhunën, duke menduar se janë e njëjta gjë, dhe se mund të mendojnë që dhuna është një mënyrë e pranueshme e të shprehurit të zemërimit. Mirëpo, ekzistojnë mënyra të shumta të të shprehurit të zemërimit – mënyra më pozitive dhe produktive sesa dhuna.
Nëse mësojmë ta shprehim zemërimin kur e ndiejmë, mund të jetë më mirë sesa ta lëmë të grumbullohet brenda nesh, pasi shpesh kur e lëmë të na grumbullohet zemërimi kemi tendencë që të shpërthejmë.

Fleta burimore: Çfarë bëj kur jam i zemëruar

  1. Mendoni një situatë jo fort të largët kur keni qenë i/e zemëruar. Çfarë ka ndodhur? Përshkruaje shkurtimisht situatën (me një ose dy fjali):
  2. Tani, duke menduar për këtë incident, provoni të kujtoni se për çfarë po mendonit dhe po ndjenit. Përpiquni të shkruani një ose dy ndjenja, të cilat i keni ndjerë:
  3. Shpesh, kur ndihemi të zemëruar, reagojmë me dhunë. Kjo mund të ndodhë edhe para se ta kuptojmë se jemi të zemëruar. Disa njerëz reagojnë menjëherë, duke bërtitur, duke gjuajtur diçka në dysheme, duke goditur dikë apo diçka. Nganjëherë, mund të ndihemi të depresuar, të qetë dhe të mbyllur në vetvete. Duke menduar për incidentin kur keni qenë i/e zemëruar, si e keni demonstruar këtë zemërim? Si jeni sjellë? (Shkruani një fjali ose ca fjalë, për të treguar çfarë keni bërë ose si jeni sjellë).