1 of 2

Mësimi 5: Diversitetet seksuale

Qëllimi: Të diskutojmë identitetet seksuale, orientimet seksuale, homofobinë dhe nevojën për pranim më të madh të diversitetit seksual.

Materialet e nevojshme: Letër, lapsa dhe ngjitës

Koha e rekomanduar:90 minuta

Shënime për planifikim:
Para këtij aktiviteti, udhëheqësi duhet të ekzaminojë opinionet e tij dhe qëndrimet rreth diversitetit dhe orientimit seksual. Në shumë mjedise është një temë tabu dhe pjesëmarrësit mund të shprehin qëndrime dhe opinione të fuqishme. Përgjatë diskutimit, udhëheqësi duhet të synojë që të mbajë një pozicion të avokimit të respektit ndaj njerëzve të çfarëdo orientimi seksual, gjithmonë pa i censuruar pjesëmarrësit. Është e rëndësishme të dëgjohen komente të ndryshme – qofshin ato homofobike – dhe të kontestohen ato, por jo të gjykohen. Para sesionit, udhëheqësi duhet të identifikojë mitet e zakonshme dhe keqkuptimet rreth orientimit seksual, të cilat mund të integrohen dhe adresohen në diskutim. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme të hulumtohet informacion që lidhet me ligjet dhe lëvizjet lokale, të cilat promovojnë të drejtat e njerëzve dhe çifteve gay, si dhe burime, siç janë organizatat ose uebsajtet e ndryshme mbi orientimin seksual dhe të drejtat, të cilat mund të ndahen me pjesëmarrësit.

Procedura:

1. Zhvilloni stuhi idesh me pjesëmarrësit, për atë se si ata do ta përcaktonin homofobinë. (Fjalori Merriam webster e përcakton homofobinë si një frikë irracionale, mospëlqim ose diskriminim kundër njerëzve të orientimeve të ndryshme seksuale.)
2. Ndajini pjesëmarrësit në grupe të vogla dhe jepuni secilit grup një fillim të historive të përfshira në fletën burimore (ose fillime të tjera historish, të cilat udhëheqësi mund t’i krijojë).
3. Shpjegojuni grupeve se do të kenë 15 minuta kohë për të lexuar dhe vazhduar historitë.
4. Ftojini grupet të prezantojnë historitë e tyre (fillimin dhe detajet që ata kanë shtuar), duke i lexuar ato me zë të lartë, përmes dramatizimit ose metodave të tjera të zgjedhura nga ata.
5. Pas prezantimit të historive, përdorni pyetjet e mëposhtme, për të nxitur diskutim.

Pyetje për diskutim:

  1. A janë këto histori reale?
  2. Pse për shumë njerëz është e vështirë ta pranojnë homoseksualitetin ose sjelljen homoseksuale?
  3. Cili është dallimi midis lezbikeve, gay dhe biseksualëve?
  4. A mundet një person të ketë marrëdhënie seksuale me dikë të të njëjtit seks dhe të jetë heteroseksual?
  5. Çfarë lloj paragjykimesh dhe/ose dhune kundër gay-ve ose lezbikeve keni parë ose keni dëgjuar?
  6. Cilat janë pasojat e këtyre paragjykimeve dhe/ose kësaj dhune?
  7. Çfarë emrash përdoren zakonisht për t’iu referuar gay-ve? A ka ndonjëri nga këta emra konotacion negativ?
  8. A jeni quajtur gej ndonjëherë nga ndonjë nga shokët e tuaj, për shkak se nuk keni bërë diçka, si rrahja për shembull? Çfarë mendoni rreth kësaj? Pse mendoni se burrat quhen gej, kur ata nuk veprojnë në përshtatshmëri me normat dominuese të maskulinitetit?
  9. Çfarë mësuat nga ky ushtrim? Si mund ta aplikoni këtë në jetën dhe marrëdhëniet tuaja?

Përmbyllje:

Secili ka një orientim seksual – kjo do të thotë, ju jeni romantikisht dhe seksualisht i tërhequr nga burrat, gratë ose të dyja gjinitë. Edhe pse ne nuk e dimë saktësisht çfarë e përcakton orientimin seksual të një personi, ne e dimë se ai formohet herët në jetë, nuk zgjidhet nga personi, dhe nuk mund të ndryshohet, edhe pse për shkak të tabuve dhe homofobisë mund të fshihet. Tabu të tilla shoqërore dhe homofobia mund t’i vendosë gej-ët dhe lezbiket në një rrezik të veçantë të dhunës, diskriminimit, depresionit dhe sjelljeve vetë-shkatërruese, si abuzimi me drogë dhe alkool ose vetëvrasja. Është e rëndësishme të punohet për t’i shkatërruar mitet dhe promovuar respekt për të drejtat e grave dhe burrave, për ta shprehur orientimin e tyre seksual pa u diskriminuar.

Fleta burimore

Historia #1
Kur ishte 18 vjeç, Altini pati përvojën e tij të parë seksuale me një burrë tjetër, dhe që atëherë ai e dinte se është gej. Ai kishte shumë partnerë të tjerë, para se të takonte Fiorin. Ata ishin bashkë për një kohë të gjatë dhe, më në fund vendosën t’ua tregojnë familjeve të tyre dhe të vazhdojnë së bashku.

Historia #2
Një natë, Gledi doli me një grup shokësh, të gjithë nga e njëjta klasë e shkollës. Roberti, një nga ata, tha: “Le të shkojmë t’i rrahim disa pederastë, pashë disa tranvestitë në shesh. Ejani!”.

Historia #3
Një natë, kur ishte në plazh për kamping me një grup shokësh, Armandi e gjeti veten e tij në të njëjtën tendë me shokun e tij, Anin. Ata kishin pirë disa birra, para se të shkonin në tendë. Armandi gjithmonë e konsideronte veten të ishte heteroseksual. Ai po mendonte rreth seksit me të dashurën e tij dhe u eksitua kur shkoi në tendë. Kur Ani pa se Armandi ishte i eksituar, ai filloi…

Historia #4
Në moshën 17-vjeçare, Armini mendonte se ishte biseksual. Atij i pëlqente seksi me vajza dhe me djem. Një ditë babai i tij e pa atë duke përqafuar një djalë tjetër dhe kur Armini shkoi në shtëpi, babai filloi ta qortonte….