Qëllimi: Të rrisim ndërgjegjësimin mbi pasojat e mundshme, implikimet, dhe ndjenjat e të rinjve në lidhje me të bëit baballarë/nëna, gjatë adoleshencës.
Materialet e nevojshme: Lapsa/stilolapsa për të gjithë pjesëmarrësit dhe fleta e burimeve 30.
Koha e rekomanduar:90 minuta
Planifikim: Është e zakonshme që çështja e abortit të diskutohet si pjesë e shtatzënisë së paplanifikuar. Kjo mund të jetë një temë shumë e nxehtë dhe përçarëse, si dhe është e rëndësishme që moderatori mos të përpiqet t’i imponojë vlerat e veta ose të mbajë anët, por më tepër të përqendrohet në kontekstin e shëndetit dhe të drejtave të njeriut. Udhëheqësi duhet të jetë gjithashtu i përgatitur të merret edhe me pyetjet dhe keqkuptimet që pjesëmarrësit mund t’i kenë në lidhje me ndërprerjen e shtatzanisë, dhe të japin informacione mbi statistikat, ligjet dhe shërbimet lokale.
1. Mos e zbuloni titullin apo temën e aktivitetit për diskutim.
2. Tregojini grupit se ju do të lexoni një histori me zë në tri pjesë (shikojeni fletën e burimeve). Shpjegojuni që pas secilës pjesë ju do të bëni disa pyetje që lidhen me secilën pjesë.
3. Pas mbarimit të historisë, përfundojeni diskutimin me pyetjet e më poshtme.
Në shumë raste, të rinjtë, ose përmes injorancës ose mungesës së kujdesit, nuk marrin pjesë në vendime, në lidhje me shtatzëninë. Vajzat, nëpërmjet keqinformimit ose vështirësive në komunikimin e kësaj teme me të riun (sidomos nëse është hera e parë që ata janë duke kryer marrëdhënie seksuale), mund ta gjejnë veten e tyre shtatzënë, pa ndonjë planifikim të mëparshëm. Është e rëndësishme të mendojmë se si rolet tradicionale gjinore dhe pushteti në marrëdhënie çon në këto situata, në të cilat çiftet nuk diskutojnë mbi kontracepsionin, dhe kështu ndodh shtatzënia e paplanifikuar. Shpesh, në qoftë se diskutimi ndodh, ai ndodh në momente të nxehta, kur kontracepsioni nuk mund të arrihet lehtësisht. Për më tepër, disa të rinj, kur partnerja mbetet shtatzënë, mund të pyesin me dyshim, nëse ai është i ati. Ky qëndrim mund të shoqërohet me frikë, ose me refuzimin për ndryshimin e stilit të jetës që sjell atësia e paplanifikuar. Ky ndryshim është një rrugëtim nga rinia në moshë madhore, prandaj dhe lidhet me humbjen e lirisë. Kjo tregon gjithashtu një mosbesim të grave – sidomos vajzave, që mund të kenë pasur më shumë se një partner seksual. Është e rëndësishme të rikujtojmë se, edhe pse shtatzënia nuk është alternativë më e mirë për një djalë të ri apo vajzë të re, jeta do të vazhdojë dhe sigurisht më e mira është që gjithmonë të kërkojmë mbështetjen e familjes, shoqërisë apo të bashkëmoshatarëve të tjerë në komunitet.
Tregimi i Blendit
Pjesa 1
Blendi është një djalë i ri 17-vjeçar që jeton me familjen e tij në Tiranë. Ai mëson shumë në shkollë, i pëlqen të bisedojë me miqtë e tij, si dhe luan futboll sa herë që mundet. Një të shtunë, kur Blendi ishte duke qëndruar me shokët e tij në qytet, ai njeh Anën, e cila ishte 16 vjeç. Ishte dashuri me shikim të parë. Ata biseduan me orë të tëra atë pasdite. Përpara se të largoheshin nga njëri-tjetri, ata u përqafuan, si dhe planifikuan që pas tri ditësh të takoheshin në të njëjtin vend. Blendi kishte rënë në dashuri. Ai kurrë nuk ishte ndier kështu më parë. Duke shkuar për në shtëpi atë mbrëmje, Blendi nuk ndalonte së menduari për Anën. Për tri ditë rresht, ai mendoi për të. Blendi kishte gjetur më në fund dashurinë e jetës së tij.
Si mendoni që do të përfundojë ky tregim?
Pjesa 2
Kur Blendi dhe Ana u takuan prapë, ata ishin shumë të lumtur. Pas kësaj, ata u takuan pothuajse çdo ditë dhe, atëherë kur nuk takoheshin, ata flisnin në telefon. Një ditë prindërit e Blendit shkuan që të vizitojnë hallën e sëmurë në Pejë. Blendi mendoi që kjo është mundësi e mirë që ta ftonte Anën në shtëpinë e tij. Kush e di çfarë mund të ndodhë, mendoi ai me vete. Ana erdhi në kohën e caktuar dhe dukej më e bukur se kurrë. Biseda shumë shpejt u kthye në puthje, dhe atmosfera po bëhej gjithnjë e më e nxehtë.
Pjesa 3
Blendi dhe Ana kryen marrëdhënie seksuale, por ata nuk përdorën ndonjë mbrojtje. Rrugës për në shtëpi, Ana filloi të shqetësohej për atë që ata kishin bërë. Ndoshta ajo nuk duhej ta lejonte të ndodhte. Çfarë do të mendojnë familja e saj dhe miqtë, në qoftë se ata e dinë se ajo nuk ishte më e virgjër? Blendi u shqetësua gjithashtu. Ai mendonte se çfarë do të mendojnë prindërit e tij, nëse ata e kuptojnë që ai kishte sjellë Anën në shtëpi? Në dy javët e ardhshme, Blendi provoi t’i shmangej Anës. Ajo e mori atë çdo ditë në telefon, mirëpo ai gjithmonë gjente një arsyetim për të mos folur me të. Pas një muaji, Blendi mori një telefonatë nga Ana, e cila ishte duke qarë dhe ndihej shumë e mërzitur. Ana i tregoi Blendit se ajo ishte shtatzënë dhe nuk dinte se çfarë të bënte.