Qëllimi: Për ta rritur vetëdijen, në lidhje me ekzistimin e pushtetit në marrëdhënie, dhe për të reflektuar se si e komunikojmë dhe e demonstrojmë pushtetin në marrëdhënie.
Materialet e nevojshme: Nuk ka.
Koha e rekomanduar:90 minuta
Vërejtje për planifikim: Asgjë
Pjesa 1 – Aktiviteti i pasqyrës (30 minuta)
1. Kërkoni nga pjesëmarrësit që të ngrihen në këmbë dhe të ndahen në çifte. Secili çift duhet të vendosë se cili prej tyre do të jetë “personi” dhe cili do të jetë “pasqyra”. Shpjegoni se brenda secilit çift “pasqyra” duhet të imitojë çdo lloj lëvizje të bërë prej “personit”. Jepni 2-3 minuta për ta bërë këtë aktivitet.
2. Kërkoni që secili çift t’i ndërrojë rolet dhe ta përsërisin procesin.
3. Përdorni pyetjet e mëposhtme, për ta moderuar diskutimin e asaj se çfarë ndodhi:
• Si u ndjetë, kur ishit “personi”?
• Si u ndjetë, kur ishit “pasqyra”?
• Në jetën tuaj, a ka momente kur jeni ndier si “personi”? Kur?
• Në jetën tuaj, a ka momente kur jeni ndier si “pasqyrë”? Kur?
Pjesa 2 – Pushteti në lidhje (60 minuta)
Caktojini çiftet e pjesëmarrësve të zhvillojnë dhe të paraqesin një skeç të shkurtër, i cili shfaq dinamikën e pushtetit të përfshirë në marrëdhënie si më poshtë. Moderatori duhet të shtojë lloje të tjera të marrëdhënieve, që janë relevante me kontekstin dhe përvojën lokale.
• Mësimdhënës dhe nxënës
• Prindër dhe fëmijë
• Burrë dhe grua
• Shef dhe punëtor
2. Pas skeçit, përdorni pyetjet në vijim, për ta moderuar diskutimin.
1. A janë reale këto skeçe?
2. Në jetën e përditshme, a e përdorin të tjerët pushtetin e tyre në mënyra negative? Kush? Pse?
3. Në jetën tuaj të përditshme, a e përdorni pushtetin tuaj në mënyra negative? Kujt? Pse?
4. Pse njerëzit e trajtojnë njëri-tjetrin në këtë mënyrë? Personin, si të ishte një “objekt”?
5. Cilat janë pasojat e një marrëdhënieje, në të cilën një person mund të trajtohet nga tjetri si një “objekt”?
6. Si i mbështet dhe i përkrah shoqëria/kultura këto lloje marrëdhëniesh, në të cilat disa njerëz kanë më shumë pushtet mbi të tjerët?
7. Si mund t’ju ndihmojë ky aktivitet, të mendoni dhe të bëni ndryshime në marrëdhëniet tuaja?
Ekzistojnë lloje të ndryshme marrëdhëniesh, në të cilat njëri person mund të ketë më shumë pushtet mbi personin tjetër. Siç do të diskutoni në shumë aktivitete të këtij manuali, balancat e pabarabarta të pushteteve mes burrit dhe gruas në marrëdhëniet intime mund të kenë pasoja serioze për rrezikim ndaj infeksioneve që barten përmes marrëdhënieve seksuale, HIV/AIDS dhe shtatzënisë së paqëllimshme. Për shembull, një grua shpesh nuk e ka fuqinë të thotë nëse, kur dhe si të bëjë seks, duke përfshirë edhe nëse duhet të përdoret prezervativi, për shkak të besimeve të dikurshme se burrat duhet të jenë aktivë në çështjet seksuale, ndërsa gruaja duhet të jetë pasive (ose që gratë “ua kanë borxh” seksin burrave).
Në raste të tjera, një grua që është e varur nga partneri burrë për mbështetje financiare, mund të ndihet se nuk e ka pushtetin t’i thotë ‘jo’ seksit.
Në rastet e seksit ndërmjet brezave të ndryshëm, dallimet e moshës dhe klasës së burrave dhe grave mund të krijojnë edhe më shumë marrëdhënie me pushtet të pabarabartë, çka mund të shpjerë në situata të rrezikshme.
Ekzistojnë edhe shembuj të tjerë të pushtetit në marrëdhëniet, në jetën dhe në bashkësinë tuaj.
Mendoni për marrëdhëniet midis të rinjve dhe të rriturve, nxënësve dhe mësuesve, punëtorëve dhe shefave. Nganjëherë pabarazitë e pushteteve në këto marrëdhënie mund të bëjnë që njëri person ta trajtojë tjetrin si të ishte objekt. Kur t’i diskutoni çështjet gjinore dhe marrëdhëniet midis grave dhe burrave, është me rëndësi që të kujtoni lidhjet mes asaj se si do të ndiheshit të shtypur te disa prej marrëdhënieve tuaja, dhe se si do t’i trajtonit të tjerët si “objekte”, duke i përfshirë edhe gratë. Të mendosh për këto lidhje, mund t’ju ndihmojë të ndërtoni marrëdhënie më të barabarta me burrat e tjerë dhe me gratë në shtëpi dhe komunitet.